Sistemi i grumbullimit të detyruar/Fëmijë nën peshë dhe varfëri ekstreme

0
845
blank

Kur në një fshat të Devollit u mbyt një fshatar nga varfëria, në kontrollin që iu bë në shtëpi “…nuk iu gjet as bereqet, as ushqim dhe as kokërr kripë”

Në tremujorin e parë të vitit 1949, filloi këmbimi i produkteve industriale me produktet bujqësore dhe furnizimi i punonjësve të qytetit me artikujt më të domosdoshëm.

Fshatarët që nuk kishin çfarë të shkëmbenin, duhej të përpiqeshin të siguronin prodhime të tjera si lëkurë gjahu, valanidhe, lënde etj., dhe, në pamundësi, të shkonin punëtorë në fabrika ku të merrnin triska për familjet e tyre në fshat.

Sistemi stalinist i grumbullimit të detyruar të drithërave dhe shkëmbimit reciprok, u mbështet nga një legjislacion me dispozita civile dhe penale të ashpra. Për një periudhë të shkurtër kohe u dënuan qindra fshatarë për pamundësi të shlyerjes së detyrimeve në drithëra.

Nga frika e burgut, fshatarët dorëzonin të gjithë drithin. Në fshatra e krahina kishte pllakosur zia e bukës. Kur në një fshat të Devollit u mbyt një fshatar nga varfëria, në kontrollin që iu bë në shtëpi “…nuk iu gjet as bereqet, as ushqim dhe as kokërr kripë”.

Po të krahasohen vitet 1947-1948, ku grumbullimi i tepricave bëhej sipas modelit jugosllav, me 1949-1950, kur u vendos sistemi i ri i furnizim-grumbullimit i praktikës së Bashkimit Sovjetik, në dyvjeçarin e fundit, në faunën e vendit u shkaktua dëm i madh. Për t’u marrë lëkurën, u vranë 6000 kunadhe, 22.000 dhelpra, 75.000 lepuj dhe 10.500 kafshë të egra të tjera.

Sistemi i ri nuk e nxiste fshtarësinë të shtonte prodhimin, sepse, në fund të fundit tepricat do t’ia merrte shteti me çmim të ulët.  Sistemi i ri i grumbullimit shtoi varfërinë e fshatarësisë në nivele mjerimi. Fshatarët drejtoheshin në grupe pranë zyrave të pushtetit, duke kërkuar bukë, por Sigurimi i Shtetit mendonte se, kishte dorë armiku dhe i arrestonte ata që rezistonin.

Megjithëse i prodhonin vetë drithërat e bukës, fshatarët nuk ushqeheshin me bukë gruri. Për të bërë një diferencim të tillë, ishte Stalini që udhëzoi Enver Hoxhën, më 1951, që qytetit t’i jepte bukë gruri, ndërsa fshatit bukë misri. Enver Hoxha e zbatoi me përpikmëri udhëzimin e tij deri sa vdiq.

Sistemi i grumbullimit të detyruar dhe furnizimit do të reflektohej në jetën e fshatit. Në vitin 1947, fshatarit i mbetej 216 kg drithë buke për frymë, në vitin 1948 i mbeteshin 209 kg, në 1949 i mbetën 186 kg për frymë dhe në 1950 i mbetën vetëm 136 kg për frymë. Kjo sasi nuk ishte e mjaftueshme pasi me këtë sasi jo vetëm do të ushqehej, por edhe do të siguronte veshëmbathje dhe të plotësonte nevojat e tjera.  Duhet theksuar se, sipas studimit të Komisionit të Planit të Shtetit të vitit 1946, një fshatari i nevojitej 250 kg drithë në vit, madje duke e kursyer.

blank

Të plotfuqishmit e grumbullimit ushtronin presion mbi fshatarët dhe shpesh i shoqëronin me policë për të firmosur fletë-detyrimet. Për mbledhjen e detyrimeve përdorej presioni: “do t’u lidhim me policë, jeni sabotatorë, nuk e doni pushtetin”, - ishin shprehjet e zakonshme të plotfuqishmeve të grumbullimit. “Pakënaqësitë në përgjithësi kanë arritur kulmin”, - shkruhej në një raport të strukuturave të regjimit me terren, - “nuk dëgjohet gjë tjetër në masë veç çeshtja e bereqetit duke shfaqur secili ankimet e veta”.

Sistemi stalinist i grumbullimit e goditi ashpër fshatarësinë. Në një mbledhje të Byrosë Politike, numri dy i regjimit, Mehmet Shehu, deklaroi: “Me sistemin e ri nuk i kemi lënë teprica fshatarësisë ose i kemi lënë fare pak. Në vitin 1948 ne i kemi hequr fshatarësisë të gjitha tepricat, kurse tani ne i kemi marrë edhe farën edhe bukën në disa raste ja kemi prekur dhe ky është sot një problem prokupant për ne”.

Në 1951, mbi dyzetë mijë fëmijë kishin nevojë për ushqim, madje mjekët kishin frikë të jepnin rekomandime për ushqim nga ndjekjet dhe ndëshkimet e pushtetit.  Më 1953, më shumë se 40% e fëmijëve ishin nën peshën normale. Nga mungesa e ushqimit, gjatë viteve 1953-54, 81439 fëmijë ishin nën peshë. Numri i të vdekurve ishte me mijëra.  Në një studim për Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Xhavit Gjata, jepte të dhëna të plota për gjendjen e ushqimit të popullsisë. Kështu, në përgjithësi fshatarët merrnin mesatarisht afro 2000 kalori në ditë, që sipas tij, ishin pak. Një njeriu që bënte një punë zyre i duheshin afërsisht 3000 kalori, kurse një fshatar që punonte tokën duhej të merrte rreth 4500 kalori. Sistemi i ri spekulativ për fshatarësinë kishte bërë që në fshatra, sipas raporteve të strukturave të regjimit, shtëpitë të “ishin të zhveshura, pa mbulesa, pa shtresa, pa qilima e pa velenxa”.  Kudo kishte njerëz të leckosur.

blank

Fragment nga fjala e studiuesit Xhaferr Sadiku, mbajtur ne konferencen shkencore nderkombetare “Ekonomia socialiste në Shqipëri (1945-1990): baza ideologjike, dështimi dhe pasojat”, e perfshire ne vëllimin e Akteve të Konferencës Shkencore, organizuar nga ISKK, 17-18 nëntor 2021, qe eshte ne proces botimi nga IISKK-Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmi. Publikuar në faqen e fb të ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.