Dëshmitar okular në pushkatimin e babait tim!

0
3452
blank

Në qoshen e varrezave pashë të grumbulluar shumë njerëz. Vrapova drejt tyre.Fishkëlleu një bilbil... M'u prenë gjunjët. Një bilbil i dytë... Po arrija te turma, arrita në krye. Bilbili i tretë dhe... një batare automatikësh e mitralozësh. Një tufë zogjsh çau ajrin me vërtik... Mbulova sytë me dorë derisa pushoi batareja.
Ishte ora 18 e 12 minuta e datës 14 prill 1945, Filluan të dëgjoheshin krisma revolveri. Ishte Bedri Spahiu, prokurori, që u jepte goditjen e fundit atyre që s'u kishte dalë ende shpirti!

Nga OSMAN BISHQEMI

Nuk mund të harroj atë mbrëmje të llahtarshme të 14 prillit 1945, kur asistova si dëshmitar okular në ekzekutimin e babait tim, Tahsim Bishqemi, bashkë me 16 shokët e tij të tjerë, të gjithë të dënuar nga Gjyqi i parë Special, pra, nga gjyqi i parë i regjimit komunist në Shqipëri.
Ai gjyq, prapa të cilit maskohej udhëheqja e lartë, e ngriti siparin me 1 mars 1945 dhe vijoi deri më 13 prill 1945, kur u dha vendimi. Në fillim ai u projektua si një gjyq i kufizuar me 30 të pandehur, por postaj, nën direktivat e Këshillit të Lartë Antifashist (prapa të cilit maskohej udhëheqja e lartë e PKSH, gjer atëhere gjoja ilegale) mori dimensione më të gjëra, duke marrë përmasat e një Gjyqi Special, ku numri i të pandehurve u fiksua në 60, si përfaqësuesit më tipikë të nomenklaturës shtetërore. Në këtë ridimensionim u përfshinë ish -kryeministra e ministra të periudhës 1939-1944, ish-parlamentarë e qeveritarë, gazetarë e përkthyes, juristë e publicistë, përfaqësues të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, oficerë madhorë të ushtrisë, të gjindarmërisë, të organizimit të rinisë, të policisë, të rojes së financave eti.
Kryetar i Gjyqit ishte Koçi Xoxe; prokuror, Bedri Spahiu; anëtarë: Bilbil Klosi, Aranit Çela, Frederik Nosi, Medar Shtylla etj.
Avokatë mbrojtës ishin më të mirët e asaj kohe, si: Stringa, Dhimitri, Çipi, Benusi, Noçka, Dilo, Evangjeli etj. Babain tim e mbronte Myzafer Pipa. Gjyqiu zhvillua në kinoteatrin “Kosova”.
Unë munda të asistoja në të gjitha seancat gjyqësore, gjer në ditën e pretencës, kur më përzuri nga salla Qemal Bulku, i cili asokohe, njihej si Kryetar i DPB. Pretencën, mbrojtjen dhe vendimin i dëgjova nga altoparlanti i vendosur te Xhamia e Sahatit.
Që ditën e apologjisë, dmth që në çastin e leximit të aktakuzës nga prokurori, dhe që nga çasti i parë i marrjes në pyetje prej Koçi Xoxes, nga toni i tij i ashpër e agresiv, me akuzat: “.. krahu i dja thte i Shefqet Verlacit”; “vegël e Abaz Kupit”; “ndërlidhës i reaksionit të Shqipërisë së Mesme me atë të Veriut”, etj., e kuptova se vendimi ishte marrë që më parë. Dhe këtë ia thashë menjëherë Myzaferit.
Myzafer Pipa, ky demokrat i shquar dhe jurist i kualifikuar, i cili më vonë do të eleminohej pabesisht në burgun e Shkodrës se gjoja tentoi të arratisej, me një përgatitje profesionale të lartë dhe kurajo civile të rrallë, duke stigmatizuar paaftësinë juridike për të gjykuar të pandehurit e atij gjyqi nga ana e trupit gjykues, bëri një mbrojtje të shkëlqyer.
Por, Bedri Spahiu kërkoi 17 dënime me vdekje. Për gjithë të tjerët dënime të ndryshme, nga burgim i përjetshëm, deri në 5 vjet. Vetëm për profesorin Luigi Filaj, lirimin për pafajësi.
Me 13 prill 1945, pothuajse pa asnjë ndryshim esencial, Koçi Xoxe shqiptoi vendimin e Gjyqit Special. Në orët e para të mesditës, më erdhi në shtëpi vajza e Luigjit, i cili kërkonte të më takonte patjetër. Vajta menjëherë. Profesor Luigji, ky muzikant i shquar dhe njeri fisnik, filloi të më jepte shpresë e kurajo, se vendimi do të kishte patjetër ndryshime. Fjalë të zakonshme që njeriu i shpreh në të tilla rrethana. Shpresa është gjithmonë e fundit që vdes te njeriu! Pastaj nxorri një zarf të mbyllur. “E kam amanet nga yt atë... Por do të më japësh fjalën se nuk ke për ta hapur para se të jetë sqaruar e të ketë për funduar gjithçka...”
Askush nuk fjeti atë natë në shtëpinë tonë; pritnim, si i thonë fjalës, me xhenaze të hapur dhe zemër të ngrirë. Dhe erdhi mëngjesi i 14 prillit...
As unë nuk e di se si kaloi ajo ditë. Ankthi e shpresa alternoheshin me sekuenca të pandërprera.
Ishte pasdreke vonë. Kisha dalë nga shtëpia bashkë me shokun tim, Pëllumb Koka, djali i Sami Kokës, dënuar një ditë më parë me 20 vjet burg. Aty, në rrugën Mbretërore, të sapoemëruar rruga e Barrikadave kaloi një kamion i mbushur me ushtarë të armatosur e me njerëz të ulur, të cilëve u dukej vetēm koka. Pas tij, edhe një i dytë, po ashtu si i pari. Kamioni i tretë kishte vetëm ushtarë. Që të tre kamionët morën kthesën te rruga e Bamit (sot Rruga Qemal Stafa) dhe qëndruan përbri shtëpisë së familjes Qorralliu, ku deri disa vjet më parë ishte Muzeu i Luftës N.ÇI. Qindra njerëz u gurmbulluan për të parë. Unë dhe Pëllumbi vrapuam me një frymë...
Nga shkallët e ndërtesës pamë të zbrisnin të dënuarit me vdekje, me ecje dinjitoze dhe me kokën lart. Im atë ishte i lidhur dorë më dorë me Daut Çarçanin. Ata s'kishin fjetur asnjë minutë, tërë natën e kaluar, por kishin pirë kafe pas kafeje, që rojet e burgut, me fisnikëri dhe humanizëm, nuk kishin përtuar t'ua porositnin pothuajse aty, përballë, te pasticeria "Bella Venezia”, e cila kishte qëndruar e hapur tërë atë natë...
Vrapova me një frymë te sponda e makines. Zemra po më çahej nga të rrahurat. O Zot, sa të fortë e paske bërë këtë zemrën tonë!...
Zgjata të dy duart dhe kapa dorën e tij të lirë.
-Të kam shkruar një letër, më tha; shko e merre te Luigji.
Në atë çast filluan të hedhin mbi makinë karikatore automatiku dhe krehëra me fishekë.
- O shok, i thashë një ushtari, që po i sistemonte, ku po i çoni të dënuarit?
- Në dasëm, t'i martojmë! - m'u për gjigj ai, duke u zgërdhirë me egërsi sadiste.
Gjithë të dënuarit ndiqnin me një farë zilie të ligjshme e të natyrshme fatin e shokut të tyre dhe që të gjithë më ndiqnin me një shikim shumë njerëzor, sikur më luteshin që të merrja edhe nga ata amanetin e fundit për familjet e tyre.
Atë amanet të fundit të syve të tyre, unë e ruaj të gjallë edhe sot, pas afro gjysëm shekulli. Unë s'do ta harroj kurrë atë ç’ka më transmetuan me sytë e tyre në ato çaste supreme Javer Hurshiti, Aqif Përmeti, Myrdashi, Hilmi Leka, Terenc Toçi, Fejzi Alizoti, Reshit Merlika, Dik Cami, Beqir Valteri dhe gjithë shokët e tjerë të atij holokausti historik. Ata po shkonin të gjithë si burrat drejt vdekjes. Pëllumbi nuk ndahej nga unë. Pranë nesh ndaloi një pajton. Karroca vraponte, fluturonte me të katra. Po, a mund të ecë revani i kalit me vërtitjet e rrotave të makinës? Zemra po më çahej nga ankthi dhe padurimi. Shpresoja se të dënuarve me vdekje do t'u lejohej plotësimi i dëshirës së fundit. Ndofta, po të arrija me kohë, mund të përqafohesha edhe një herë me tim atë! I shkreti njeri! Sa deluzione të hidhura pësoi në këta 45 vjet të diktaturës!
Në qoshen e varrezave pashë të grumbulluar shumë njerëz. Vrapova drejt tyre.Fishkëlleu një bilbil... M'u prenë gjunjët. Një bilbil i dytë... Po arrija te turma, arrita në krye. Bilbili i tretë dhe... një batare automatikësh e mitralozësh. Një tufë zogjsh çau ajrin me vërtik... Mbulova sytë me dorë derisa pushoi batareja.
Ishte ora 18 e 12 minuta e datës 14 prill 1945, Filluan të dëgjoheshin krisma revolveri. Ishte Bedri Spahiu, prokurori, që u jepte goditjen e fundit atyre që s'u kishte dalë ende shpirti!
Fytyrat nuk dalloheshin qartë, sepse largësia ishte afro 100 metra. Dalloheshin vetëm trupat e 17 të rënëve, të ekzekutorëve, të varrmihësve e të fetarëve.
Po përpiqem të rreshtoj disa të dhëna që mora gojarisht nga disa persona të ndodhur prezentë në ekzekutim, si hoxha, varrmirësit dhe një oficer i Mbrojtjes, që sipas tij, nuk bënte pjesë në togën e ekzekutimit.
Të 17 gropat ishin hapur të veçanta, në tre rreshta (6, 5, 6) me thellësi normale të varrimit të zakonshëm. Punëtorët e varrimit secilit të vdekur i kishin mbuluar fytyrën me xhaketën e tij; kishin vendosur plisat e barit mbi çdo trup, pastaj kishin bërë mbulimin me lopatë.
Hoxha, prifti ortodoks e ai katolik ishin thirrur për të bërë shërbesat e fundit fetare dhe për të mbledhur amanetet e mundshme.
Bedri Spahiu nuk është i sinqertë edhe në ato pak gjëra që shkruan në artikullin e tij të para një viti. Ai përpiqet të shfajësohet kur kujton që të dënuarit i kërkuan në çastet e fundit, të mos ushtrohej mbi familjet e tyre luftën e klasave. A nuk qe ai vetë që, nga tribuna e Kongresit I të PKSH u shpreh: "...do t'i bëjmë armiqtë tanë të ushqehen me gjakun e tyre»? Pse nuk tregon që, pasi lexoi vendimin me vdekje të Gjyqit Special dhe refuzimin e lutjes për faljen e jetës, i urdhëroi të dënuarit të kthenin shpinën se -ashtu pushkatohen tradhtarët dhe Tahsin Bishqemi, në emër të të shtatëmbëdhjetëve, i tha: -Ne nuk kthejmë shpinën, se nuk jemi tradhtarë. Ne po vdesim për Shqipërinë!

blankPse nuk ka kurajon civile zoti Spahiu të tregojë se, fill pas këtyre fjalëve, gjithë të rreshtuarit për vdekje e gjuajtën me kapelet e tyre, duke bërtitur të gjithë njëzëri: RROFTE SHQIPERIA-?
Të nesërmen në mëngjes, i pari ri që më erdhi në shtëpi për ngushëllim, ishte hoxha, i cili më dorëzoi kravatën dhe rrypin e pantallonave, që im atë ia kishte dhënë si kujtim të fundit për mua. Pastaj më tregoi me hollësi gjithe ç'kishte parë dhe mbante mend nga ajo mbrëmje tragjike.
Dëshmi analoge më dhanë edhe dy punëtorë të varrimit, që më erdhën në shtëpi. Pasdite, bashkë me motrat, bëra të parën vizitë në varreza, te vendi i ekzekutimit. Pellgjet e gjakut të nxirë mpiksur, nuk ishin tharë ende mirë. Mundëm të gjejmë aty, përdhe, edhe dy gëzhoja fishekësh që i mbajtëm dy vjet si relike të shtrenjta pranë fotografisë së babës.
Ishte e treta ditë që shkonim në va rreza. Familjarët që nuk dinin ku i kishin të afërmit e tyre, i shpërndanin lulet qe sillnin varr më varr. Motrat e mia (nuk më kujtohet nga kush e kishin dëgjuar) ishin ngujuar te një varr i rreshtit të parë. Unë, i tretur në mendime, po pija duhan pak më tutje. Befas, një oficer i Mbrojtjes, që aty për aty nuk e njoha, m'u drejtua me emër e më tha se varri i babait tonë ishte i dyti në rreshtin e dytë.
Që atë natë filloi identifikimi i varreve. I pari që e ndërmori këtë punë, ishte Nazmiu, një djalë nga Poçesta e Maqellarës, i cili punonte kuzhinier në shtëpinë tonë. Natën, pas orës 9, Nazmiu filloi hapjen e varrit me një sqepar e një kaci. Të nesërmen, varri u rregullua me plisa dhe u vendos epitafi i parë me emër.
Brenda 3-4 ditëve, pjesa më e madhe e varreve u identifikuan, u rregulluan dhe iu vendosën emrat. Madje mësuam se kufomën e Reshit Merlikës familjarët e kishin zhvarrosur, e kishin pastruar, ndërruar me rroba të reja dhe, pastaj, e kishin varrosur përsëri! Edhe varrin e Kol Tromarës, si patriot mërgimtar që s'kishte familje në Shqipëri, e rregulloi Nazmiu.
Për fat të keq, vetëm varri i Bahri Omarit nuk u rregullua asnjëherë. Më vjen hidhur të kujtoj se, ditën e 5 Majit, një grup të rinjsh, duke u kthyer nga varri i Qemal Stafës, ku kishin shkuar për të bërë homazhe, me një sadizëm të pashembullt dhe egërsi aziatike, kthyen te varret e 17 të ekzekutuarve, u shkulën epitafet dhe i rrafshuan me këmbë!
Nuk e dinin të gjorët se repsekti për të vdekurit, cilitdo qofshin ata, është ligj numër një për botën e qytetëruar...
Botuar për herë të parë në gazetën “Liria”, e Enjte, 22 Prill 1993.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here