Sheh Ali Pazari: Torturat çnjerëzore që më bënë Mihallaq Ziçishti dhe Maqo Pecani për 10 muaj

1
3610
blank

“Durova korentin në trup, peshat me zinxhirë të varura në shpatull, thyerjet e vizoreve në kockat e këmbëve dhe të duarve, netë të tëra pa bukë e pa gjumë…“Kush m'i bënte këto tortura?- Krimineli Mihallaq Ziçishti dhe Maqo Pecani që ishin të pangopur në lincime. Më kujtohet se si erdhi një herë, i dehur Mihallaqi dhe më tha se do të më vriste…”.

Nga AHMET PAZARI

Sheh Ali Pazari ka lindur më 1890 në Tiranë. Mbaroi studimet në Turqi dhe u kthye në atdhe ku punoi në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë e Postës deri në vitin 1944, kur doli në pension. Si kryetar i sektit halevian ishte me influencë në Shqipërinë e Mesme dhe në Devoll të Korçës. Por komunistët i kishin frikë njerëzit me influencë. Rasti u paraqit më 5 maj 1947, kur u kap grupi i deputetëve. U padit në gjyqin ushtarak, me dyer të mbyllura. Më 3.2.1948 iu paraqit akuza se ka patur dijeni për grupin e deputetëve dhe ka ushtruar veprimtari për agjitacion e propagandë. U pyet edhe për lidhjet me Muamer Liçon, Sheh Qerim Bilishtin, Gani Zemblakun, Sheh Ibrahim Karbunaren, Shefqet Bejën, etj. Ali Pazari iu përgjigj akuzave se ata ishin miq të familjes së tij, Kriminelët komunistë e dënuan me vdekje, që iu shndrrua në burgim të përjetshëm.
Arestimi i tij u bë nga Skënder Kosova me dy të tjerë, që bastisën shtëpinë dhe morën të gjitha kujtimet e familjes si sahatë floriri, sende ari, shpatën e Anibal Kurtashit të Kartagjenës si edhe kutinë me mbi 3000 napolona ari. Për periudhën njëmbëdhjetë mujore në hetuesi tregonte se e torturuan në mënyrë çnjerëzore, që nga djegjet me hekur të skuqur në gjoks, torturën e jelekut si edhe shuarjen e cigareve në ballë që ishte një argëtim për inkuizitorët.

blank“Durova korentin në trup, peshat me zinxhirë të varura në shpatull, thyerjet e vizoreve në kockat e këmbëve dhe të duarve, netë të tëra pa bukë e pa gjumë”. -na thoshte.
E lidhnin me tel se mos arratisej dhe e tërhiqnin telin për kontroll.
“Kush m'i bënte këto tortura?- Krimineli Mihallaq Ziçishti dhe Maqo Pecani që ishin të pangopur në lincime. Me kujtohet se si erdhi një herë, i dehur Mihallaqi dhe më tha se do të më vriste. -Edhe Fahri Dervishin aty në birucë e vrava! E përgëzova dhe i thashë se do të shpëtoja dhe unë prandaj le të vepronte sa më shpejt. I tërbuar nga inati u vërsul dhe më ra me dorezën e kobures në ballë. Kur më pa të gjakosur doli nga dera e burgut dhe u kthye prapë duke më rënë me shqelma. Se i kisha bërë kostumin me gjak! Durova, pra, 10 muaj torturat çnjerëzore, nuk pranova asnjë dhe dëshmitarët i kundërshtova.
Me 3 shkurt dola në gjyqin ushtarak bashkë me xhaxhanë tim, Xhemal Pazarin. Prokurori Faik Minarolli kërkoi, në pretencën e tij, dënimin me vdekje për lidhje me grupin e deputetëve dhe për faktin se isha kryetar i shehlerëve në Shqipëri. Më mbajtën tetë ditë në birucën e burgut, të lidhur me hekura, pa bukë e pa ujë. Mbasi m'u shndrrua dënimi në burgim të përjetshëm më dërguan në Kampin e çfarosjes në Vloçisht (Maliq).
Kur erdhëm në burgun e Tiranës, gruaja nuk më njohu, kaq isha bërë kockë e lëkurë. Fëmijët kërkonin babën. Unë me atë zërin që mezi dilte, kërkoja bukë.
Mbas dy muajsh më dërguan në Burgun e Burrelit. Aty u gëzova shumë që u takova me të njohur si me Osman Kazazin, Patër Mëshkallën, Et'hem Carën, Maliq Bushatin, Faik Cangonjin, Abdurrahman Dibrën. Atje, Koço Kotën e kishin futur në një fuçi me ujë dhe e kishin lënë 13 ditë pa bukë gjersa u mbyt, ndersa Atif Golën e mbytën në torturë. Xhevat Korça, meqë ishte i sëmurë dhe nuk e mjekonin, bëri grevë urie 15 ditë, e kështu vdiq.
Kaluan, kështu, 13 vjet dhe në nëntor të vitit 1959 më liruan, pas një amnistie, me dekretin Nr. 3006. Sipas këtij dekreti, të liruarit quheshin të padënuar, por qenë vetëm fjalë mbasi nuk më dhanë as pension dhe më shpërngulën në Laprakë, në një banesë të vogël…”.
Këto janë shënime të nxjerra nga rrëfimet e babait, që na thoshte edhe: “Sado që të mundohem t'ju shpjegoj se ç'kam hequr, nuk do të mundja kurrë të tregoja ato që kam vuajtur në kampet skëterrë".

Botuar për herë të parë në gazetën "Liria" me 27 janar 1993

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Po nga te paret kemi degjuar …..dhe nga askish ma…Po a ka gjalle njeri te shkruaj dhe per Sheh Qerimin nga Bilishti se me sa kam dijeni une Diktatura e eger komuniste e ka çfarosur dhe vetem pak njeres din diçka

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here