Ndue Progni, 7-vjeçari i zhdukur në Tepelenë

0
484
blank

Ndue Progni ishte 7 vjeç kur ndërroi jetë në prëhërin e nënës së tij Lulë Progni. Ishte një natë e ftohtë dimri e vitit 1951 në Kampin e Internimit në Tepelenë, i ngritur mbi ish-kazermat e ushtrisë italiane. Familja u dërgua me forcë nga Tropoja në Tepelenë, pasi babai Gjoni, pjesëmarrës i kryengritjeve të Veriut kundër komunizmit, u arratis jashtë vendit. Si familja Progni, hakmarrja e pushtetit të Hoxhës dërgoi qindra familje, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar në këto kazerma të rrethuara me tela me gjemba, ku sipas dëshmive dhe dokumenteve, pati vdekje masive për shkak të urisë, kushteve të këqija dhe sëmundjeve. Kushëriri i Ndues, Gjelosh Progni, i tha Kujto.al se shpresat e familjes për gjetjen e eshtrave të tij po veniten. Një portret i vetëm i Ndues së vogël u rikrijua nga një piktor duke u bazuar në tiparet e të atit, pasi familja nuk kishte as dhe një foto të tij që ta kujtonte. Familja nuk e kishte kërkuar deri para disa muajsh, kur Gjeloshi vendosi të bënte një kërkesë për gjetjen e tij pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur si Autoriteti i Dosjeve.

 

 Intervistoi: Najada Pendavinji

Z.Gjelosh ju jeni njohur me projektin e Kujto.al mbi ecurinë e procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Ju keni plotesuar anketën dhe keni ndarë me ne pervojën tuaj mbi gjetjen e eshtrave të 7-vjeçarit Ndue Gjon Prognit. Duke u nisur nga kjo do doja të më tregoni pak historinë e përndjekjes së familjes Progni e cila çoi më pas në vdekjen e djalit 7 vjeçar Ndue?

blank
Gjon Bale Progni

Ndue ishte djali i vetëm i Gjon Prognit i cili ishte një akademik, mbaruar shkollën ushtarake në Romë në vitin 1932, funksionar i lartë i mbretërisë së Zogut, duke kryer detyrat e larta funksionare të xhandarmërisë së saj, në detyrat e ndryshme në Lushnjë, në Tiranë, në Burrel, në Krumë, në Tropojë dhe e mbylli karrierën e tij si funksionar dhe duke qenë komandat i xhandarmërisë në zonën Nikaj-Mertur. Gjoni duke qenë kundërshtar politik i diktaturës komuniste e cila po instalohej në vitin 1944, automatikisht u bë armik i sistemit sepse Enver Hoxha nuk pranoi të kishte kundërshtar ,dhe çdo kundërshtar kërkonte ta eliminonte, ta asgjesonte në një formë ose një tjetër dhe një ndër ta ishte dhe Gjoni. Ai u arrestua nga forcat partizane, u burgos per 2 vite, do denohej me pushkatim, por fatmirësisht shpëtoi dhe u kthye në vendlindje, mori djalin e vëllait te tij Marashin edhe u arratisën duke iu bashkuar organizatës antikomuniste me në krye Nik Sokolin. Bëri rezistencë dhe përpjekje të madhe që të mos instalohej komunizmi në Shqipëri. Nuk ia dolën, dështuan dhe në këtë moment u larguan menjëherë nga Shqipëria dhe u vendosën në Bruksel duke zhvilluar jetën politike bashkë me emigrantët e tjerë në diasporë, gjithnjë per t’u rikthyer me kokën mbrapa drejt Shqipërisë, drejt vendlindjes, drejt vendit të tyre për të shfarosur njëherë e mirë komunizmin në  Shqipëri. Dhe derisa vdiqën përpjekjet e tyre nuk pushuan asnjëherë.

Në momentin që Gjoni u largua së bashku me djalin e vëllait te tij, kë la në Shqipëri?

Gjoni la në Shqiperi djalin dhe gruan. E gjithe familja Progni do vuante pasojat e arratisjes së tyre. Familja u internua dhe u konfiskua e gjithë pasuria e luajtshme e paluajtshme, siç ishte komisioni i asaj kohe duke konfiskuar të gjithë napolonat e floririt, parcela, shtëpi, gjithçka dhe përfundimisht u internua në kampin e Beratit, pastaj në kampin e shfarosjes së Tepelenës.

Cila ishte arsyeja e vdekjes së djalit të vogël Ndue?

Të flasësh për këtë ngjarje është shumë e dhimbshme dhe duhet t’i lutesh Zotit për të të dhënë forcë për ta treguar. Fëmijët u ngjajnë engjëjve, janë krejtësisht të pafajshëm. Ju e dini që në kampin e Tepelenës kanë vdekur afërsisht 800 veta, 30 fëmijë kanë vdekur brenda 24 orëve. Aty ishte vetëm një melodi, melodia e vajit. Ka qenë një kamp i tmerrshëm. Dhimbja më e madhe është se ata janë të gjithë pa varr. I lëvizën varret tre herë dhe lëvizjet kanë qenë të qëllimshme, në mënyrë që të humbnin gjurmët. Ashtu ndodhi dhe me Nduen e vogël. Eshtrat e tij mund t’i ketë marrë lumi dhe sot ai është pa varr. Ndue ka vdekur si të gjithë fëmijët në Tepelenë për shkak të mungesës së higjienës, mungesës së ushqimit etj.. Natën e fundit të tij ka qenë në prehërin e nenes së vet duke lënguar. Sapo policët e kampit e morën nga prehëri i saj Ndue dha shpirt dhe nuk e ndjeu më ngrohtësinë e duarve të nënës së vet. Policët e vendosën trupin e tij përballë me barakat te stiva me dru. Atë natë binte një shi i rrëmbyer dhe nena Lule e shikonte e pikëlluar trupin e birit të vet të lagur dhe të vetmuar. Në mëngjes ata e kishin marrë Nduen e vogël dhe trupin e tij e kishin çuar pranë lumit.

Shpresat për të gjetur trupin e tij janë venitur tepër dhe besoj se nuk  ka asnjë shans për ti gjetur më.

Zoti Gjelosh, cila ka qenë kërkesa juaj drejtuar autoriteteve përgjegjëse për gjetjen e eshtrave te Ndue Prognit dhe a keni marrë pergjigje nga autoritetet përgjegjëse?

Kërkesa është bërë pranë Autoritetit të Dosjeve për gjetjen e eshtrave në kampin e Tepelenës. Përgjigje përfundimtare nuk kam marrë, por kemi kontakte të vazhdueshme, të cilët na informojnë se jemi në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme edhe organe te tjera shtetërore, por deri tani nuk ka rezultat.

Cili mendoni se është problemi i vërtetë për mosgjetjen e eshtrave dhe pse e keni humbur shpresën në gjetjen e tyre?

Duke qënë se vdekja e tij ishte e jashtëzakonshme, shumë e papritur. Sipas gojëdhënave, thuhet se varrezat i ka marrë lumi sepse në atë kohë janë varrosur buzë tij, por e vërteta nuk dihet, gjithsesi jemi pesimist për gjetjen e eshtrave të njeriut tonë të ndjerë Ndue Progni 7 vjeçar.

Së fundmi ju keni bërë nje ceremoni rivarrimi të eshtrave të Gjon Prognit, Marash Prognit dhe përkujtimin e djalit 7 vjeçar Ndues. Çfare rëndesie ka kjo lloj ceremonie për ju dhe për kujtesën historike dhe përkujtimorja që i bëtë Ndues tregon se shpresa për gjetjen e tij është shuar?

Ceremonia e rivarrimit dhe përkujtimorja është një nderim i munguar dhe një ringjallje e kujtesës. Për  mua ajo nuk ishte një ceremoni mortore, nuk ishte një ceremoni varrim, është një ceremoni fisnike për ngjalljen e kujtesës së këtij kombi dhe për t’i vënë këto figura që sakrifikuan gjithçka, në panteonin e nderit, aty ku i takon të jenë, kujtesës dhe figurës se tyre. Kthimi i tyre në dhe, në vendin e tyre të lindjes, është një simbolikë e fortë e cila përpiqet të mbajë gjallë kujtesën  e munguar këto 32 vite nga e ashtuquajtura demokraci. Ishte një emocion i veçantë ose i shumëfishtë për familjen tone sepse nga njëra anë kemi njëlloj amaneti, amanetin e të parëve tanë, të cilët 50 vite përpara që vdiqën Gjoni dhe Marashi, amanet i cili ka peshuar mbi shpatullat tona dhe të familjes sonë dhe u bë realitet. Dhe ky është një emocion i jashtëzakonshëm dhe njëfarë lumturie për të gjithë familjen tonë. Krahas saj edhe ndjesia e përkujtimit të djalit 7 vjeçar Ndue, një dhimbje e madhe për arsye sepse eshtrat e tij nuk janë gjetur pas shumë kerkimeve që kemi bërë si familje. Përkujtimorja e Ndues ishte një ngjarje që të shkaktonte shumë emocione dhe dhimbje të madhe.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.