“Revolta e Spaçit”, një dokumentar për tri ditët e lirisë së të dënuarve politikë

0
91

Realizuar me dëshmitë e protagonistëve dhe dëshmitarëve të revoltës së vitit 1973

 

“Rroftë Shqipëria e lirë” “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, ishin thirrjet që oshëtinë grykave të maleve të Mirditës kur të burgosurit me akuza politike të Spaçit u ngritën në revoltë kundër diktaturës.

50 vjet më parë, më 21 maj 1973, djem e burra trima u përballën me versionin më të egër të diktaturës kur guxuan të kundërshtojnë dhunën, torturat, urinë, skllavërinë prej punës së detyruar në galeritë e ftohta të minierës së piritit e bakrit.

 

Një dokumentar kushtuar kësaj revolte prodhuar nga Kujto.al me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, me skenar nga Luljeta Progni dhe regjisor Pandeli Çeço, u shfaq premierë në Kinema Millienium më 20 shtator.

Dokumentari sjell ngjarjet minutë pas minute për tri ditët e revolës, rrëfyer prej protagonistëve kryesorë e dëshmitarëve të ngjarjeve që shënuan 3 ditët e rezistencës në kampin-burg të Spaçit.

Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, tha para të pranishmëve se përballja me të kaluarën është thelbësore për shoqërinë shqiptare.

“Që një demokraci të jetë e plotë, duhet pranuar persekutimi i shkaktuar nga regjimi i mëparshëm. Kjo fillon me tregimin e historive të njerëzve që vuajtën më shumë”- u shpreh ajo.

“Ky dokumentar tregon historinë e atyre që guxuan të ëndërronin një Shqipëri të lirë. Të burgosur padrejtësisht, pas vitesh pune të detyruar, torturë dhe represion, ata u ngritën kundër regjimit më brutal të Evropës. Revolta e të burgosurve politikë kundër shtypësve të tyre ishte e padëgjuar në Shqipërinë komuniste. Ishte jetëshkurtër: Revolta e Spaçit zgjati vetëm 3 ditë dhe u shtyp brutalisht në ditën e saj të tretë. Por mesazhi i saj ende na vjen me zë të lartë dhe të qartë: liria dhe demokracia nuk vijnë lehtë. Ato kërkojnë vetëdije, veprim dhe po, sakrificë”- tha Huber.

Autorja e dokumentarit, gazetarja Luljeta Progni, tha se shoqëria shqiptare duhet të respektojë dëshmitarët e mbijetesës në regjimin komunist.

“Beteja jonë për ta përcjellë tek ju traumën e tyre është e vështirë sepse sa herë ne u drejtojmë mikrofonin që t'na tregojnë historinë e tyre, aq herë u rikthehet trauma e së shkuarës”- tha ajo.

Sipas Prognit, ka një indiferencë të shoqërisë dhe të politikës për këto vuajtje ose ato i quajnë të ekzagjeruara.

“Historitë e tyre nuk janë të ekzagjeruara, janë të vërteta. Unë kam parë plagët e shpirtit dhe të trupit të tyre, plagë të gjalla. Unë kam qarë me ta, por dhe jam krenuar me ta, kur kam njohur forcën e madhe që i ka bërë të mbijetojnë në kushte të tilla që sot t’u tregojnë brezave të rinj se sa i egër dhe i padrejtë ishte regjimi diktatorial komunist.”

Në emër të presidentit Bajram Begaj, aktivitetin e përshëndeti dhe këshilltari i tij Arjan Kadare, i cili tha se duhet te mbështeten nismat për ruajtjen e memories.

Në dokumentar vijnë dëshmitë e protagonistëve të revoltës dhe dëshmitarëve të saj nga ish-të burgosur politik në burgun e Spaçit si; Pavllo Popi, Gëzim Çela, Visar Zhiti, Xhavit Lohja, Zenel Drangu, Ylber Merdani, Tomi Kondakçi, Gjetë Kadeli.

Revolta u shtyp me dhunë dhe për organizimin e saj u pushkatuan Skënder Daja (23 vjeç), Dervish Bejko (27 vjeç), Hajri Pashaj (29 vjeç) dhe Pal Zefi (33 vjeç) Eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.

“Ata ishin martirë, ata dhanë jetën, ne mbetëm gjallë për të treguar trimërinë e tyre”- thotë bashkëvuajtësi i tyre, Ylber Merdani.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here