Marku, viktima tjetër e komunizmit në familjen e Kolë Prelës

0
270
blank

Emri i profesor Kolë Prelës është i njohur si një nga deputetët opozitarë të parlamentit të parë të pasluftës që kundërshtoi komunistët dhe u dënua me pushkatim, por përndjekja e familjes Prela nuk mbaroi aty. Kjo është historia e Markut, vëllait të vogël të Kolës, i cili u dënua, pavarësisht përfshirjes fillestare në përhapjen e ideve komuniste dhe u shua në një barakë në Vaun e Dejës, pas 10 vitesh në burgje e kampe pune.

 

Marku ishte një nga qindra të dënuarit e burgut të Shkodrës, ngjeshur në dhomën 7 të katit të parë, ku e kishin prurë pasi Gjykata Speciale Ushtarake e kishte dënuar me 10 vjet burg si “tradhtar të idealeve të luftës nacionalçlirimtare”. Aty e njohu Sami Repishti, i cili në librin e tij “Pika loti”, i ka kushtuar tregimin “Dukagjinsi i pafat”, ku mbështetet ky shkrim.

Marku kishte lindur në Dukagjin, por më pas, bashkë me familjen, kishin zbritur në Shkodër, ku të atin e kishin vrarë për gjakmarrje dhe dy djemtë, Marku dhe Kola, ishin rritur me mundimet e së ëmës.

Kola, më studiozi ndër të dy, siç thoshte vetë Marku, mundi të vazhdojë studimet e larta në Itali, ndërsa Marku ishte në shkollë të mesme kur vendi u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Prej shokëve më të rritur, u prezantua me idetë komuniste, ku nisi të besonte me gjithë zemër. Duke parë në rendin e ri shoqëror, një të ardhme më të mirë që do i jepte fund varfërisë shekullore të vendit të tij, ai nisi të shkojë shtëpi më shtëpi për t’i bindur malësorët të mbështesnin luftën nacionalçlirimtare. “Kushdo që e ka pa Markun ato ditë, mal në mal, e kullë në kullë, ka tregue sesi djaloshi flitte pa pushim e spjegonte thaniet e nji bible të re, që ai shenjtnonte pa asnji dyshim…”, shkruan Sami Repishti. Por Ungjilli sipas Markut dukagjinas, nuk ishte ai i vërteti.

Marku u zgjua nga ëndrra ku besonte symbyllas, mëngjesin e një dite nëntori, kur në kryeqendrën e krahinës ishin thirrur mbledhje dhe ishin grumbulluar ushtarë. Edhe Marku u gjend pranë ndërtesës së Këshillit, por nuk e lanë të hynte brenda. Pak më vonë, pa një varg të gjatë malësorësh të lidhur me litar, që goditeshin e shaheshin vazhdimisht nga ushtarët që i shoqëronin. Ishin ata burra që i kishin hapur dyert Markut e të cilëve Marku u kishte premtuar një të ardhme të ndritur nën regjimin e ri. Marku më në fund hyri në ndërtesë duke dashur të mësonte çfarë po ndodhte. -“I njeh këta tradhtarë?” e kishte pyetur komisari i Brigadës së Mbrojtjes së Popullit. Marku kishte këmbëngulur që ata nuk ishin tradhtarë, që ata ishin shokët e tij. Mirëpo askush nuk ia vuri veshin. Komisari i kishte treguar një listë me 25 emra malësorësh që do të ekzekutoheshin. Ata malësorë që Marku kishte parë t’i kalonin para syve e që i njihte shumë mirë. Pak kohë më vonë, një zhurmë automatiku ishte dëgjuar nga jashtë.  Dukagjinasit ishin shtirë të pajetë në atë bregore.

Markut iu trondit toka nën këmbë dhe i ra qielli mbi krye. U kthye në shtëpi i heshtur dhe i tronditur. Pak ditë më pas, vëllai i tij, Kolë Prela, deputet i Dukagjinit, ishte nisur për në Tiranë. Atje, ishte pritur ftohtë e me përbuzje. Kola i ishte bashkuar luftës si një nacionalist dhe idealist dhe kishte mbetur i tillë, por në korridoret e pushtetit, ishte thuajse i vetëm. Ai ishte një nga ata deputetë të paralementit të parë të pasluftës që e kundërshtuan regjimin e ri dhe për këtë arsye, u arrestuan. Kola u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua në prill të vitit 1948. Nëna dhe vëllai i tij nuk e mësuan kurrë ku ndodhej trupi. Tashmë Markut bashkë me tokën dhe qiellin, iu shemb dhe shpirti.

Jo vetëm që humbi gjithë besimin te komunizmi, por kishte gjithë arsyet për ta urryer. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e regjimit, e pushuan nga puna dhe i vunë pas spiunë, derisa një të diel, teksa po shoqëronte të ëmën që kishte dalë nga mesha, e arrestuan. Pasi mori dënimin, në një gjyq me dyer të mbyllura, iu bashkua qindra të dënuarve politikë në burgun e Shkodrës. “Fytyrën e zbehtë, trupin e hajthëm, por zemrën flori e gojën mjaltë” e përshkruan Sami Repishti dukagjinasin e ri, që nuk ngopej kurrë me ushqim, por kurrë nuk ankohej e nuk e thoshte një fjalë të keqe, ndaj fitoi zemrat e të gjithëve. I tiji ishte ai që të dënuarit e quajnë si burgu më i vështirë, pa asnjë ndihmë  nga jashtë. Aq i vështirë, sa gati nuk mund të përballohej, por Marku mbijetoi. Ai doli nga burgu dhe arriti të bashkohej me të ëmën. Më pas gjeti punë në Vaun e Dejës si magazinier lëndësh ndërtimi, ku flinte në një barakë ditët e javës, ndërsa në fundjavë vinte te e ëma. Vazhdoi kështu për ca kohë, por një ditë e gjetën të pajetë në shtratin e tij. Thanë se i kishte pushuar zemra. Një zemër e tronditur në një trup të lodhur e të dobësuar për 10 vjet në qeli të ftohta e të ndyta e në punë të rënda.

Punonjësit e Sigurimit e ndoqën funeralin e tij për të parë çfarë do ndodhte. Nuk u druajtën as para nënës së dy djemve, që ky regjim i kishte vrarë, njërin me plumba e tjetrin pak nga pak.

Në foton kryesore: Kolë Prela

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here