Seit Petrela: Ne, katër jetimët që përuruam kampin e Tepelenës

0
158

“Është fakt se kampi i Tepelenës u inaugurua me vdekjen tragjike të prindërve të mi dhe unë foshnjë, tok me vëllezërit jetimë, brenda në të!” thotë Seit Petrela, gjatë rrëfimit për “Kampi i Tepelenës-Dëshmitë e të mbijetuarve”. Ishte vetëm 2 vjeç kur e internuan dhe kur humbi prindërit, duke e përfunduar udhëtimin nga kalaja e Beratit, në kampin e Tepelenës, vetëm me të tre vëllezërit, ku më i madhi ishte 11 vjeç. Historia e një mbijetese në kushte gati të pashpresa

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, së bashku me disa bashki dhe institucione po organizon eventin “Dinjiteti përballë totalitarizmit”, me rastin e dy datave të rëndësishme në kujtim të viktimave të totalitarizmit, 23 gushtit-Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, gjatë të cilit do të zhvillohen aktivitete në Tepelenë, Belsh dhe Lushnje. Historinë e katër vëllezërve që kanë shkelur të parët, kampin e Tepelenës dhe janë rritur në kampet e Lushnjës, e tregon për botimin “Kampi i Tepelenës-Dëshmitë e të mbijetuarve” të AIDSSH, më i vogli i tyre, Seit Petrela.

Rrëfimi

Më quajnë Seit Fadil Petrela, i datëlindjes 25 shtator 1947. I kam kaluar 70 vjet. Babai, Fadil Petrela, ishte biri i Selman Agë Petrelës. Nëna ime quhej Xhuma Petrela Kupi, e bija e Abaz Kupit. Menjëherë pas çlirimit, me një dëshmi nga Ministria e Drejtësisë, të cilën ne e disponojmë, vërtetohet që më datë 4 dhjetor të vitit 1944, pra, 5 ditë pas dates së “çlirimit”, 29 nëntor 1944, babai im u arrestua, kurse gjyqi u zhvillua në gusht-shtator të 1946: E dënuan me 2 vjet burg. Babai doli nga burgu në vitin 1946. Në këtë periudhë gëzimi pas kthimit nga burgu, ishte fati im të vija në jetë në shtator 1947. Por as gëzimi i lirimit nga burgu, as gëzimi i ardhjes në jetë të një fëmije tjetër nuk zgjatën shumë, sepse në janar të vitit 1949, për arsye të kësaj biografie të familjes, të kësaj prejardhjeje familjare, na internuan në kalanë e Beratit. Aty kishte edhe shumë familje të tjera të internuara. Qeveria e asaj kohe nuk u mjaftua me burgun për babain, por dënoi edhe gjithë familjen me internim. Unë isha pak më shumë se 1 vjeç, pra, nuk jam dëshmitar okular i ngjarjes, por janë shumë ngjarje të faktuara me dokumente dhe fakte të tjera tragjike të pakundërshtueshme si vdekja, që nuk kanë nevojë të provohen nga dëshmitarë okularë.

Kemi ndenjur në Berat deri më datë 13 maj 1949. Më datën 13 maj të 1949-ës, vonë në mesnatë pothuaj, erdhi një autokolonë me shumë mjete, kamionë dhe sipas një vendimi të gjithë të internuarit në Berat, Kuçovë, etj., do të përqendroheshin në kampin famëkeq të Tepelenës.

Në Tepelenë

Rrugës nga Berati për në Tepelenë, duke ndjekur rrugën malore nga Urë e Goricës që vazhdon në Këlcyrë, njëra nga makinat që ishte në autokolonë, në të gdhirë të datës 14 maj të 1949 gremiset në humnerë. Nga ky aksident automobilistik, prindërit e mi humbën jetën. Në ato rrethana, duke qenë se ishte natë, ishte udhëtim për në kamp, me shumë vështirësi, siç dëshmojnë pjesëtarët dëshmitarë okularë të kësaj ngjarje të dhimbshme, me mjete rrethanore siç vërtetohet edhe në një vendim gjyq të zhvilluar në vitin 1994, për të dëshmuar për këtë fakt që ka ndodhur, varrimi ose groposja e prindërve të mi është bërë me mjete rrethanore. Dikush ka thënë një shprehje “kemi hapur varret me kapakë tenxheresh”, duke mos pasur veglat e nevojshme për atë punë. Pasi është kryer ky rit, autokolona ka vazhduar rrugën dhe kemi përfunduar në Tepelenë. Në makinë me ne ka qenë edhe gjyshja ime dhe halla, motra e babait, e cila, ishte vajzë në moshë, por ende e pamartuar, prandaj quhej se bënte pjesë në familjen prindërore tok me vëllain. Kështu edhe ajo u dënua së bashku me gjithë familjen. Nga aksidenti gjyshja pësoi goditje në shtyllën kurrizore dhe e nisën për në spitalin e Gjirokastrës, e më pas mbeti uloke. Halla ime pësoi tronditje të fortë nervore nga tragjedia që goditi familjen dhe vuajti tërë jetën nga shqetësime të tilla. Deri në fund tëjetës, 6-7 vite më parë, ajo kishte tmerr të hipte në makinë. Nga familja ime në Tepelenë mbërritëm vetëm ne, 4 fëmijë dhe halla. Prindërit i varrosën rrugës, kurse ne si fëmijë, duke u rritur e duke kuptuar, na ka munduar mendimi se ku ishin varret e prindërve. Vëllai i madh, Bujari, që për mua u bë edhe babë, edhe nënë, pra, gjithçka, me iniciativën e tij, duke qenë që diçka mbante mend, e ka fiksuar pamjen e vendit. Mbi ato varre kishte vetëm një gur si shenjë. Ne e kishim dëshirën e pashuar për të  gjetur vendin ku preheshin prindërit tanë fatkeqë, që edhe neve na lanë në mes të internimit, por ishim shumë të vegjël dhe pa asnjë përkrahje.

Rreth vitit 1971 apo 1972, për të mirën tonë, një banor i asaj zone, të cilit i jemi mirënjohës për gjithë jetën, na njoftoi se po hapeshin tokat e reja në zonën ku kishte ndodhur aksidenti dhe ku ishin varrosur prindërit tanë dhe nga kjo gjë do zhdukeshin shenjat e varreve. Atëherë, vëllai me një mikun e tij, që nuk gjejmë fjalë ta falënderojmë përjetësisht, shkuan natën, gjetën varrin, i nxorën nga varri eshtrat e prindërve dhe i sollën në shtëpi. Për një kohë të gjatë i kemi mbajtur në shtëpi eshtrat e prindërve, se kuptohet, në atë kohë ishte e pamundur edhe mundësia e varrimit ligjor, ngase ata vazhdonin të ishin të dënuar (!). Me mundësinë e një mikut tonë që punonte në atë kohë në varreza, i varrosëm për të pasur një shenjë përgjithmonë, pa vendosur emrin te kryet siç është zakon, pra, pa ditur njeri se çfarë ishte ai varr. Më vonë, me kalimin e kohës, përmirësuam pak varrin, deri sa erdhi koha që u bë e ligjshme që ata të kishin një varr me emrat e tyre sipër. Sot, prindërit e mi prehen pranë njëri-tjetrit, me kujdesin tonë për ato varre. Vëllai i madh që është për mua gjithçka, quhet Bujar, i datëlindjes 1938, dhe në fund të këtij viti ai feston 80-vjetorin; vëllai i dytë, Ylber, i datëlindjes 1942, para tri ditësh ka festuar 76-vjetorin; vëllai i tretë Halil, është 74 vjeç, unë i kam kaluar të 70, po afrohem të 71. E vërteta është se kam qenë në kampin e Tepelenës në një moshë që nuk kuptoja asgjë. Edhe vëllai im më i madh, Bujari, ishte tejet i vogël. Kur kam dashur të mësoj ndonjë gjë më shumë si më i vogli dhe më fatkeqi në këtë fatkeqësi, nuk kam mundur t’ia nxjerr dot nga goja. Ai ka qenë në një moshë që e ka kuptuar vdekjen e prindërve, aksidentin e gjyshes, ka kuptuar që ne papritur mbetëm fare vetëm 4 fëmijë jetimë, mes një kampi me të internuar, 4 fëmijë nga të cilët njëri pothuaj foshnje mes një turme të internuarish! Çfarë duhet të them më? Kishim ndonjë faj? Vëllai ka pësuar tronditje të thellë, prandaj ai nuk flet, nuk i bën zemra. Ishte ai që kujdesej për ne. Pastaj, ne kemi ndenjur në kampin e Tepelenës vetëm dy javë e pak, sepse edhe vetë drejtuesit e kampit e panë të pamundur të kujdeseshin për 4 jetimë.

Gjyshja jonë, pra, nëna nga babai ishte në spital e paralizuar, motra e babait pësoi krizë nervore. Mendoj që, për aq kohë, të gjithë ata njerëz që na njihnin, janë kujdesur për ne me aq sa kishin mundësi. Ne na mori në kujdestari xhaxhai i babait, Gani Petrela, atij iu dha e drejta nga organet e pushtetit, jo se ai e bëri, vullnetin e kishte, por nuk kishte shumë mundësi. Erdhëm në Tiranë tek xhaxhai i babait, por edhe ai pati pjesën e vet të fatkeqësisë. Edhe xhaxhai i babait, Gani Petrela, nga viti 1951 u dënua me burg; u dënua për moskallëzim të vëllait të tij, domethënë të gjyshit tim, i cili vazhdonte të ishte i dënuar që nga viti 1945, por faktikisht ai kishte 6 vjet që fshihej i strehuar në një shpellë tek një miku i tij nga Zall-Herri. Kur u mor vesh që gjyshi im ishte gjallë, atëherë dënuan edhe vëllain e tij, pra, xhaxhain e babait, për moskallëzim të vëllait të vet te organet e pushtetit. Vëllain e gjyshit e dënuan 12 vite; ai kreu 10 vite. E nxorën në vitin 1962. Mesa duket kishte qenë shumë i sëmurë në burg, sepse jetoi vetëm 1 muaj pas lirimit dhe vdiq. Kështu kaloi jeta jonë nën kujdestarinë e njerëzve të afërm, hallat, dy motrat e babait, te njerëzit e mi në Lushnje, se në atë kohë ishin të internuar në kampet e Lushnjës, Gradisht, Grabian, Savër, Plug. Atje kaluam një pjesë të jetës. Nga familja e babait tim, në burg ka qenë babai dhe xhaxhai i babait, që e përmenda më lart Gani Petrela. Nga familja e nënës, në burg ka qenë daja im, Fatbardh Kupi, i biri i Abaz Kupit, si edhe njëra nga tezet, Hyjrie Kupi Dosti, pikërisht sepse ishte e shoqja e Viktor Dostit. Dy dajat e tjerë u larguan nga Shqipëria bashkë me të atin, Abazin, në 1944. Në Shqipëri mbeti vetëm njëri dajë, Fatbardh Kupi, i cili gjithë jetën e tij e kaloi në burgje e internime. Teze Hyjria ka qenë në burgun e Tiranës tek Fabrika e Tullave. Daja ka lëvizur burgjeve gjithandej: në Maliq, në Qafë-Bari, në Tiranë, në Ballsh, nga viti 1944 – 1990, pra, plot 46 vjet. Praktikisht kaloi gjithë jetën në burg-internim, hyri djalë fare i ri, doli plak pa fuqi.

Është fakt se kampi i Tepelenës u inaugurua me vdekjen tragjike të prindërve të mi dhe unë foshnjë tok me vëllezërit jetimë brenda në të! Besoj, me kaq, i kam thënë të gjitha. Me këtë intervistë që dhashë nuk bëj rolin e viktimës, as të detyroj ndokënd që, si të thuash, të mbushë sytë me lot me jetën time. Do kisha përballuar shumë më tepër se kaq vuajtje, vetëm të kisha ndjerë një dorë nëne apo babai mbi kokë. Pra, peng i jetës sime, janë prindërit e mi. Arsyeja është Fakulteti Suprem, është diploma supreme që Zoti i ka dhënë njeriut dhe ia ka dhënë njeriut arsyen që me të, të mposhtë ngulçet e zemrës, dhe t’i nënshtrohet asaj që është më e drejta dhe më e mira. Nuk mund t’i imponosh dikujt të të thotë “më fal”. Më duaj me zor, në këtë botë, nuk ka! Në mendësinë time fjala intelektual nuk cilëson një njeri që merr një diplomë, siç thuhet rëndom duke e turpëruar vetë intelektin. Të qenët intelektual lidhet pazgjidhshmërisht me cilësitë i njerëzishëm, pra, zemërmadh, i drejtë, i ndershëm. Uroj që kjo mendësia ime të mirëkuptohet, sepse kështu mund të njihet ç’qenë këto fatkeqësitë tona, që ato të mos përsëriten kurrë më. Të ecësh përpara, është gjëja më e mirë, por të ecësh pa e kujtuar të shkuarën, gjithmonë do kesh ndonjë mangësi. Nëse ju më pyesni, a ka të ardhme vendi im, është kjo bindje që më ka mbajtur në Shqipëri pas vitit 1990, megjithëse i kisha të gjitha mundësitë për të emigruar. Kam pasur dëshirë të rri në këtë vend dhe me punën time të ndiej se po e vendos një tullë, që ai që do të vijë pas meje, të mos heqë tullën time, por të vejë edhe ai një tjetër mbi të. Kështu tullë-tullë mund të ngrihet ky vend.

*Rrëfimi i Seit Petrelës, dhënë gazetares Mira Tuçi, për botimin e AIDSSH-së “Kampi i Tepelenës. Dëshmitë e të mbijetuarve”

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here