E çuan te telat dhe e vranë; duke dhënë shpirt, tha vetëm: Përse?

0
1538
blank

Maksim Rakipaj tregon vrasjen në burg të një prej xhaxhallarëve të tij, Hysen Rakipajt. Të vërtetën, familja e mësoi nga një person i brendshëm i burgut të Tiranës, i cili tregoi se, ndryshe nga varianti zyrtar, nuk ishte një tentativë për arratisje, por një vrajse e urdhëruar

 

Ata ishin 7 vëllezër. E nisën luftën me Ballin dhe e përfunduan si partizanë. Vetëm Njaziu që ishte zogist e që kishte kryer shkollën e lartë ushtarake në Modena, nuk pranoi të dilte partizan. Atë e arrestuan dhe e dënuan me 17 vjet burg politik, por vëllai i tij, Hyseni, pati një fat shumë më tragjik. E arrestuan dhe pas ca kohe, pa e nxjerrë në gjyq, në vitin 1956, e vranë në burgun e Tiranës. Thanë se ishte vrarë duke tentuar të arratisej, por e vërteta që doli si produkt i një vrasjeje ndërgjegjeje i zbuloi familjes që vrasja e Hysenit ishte organizuar nga policët e burgut.

Djali i një prej vëllezërve të Hysenit, Maksim Rakipaj, më vonë edhe vetë i dënuar politik, pasi familja me dy djem të dënuar, tashmë ishte bërë armike, flet në librin e tij “I mbijetuar” edhe për vrasjen në burg të xhaxhait të madh. “Ishte një lojë e kurdisur nga Sigurimi i Shtetit me njerëzit e tij në burgun e Tiranës. Ishte menduar që të stimulohej një arratisje masive nga burgu për të legjitimuar më pas terrorin në të gjithë vendin. Kishte edhe policë që bënin pjesë në grupin e krijuar nga Sigurimi, që komplotonin për arratisje nga burgu dhe më pas arratisje jashtë kufijve. Një prej policëve që bënte pjesë në atë grup, mendoi të merrte edhe Hysenin, sepse qe shumë i fuqishëm. I thanë dikujt që shoqërohej me të që t’i mbushte mendjen Hysenit të futej në grupin e atyre që punonin në hapjen e tunelit të nëndheshëm, që do të shërbente për arratisje. Hyseni, që ndoshta dyshonte për ndonjë kurth, nuk pranoi”, shkruan Maskim Rakipaj në librin e tij me kujtime, botim i “dy Lindje & dy Perëndime”.

Hyseni e kishte sqaruar personin që i kishte propozuar arratisjen, se ai priste të lirohej dhe nuk donte të ngatërrohej në të tilla punë, ata mund të vazhdonin, prej tij nuk do të dilte fjalë. Polici, atëherë, kishte vendosur ta eliminonte. “Pak para se të errej, e thirri gjoja për të biseduar dhe e çoi afër telave me gjemba. I bëri me shenjë ushtarit që ruante atë pjesë gardhi me tela, ashtu si qe marrë vesh që më parë. Një breshëri e gjatë automatiku dhe Hyesni ra i vdekur. Duke dhënë shpirt, kishte thënë vetëm: “Përse?”.”

Familjes i thanë që Hyseni ishte vrarë pasi kishte tentuar të arratisej nga burgu. Në këto rrethana, që rëndoheshin edhe më nga shpallja kulak e babait të familjes dhe dënimi me 17 vjet burg i vëllait tjetër, vëllezërit nuk guxuan të interesoheshin për trupin e Hysenit, i cili ka mbetur pa varr si qindra të dënuar që kanë humbur jetën brenda rrethimit të burgjeve komuniste. Në familjen e tyre, Hyseni mbeti një plagë e hapur veçanërisht për të ëmën, në sy të së cilës mundoheshin që Hysenin të mos e zinin në gojë.

Por plaga e pambyllur, do të lëndohej gati 15 vjet më vonë, nga vizita e një të panjohuri, që solli para syve të nënës minutat e fundit të djalit të saj.

“Në fillim të viteve ’70,-shkruan Maksim Rakipaj-dikush që e dinte këtë histori, pasi u sigurua që nënia mbeti vetëm në shtëpi, shkoi dhe i tregoi për çastet e fundit të Hysenit: “Nuk ma mban dot shpirti, moj nëna e Hysenit. Kam marrë vesh që kam një sëmundje të keqe. Edhe pak më ka mbetur të rroj. Thashë të pastroj shpirtin. Më shfaqet përnatë Hyseni në ëndërr… “Përse, më thotë, përse”…por nuk e vrava unë, nuk e dija që polici donte ta vriste, ja kështu…”

E gjora grua që e kishte ngrysur jetën duke lotuar në heshtje djalin e vrarë dhe tjetrin e burgosur, i mbylli sytë, pa mundur të takohej as me të dytin. Dënimi i tij 17-vjeçar mbaroi dy vjet pasi e ëma kishte ndërruar jetë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here