Mehmeti

0
857
blank

Të vëllanë e pushkatuan pa faj brigadat partizane në një masakër ku u vranë 25 burra. Kur Mehmeti doli nga burgu, nga frika mos merrte hak për të vëllanë, sajuan një akuzë të rreme dhe e dënuan me pushkatim

Në atë grup burrash të pangrënë, të palarë, të paveshur si duhet prej muajsh, fiziku dhe fytyra e bukur e djaloshit 20-vjeçar nga Luma, nuk kishte si të mos binte në sy. E bashkë me të dhe heshtja e të riut, të urtë si plak, që duke mos pasur asnjë bashkëfshatar të njohur mes gjithë të dënuarve, rrallë fliste e kurrë nuk zgjatte bisedat.
Atje, në Lumë, kishte lënë të atin dhe të ëmën. Atje, në Lumë, brigadat e Shefqet Peçit, i kishin pushkatuar vëllanë 22-vjeçar, bashkë me 24 burra të tjerë të asaj krahine. Nuk kishin bërë asnjë krim, por meqë Luma ishte krahina e kundërshtarit-legjendë të komunistëve, Muharrem Bajraktarit dhe djemtë e saj nuk iu ishin bashkuar forcave partizane, komunistët vendosën t’i jepnin një mësim të përgjakshëm duke vrarë 25 burra. Mes tyre edhe vëllanë e Mehmetit.
Me një djalë të vrarë e një tjetër në burg, e ardhmja e familjes së tyre, shqetësimi kryesor i malësorit, ishte në rrezik. Ndaj Mehmeti mendohej dhe heshtte. Kjo barrë i ishte lehtësuar disi nga lajmi që e kunata, shtatzënë kur i vranë bashkëshortin, kishte lindur një djalë. Foshnjës i kishin vënë emrin e babait të vet të vrarë. Tashmë dera e tyre, e kishte një pasardhës. Ky ishte një lehtësim i madh për Mehmetin. Ndërsa si do vinte jeta e tij, nuk dihej. Si nuk dihej për askënd nga ata burra të pangarënë, të palarë e të paveshur si duhet, prej muajsh, që mblidheshin mbrëmjeve në barakat gjysmë të hapura e niseshin mëngjeseve drejt llucës së Maliqit.
Sami Repishti, i cili pasi u lirua dhe u arratis nga Shqipëria, shkroi kujtimet e burgut, e kishte Mehmetin shok brigade në kampin e Maliqit, ku për ca kohë punonin të dy bashkë në hapjen e kanaleve kulluese. Ishin afruar me lidhjen më të fortë, atë të vuajtjes së përbashkët. Njëri, i zhytur në ujë deri në brez, nxirrte baltën nga kanali e tjetri, jashtë kanalit, e shkarkonte përtej shenjave të skarpatës. E kur ai në kanal, mpihej e nxihej nga i ftohti, ndërronin vendet. Kështu vazhdonte gjithë dita deri në fërshëllimën e rojës. Më pas rreshtoheshin drejt kampit, por nëse normisti thoshte se norma nuk ishte plotësuar, shkonin të flinin pa ngrënë. Të nesërmen gjithçka niste nga e para. Megjithë moshën e re dhe fizikun e fuqishëm, ushqyer me ajrin e pastër të bjeshkëve, Mehmeti u sëmur nga kushtet jashtëzakonisht të vështira.

“Nji mbasdreke, mbrendë në kanal, iu këputën kambët e u zhyt në ujë, pa qitë za. Lëshova menjiherë lopatën e, nga breku ku isha, u hodha mbrendë. Me atë fuqi që më kishte mbetë, e nxora mbi ujë që të mos mbytej. Dy shokë më ndihmuen e, me kujdes e mundim, e nxorrëm përjashta, në bregore. Mehmeti ishte ngri e merrte frymë me zor. I fërkova trupin me të dyja duert, i ngrita pak kokën e shpejtova me e veshë me crrulet e tij e ta mbuloj me t’miat. Ai nuk foli. Por nuk kisha mbarue ende s’mbuluemi, kur pashë rojen që u afrue e, mbasi më dha dy shkopinj të fortë në kurriz, pa më pyetë fare, filloi ta shqelmojë Mehmetin.
-“Ngrehu, derr!”, bërtiti. “Në kanal, në kanal!”
Mehmeti nuk lëvizte, as përgjigjej. I mjeri, veçse fshante…” shkruan Sami Repishti në librin “Pika loti. Të dënuarit e tjerë u detyruan të ktheheshin në punë, ndërsa Mehmeti u la aty, deri në fund të ditës, kur Samiu me ndihmën e shokëve e çuan në kamp, duke e mbajtur në sup. Tashmë trupi i tij digjej nga temperatura. Në kamp, e shtruan në infermieri dhe të nesërmen, Mehmeti doli nga kllapia e nisi ta merrte veten dalëngadalë. Por një ditë prej ditësh, kur ende nuk kishte lënë shtratin e infemierisë, dy oficerë e kishin ngritur me dhunë, e kishin lidhur këmbë e duar dhe e kishin hipur në një kamion për ta transferuar kush e di ku.
Sami Repishti nuk mundi të mësonte ç’u bë me Mehmetin, deri kur, kohë më vonë, kur ishte kthyer në burgun e Shkodrës, dalloi se i riu që sollën në birucën ku të dënuarit prisnin ekzekutimin dhe që atë çast po kalonte në korridor, ishte Mehmeti. Samiu u pikëllua kur mësoi çfarë e priste Mehmetin, shokun e mirë të kampit të Maliqit, por me reflekset që mprihen në çaste ekstreme, nisi menjëherë të mendojë se si mund ta ndihmonte në ato rrethana, duke ia lehtësuar vuajtjet. Të dënuarve me ekzekutim u jepej vetëm gjysmë racioni bukë e ujë dhe asgjë tjetër. Mehmeti ishte dobësuar shumë e me siguri vuante nga uria. Kështu që Samiu, bashkë me shokët e besuar, studioi situatën dhe arritën që çdo ditë t'i hidhnin një copë bukë të mbështjellë me gazetë nga dritarja e vogël e qelisë, pa u pikasur nga rojet. Kjo nuk zgjati shumë, sepse dikush spiunoi dhe Samiun, si ndëshkim e mbyllën në izolim. Por qelia e izolimit të tij qëlloi ngjitur me atë të Mehmetit, kështu që ata vendosën një farë komunikimi.
“Mora vesh se Mehmeti ishte dënue me vdekje, nji javë ma parë, nga nji Gjykatë Ushtarake e Kukësit, i akuzuem për vrasjen e dy anëtarëve të Partisë Komuniste atje në katund. Familjet e të vramëve kërkojshin hakmarrje me kambëngulje.
-“E vërteta,-më tregonte Mehmeti, -asht se unë nuk kam qenë farë në katund ditën e vrasjes; atë ditë kam kositë livadhet e bjeshkës, së bashku me shumë bujq e çobanë të tjerë. Akuza e bame asht kurdisë nga anëtarë të tjerë Partie po nga katundi im, prej atyne që kanë shkaktue vdekjen e pajafshme të vllaut njizetedyvjeçar e që tashti, të ndjkun nga hija e krimit e frika e hakmarrjes, kanë vendosë me më zhdukë edhe mue…Mehmeti e kuptonte mirë se sa e randë ishte akuza e, megjithëse nuk kishte pranue asnji pjesë të saj, nuk ushqente ma shpresa shpëtimi. Në nji gjendje pamundsie të plotë me veprue, i mbushur me vner nga zemrimi i kurdisjes aq t’ulët, Mehmeti e pikësonte shpesh tregimin me dënesa qe i delshin nga thelbi i zemrës.
-“Si asht e mundun me e humbë robin kështu pa faj, bre!”, përsëriste shpehherë me atë të folmen e thjeshtë lumjanë, por me nji ton që të bindte për randsinë e madhe që i jepte shprehjes së tij.
Kjo pamundësi për të kuptuar dhe pranuar që mundoi sa e sa njerëz, përkundrazi, nuk i shqetësoi kurrë ndërgjegjet e shkaktarëve të këtyre krimeve.
Gjatë ditëve që priste ekzekutimin e vendimit, Mehmetin e vizitoi në burg, i ati. Copëzat rrëqethëse të fjalëve dhe ngashërimave të tyre depërtuan edhe në qelinë e Samiut, që iu bë dëshmitar atij takimi të fundit babë e bir.
-“Po më dhimbesh, bre djalë! Je i ri…”-thoshte babai.
-“Pse ke ardhë, o tatë?! Pse po më lodh kështu?!”-përgjigjej i biri.
Pastaj kishte rënë heshtja. I heshtur rrinte edhe më pas në qeli, Mehmeti. Kishte mbetur pak për të thënë. Asgjë për të bërë. Ai ishte ende i ri dhe prej vetë rrethanave të jetës, njohuritë i kishte të kufizuara, por jo arsenalin e parimeve, ndaj, pyetja që e mundonte ishte si mund të binte aq poshtë burri, siç kishin rënë ata që kishin shpifur dhe po e çonin drejt ekzekutimit me shpifjet e tyre, njerëz të një katundi me të, por që arsenalin e parimeve morale e kishin shkëmbyer me parimet e reja të partisë. Në këtë gjendje papajtueshmërie me njerëzit dhe dorëzimi te duart e Zotit, Mehmeti kishte kaluar ditët e fundit, derisa një ditë, një kamion kishte ardhur për ta marrë e për ta çuar drejt vendit të ekzekutimit.

Mbështetur në tregimin "Djali i Lumës", i librit "Pika Loti" të Sami Repishtit, botimet Pegi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here