2 maj 1945/ Koçi Xoxe: Që gjyqi të shkojë mirë, punoni natën me gjyqtarët…

0
1139
blank

Si orkestroheshin gjyqet politike nga regjimi komunist. Dokumentet e majit 1945, ku Koçi Xoxe udhëzonte Gaqo Naston e Gaqo Floqin se si duhej të vepronin me një gjyq në Korçë, që nuk po shkonte sipas planit të tyre….

Veç gjyqit të madh special që u mbajt në Tiranë ku u gjykuan 60 intelektualë e politikanë të shpallur prej komunistëve si “kriminelë lufte”, regjimi komunist kishte nisur me ngut të madh një fushatë të gjerë gjyqesh politike në të gjithë vendin dhe preokupimi kryesor ishte dënimi sa më i shpejtë i tyre dhe spastrimi i rrugës për diktaturën që po instalohej.

Por ndryshe nga Tirana, ku gjyqi special orkestrohej direkt nga kupola e regjimit dhe kryetar i gjyqit ishte vetë Koçi Xoxe, në rrethe, gjyqet nuk shkonin gjithmonë sipas planeve të regjimit dhe jo rrallëherë mes të gjykuarve të parë për faje politike, kishte nga ata që shpëtonin në sallën e gjyqit dhe dilin të pafajshëm. Me dhjetëra dokumente arkivore dëshmojnë revoltën e shefave të regjimit me pakënaqësi ndaj disa gjyqtarëve në rrethe, të cilët vazhdimisht i ndërronin dhe iu bënin presion për procese gjyqësore të caktuara.

Telegramet e mëposhtme bëjnë fjalë pikërisht për një gjyq në Korçë, i cili duket se nuk po shkonte sipas planeve të regjimit dhe ishte kërkuar ndërhyrja e Koçi Xoxes.

Ngjarja zbulohet në këtë telegram sekret që Gaqo Nasto ia dergonte me urgjencë Koçi Xoxes me datë 2 maj 1945:

"Korçë 2.V.45

Tepër urgjent

Koçi Xoxe

Gjyqi u çel sot, por nuk shkoi aq mirë se nuk qe në naltësimin e duhur, megjithëse u pyet Xhevat Starova me nji shumicë dokumentash prapë se prapë nuk u ekspozua mirë në popull. Të tjerët qi kanë më pak dokumente por qi janë më të rezikut  dhe më të zotët do të venë në pozitë të keqe gjyqin.

Populli interesohet shumë për zhvillimin e këtij gjyqi. Ajdar Araniti nuk është e mundur dhe nuk ka zotësi që të drejtojë gjyqin mirë dhe nuk di ku të cillsojë, dhe gjyqtarët e tjerë nuk janë në gjendje ta ndihmojnë, asht vetmë prokurori që e mbajti pak të gjallë, jemi të mendimit që të zëvendësohet Hajdari me Neki Kolanecin i cili njeh mirë ngjarjet e të pandehurve. Kjo nuk do të komentohet mirë dhe do ta rrëzojë Hajdarin në opinion por duhet të gjendet një shkak zëvendësimi të tij, është i domosdoshëm të jetë nji element i zoti. I këtij mendimi është edhe Gaqo Floqi.

Presim përgjigje me urgjencë, nesër nuk po e bëjmë gjyqin, në rast se do ini në një mendje me ne t’i njoftohet divizjonit. Gaqo Nasto."

blank

Në të njëjtën ditë Koçi Xoxe kthen përgjigjen urgjente për Korçën:

Gaqo Nastos. I kemi shkruar edhe Gaqo Floqit, që gjyqi të shkojë mirë, duhet të punohet gjatë natës me kryetarin e  gjyqit dhe gjyqtarët, prandja thirreni dhe Tekiun ose shokë të tjerë që dinë mirë ngjarjet dhe në bazë të dokumenteve që kini përgatisni pyetjet. Me një fjalë nuk mundet të behet ndërimi i gjyqit, gjyqi të vazhdojë kështu si është dhe ju të punoni që të dalë mirë. Mos mendoni ta krahasoni me gjyqin e madh dhe shpejtoni e gjykoni 3-4 ditën, e jo vetmë një. Koçi Xoxe.”

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here