Revolta e Qafë Barit/ Para syve të mi, një masakër e përgjakur

0
607

Bedri Blloshmi

Më 22 maj 1984, një ditë të bukur me diell, ndodhi ajo që pritej. Mondi dhe suita e tij i hodhën benzinë zjarrit. Por ç’dodhi? Ja çfarë pashë unë: Ishim turni i tretë në një brigadë pune me Tom Ndojën, Sokol Sokolin, Haxhi Baçinovskin, Sokol Progrin, Martin Lekën, Kostandin Gjordenin e shumë të dënuar të tjerë. Në Qafw Bari më caktuan përsëri minator si në minierën e Spaçit.

Gjatë kohës derisa të ndizeshin kompresorët, unë i fusja një sy gjumë, duke u shtrirë në një vend që nuk punohej (në një ort). Rubinetin e ajrit e lija hapur me qëllim që nga zhurma e ajrit të shkaktuar nga presioni të zgjohesha e të shkoja të filloja punën atje ku më kishin caktuar brigadieri i lirë bashkë me brigadierin e dënuar. Aty, pranë meje, të shtrirë në tokë flinin edhe disa të dënuar të tjerë të cilët i zgjova përpara se të ikja që të shkonin edhe ata të punonin.

Atë ditë bëra tri turne me bira për shembje. E njoftova brigadierin e dënuar se e mbarova punën që më ishte dhënë dhe po dilja jashtë të lahesha e të prisja shokët e tjerë. Me dijeninë e brigadierit ata që mbaronin punën në galeri dilnin jashtë, laheshin dhe prisnin të dilte e gjithë brigada. Më pas na rreshtonin në dy rreshta dhe na nisnin për në kamp pasi na kishin numëruar. Brigadieri i dënuar ishte i detyruar t’i raportonte policit për ata të dënuar që s’e kishin bërë normën. Një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën dhe polici i tha gjithë inat: “Ha mëngjes dhe dil prapë në punë”!

Kur u afruam tek kampi, erdhi oficeri i rojës, hapi derën e na numëroi. Polici i raportoi se një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën e se do dilte përsëri në punë. Pasi hëngra çorbën, shkova dhe u shtriva, ashtu i veshur siç isha.

Sapo kisha filluar të dremisja, dëgjova çangën që binte fort dhe pa pushim. “Të gjithë në mensë, të gjithë në mensë!” bërtiste tellalli ndërsa i binte çangës.

U ngrita me të shpejtë dhe u futa në mensë. Qëndrova në fund të sallës me mendimin se kishim punë politike e këtu mund të merrja një sy gjumë. U ula në një tavolinë bashkë me Sokol Sokolin përkrah të cilit ishte Tom Ndoja e plot të dënuar të tjerë.

Në oborrin para mensës kishte shumë polici, jo si zakonisht kur rri vetëm një, roja i brendshëm. Te dera u duk Mondi i cila thërriti: “Dëgjoni, kush të dëgjojë emrin, të dalë përjashta pa kundërshtuar. Mos i hapni telashe vetes”! Kur dëgjova këto fjalë, ngrita kokën.

– Si është puna? – pyeta Sokolin të cilin e kisha në krah.

– Lere Bedri, se e djallosëm, – m’u përgjigj ai. – Ti s’ishe, vajte në kapanon si shumë të tjerë dhe s’e pe skenën.

– Jo, – i thashë, ç’ka ndodhur?

– Erdhi policia për të nxjerrë në punë atë që s’kishte bërë normën. Ai kundërshtoi dhe policët e kapën, duke e qëlluar për ta çuar te porta. Ne që ishim aty nuk e duruam dot atë skenë dhe kur Nuja kërkoi ndihmë e tha se ‘ishte në besën tonë’ u turrëm dhe ia morëm nga duart policëve me forcë.

Ndërkohë te dera e mensës një polic vazhdonte të lexonte emrat e atyre që duhet të dilnin jashtë. Emri i atij që duhet të dilte në punë ishte i pari. Sapo doli te dera polici e goditi dhe mbërtheu nga krahët. Nuja nën breshërinë goditjeve të policëve thirri përsëri për ndihmë:

“Në besë tuaj, shokë, se më mbyti policia”.

Me të dëgjuar këto fjalë, Sokoli bashkë me disa të tjerë dolën vetëtimthi jashtë. Policia mbylli derën e mensës që të dënuar të tjerë të mos dilnin jashtë. Toma që ishte brenda u çua dhe u drejtua për te dera, e shqeu atë dhe të gjithë të dënuarit dolën jashtë.

Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë. Të dënuarit i vunë përpara policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit për të shpëtuar lëkurën.Kapelat e tyre mbetën në oborrin e mensës. Në krye të turmës së të dënuarve dallohej Toma me Sokolin. Në këtë kohë oficeri i rojës i tmerruar nga gjendja e krijuar dhe frika se mos të burgosurit dilnin jashtë rrethimit (thyenin kampin), hapi zjarr.

Të gjithë oficerët e ushtarët të cilët ishin në truprojë hapën zjarr. Mbi kamp, plumbat fërshëllenin papushim, duke krijuar një skenë të llahtarshme. Oficeri i rojës goditi Konstadin Gjordenin në supin e majtë, gjaku i të cilit rridhte pa pushim.

Për disa orë kampi ishte në duart e të burgosurve në një amulli të plotë. Ne ishim ulur në oborrin përpara mensës enëpër shkallë. Toma, Sokoli, unë, Haxhiu dhe Martini ishim ulur bashkë e bisedonim se ç’rrjedhë do të merrnin ngjarjet. Në këtë kohë syri vigjilent e policët që na njihnin mirë si fytyra dhe emra, dukeparë edhe ngjarjen, kishin hartuar një listë me emrat e të dënuarve të cilët ishin përleshur me policinë.

Martin Leka, një burrë i urtë dhe i logjikshëm, u përpoq disa herë për t’i qetësuar gjakrat me policinë, por çdo gjë ishte e kotë. Komandanti i kampit filloi të lexonte emrat, duke thënë se kush dëgjonte emrin duhej të dorëzohej e ta sqaronin këtë problem. “Hajdeni, mos e rëndoni veten më kot”, thërriste ai.

Lista filloi me Sokol Sokolin e vazhdoi me Tom Ndojën, Martin Lekën, Haxhi Baçinovskin, Bajram Vuthajn, Hysen Tabakun, Vllasi Koçin, Lazër Shkëmbin, Lush Bushgjokën dhe Ndue Pishën. Asnjëri prej tyre nuk lëvizi nga vendi. Në këtë kohë mbërritën një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit. Familjarët e disa punëtorëve, që banonin jashtë kampit, morën fëmijët e të moshuarit dhe të tronditur e të llahtarisur nga skena që panë, iu ngjitën kodrës me pisha.

Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit. Makinat, që merrnin mineralin, nuk u lejuan të futeshin brenda dhe u kthyen mbrapsht. Po ashtu edhe inxhinierët, teknikët, brigadierët dhe i gjithë personeli i lirë i minierës nuk u lejuan të futeshin brenda.

Pas më shumë se dy orësh u dëgjua zhurma e motorit të helikopterit që u soll vërdallë përmbi kamp, gati duke prekur majat e pishave. Bëri dy tri xhiro mbi kamp dhe nuk e morëm vesh se ku u ul. Pas pak mbërritën dy makina dhe civilët që zbritën prej saj u futën në komandë.

Të gjitha lëvizjet që bëheshin në komandë dukeshin shumë qartë, sepse ishim shumë afër. Ushtarët që na ruanin ditë e natë me automatikë në dorë u zëvendësuan me oficerë. Një civil, njëri prej atyre të cilët hynë në komandë doli e hipi në truprojën që ishte pranë godinës së oficerit të rojës. Ai foli me komandantin e kampit që vazhdonte të lexonte listën me emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin dhe ulëriti:

– Mjaft lexove! – U drejtua nga ne, ngriti dorën, pa orën dhe vazhdoi: – Dëgjoni këtu. Keni 5 minuta kohë. Po qetë burra, mos u dorëzoni. Ky person, siç u mor vesh më vonë, ishte këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme. Asgjë nuk pipëtinte. Të gjithë ishin të heshtur.Sokoli iu drejtua Tomës:

– Hajde dorëzohemi. Të mos i marrim më qafë të gjithë shokët. Çdo rezistencë është e kotë. Këta janë kriminelë, të vrasin. Shiko si e rrethuan kampin me civilë, ushtarë e gra.

– Po, – tha Toma dhe u ngritën. Hodhi bishtin e cigares në tokë, e shkeli me këmbë dhe u drejtua nga ne. Ata u përshëndetën me ne që nuk e kishim emrin në listë dhe u drejtuan për nga rrethimi i brendshëm.

I pari që futi duart në kuadratin e telave me gjemba ishte Sokoli. Polici përtej telave i prangosi. Pasi lidhën më shumë se dymbëdhjetë të dënuar, hapën derën dhe policët, civilët dhe ushtarët u futën brenda në kamp. I morën të arrestuarit, i futën në një dhomë aty pranë dhe pasi i dyndën mirë e mirë në dru i hodhën në një makinë të zbuluar. Asnjë prej tyre nuk ecte me këmbët e veta. Britmat e rënkimet e tyre u dëgjuan deri sa makina na u zhduk nga sytë në kthesën e xhadesë.

Brenda në kamp kishte më shumë civilë se policë të cilët filluan të rrihnin të dënuarit. Qëllonin sa iu hante krahu dhe kush t’iu dilte përpara. Më pas lexuan edhe disa emra të tjerë mes të cilëve ishte edhe emri im. Na futën në të njëjtën dhomë ku mbajtën ata që arrestuan para nesh.

Ç’të shihje?! Dyshemeja e dhomës ishte e tëra e mbuluar nga gjaku. Sa në një cep në tjetrin syri të zinte copa drush të lyera me gjak. Nëpër faqet emureve kishte gjithkund njolla gjaku. Pasi u futën në dhomë, policëte civilët filluan të na rrihnin. Qëllonin me shkelma e grushte se drunjtë ishin bërë të gjithë me gjak.

Na nxorën jashtë ne, futën brenda tëtjerë të dënuar që patën të njëjtin fat si tonin. Ndërkohë u dëgjua zëri i tellallit: “Turni i tretë të bëhet gati se do të dalë në punë”.

Puna vazhdoi si më parë. Vetëm se kur shkonim në galeri, çdo brigadë shoqërohej jo nga një, por nga disa policë me uniformë dhedisa civilë. Të rrahurat nuk pushonin. Dru në kamp, dru në galeri. Askush nuk guxonte të shikonte policin apo civilin në sy, kur na qëllonin me shkelma e grushte qoftë kur shkonim për në galeri, qoftë kur ktheheshim për në kamp.

Pas disa ditësh na mblodhën përsëri në mensë. Mondi i shoqëruar nga policë e civilë u fut në mensë me një tufë letrash në dorë. Hera e parë që ishte i çelur në fytyrë dhe buzëqeshte. Të gjithë sa ishim brenda rrinim me kokën ulur si të ngrirë e të frikësuar se nuk dinim pse na mblodhën.

– Dëgjoni vendimin e gjykatës, – tha ai. – Sokol Sokoli e Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim. Të tjerët me dënime të ndryshme. – Mondi ulëriti përsëri: – A ka ndonjë trim që do të matet me ne? Le të dalë jashtë.

Doli nga mensa dhe u fut në zyrën teknike. Në kamp tensioni sa vinte e shtohej. Civilët dhe policët e ardhur nuk po largoheshin. Shumë të dënuar që nuk realizonin normën, rrinin në galeri dy turne rresht apo dhe tre turne. Në fjetore s’na zinte gjumi nga frika dhe terrori. Polici, që vinte për kontroll në fjetore, po të të shihte zgjuar të kërcënonte se do të çonte në zyrën teknike. Atje të priste druri, e përplasura e kokës pas murit deri sa të lodhejpolici. Ne nuk flinim nga frika. Sapo dëgjonim zhurmë nëpër shkallët e fjetores apo sapo kërciste dera e dhomës, ne i mbyllnim sytë nga frika, mbulonim kokën me batanije e nuk pipëtinim se e dinim që ishte polici. Edhe kur polici merrte ndonjë të dënuar që ta çonte nëzyrë teknike për ta torturuar askush nga ne nuk lëvizte kokën për ta parë.

Ishte fillimi i korrikut. Në minierë u shemb një front pune në galerinë 70/1, veriore quhej. Mali kishte zënë nën vete dy të dënuar. Njëri ishte nga Vlora, ndërsa tjetri nga Kolonja, por përpara se të arrestohej kishte qenë i internuar në Lushnje.

Punuam tri ditë rresht me tre turne për të nxjerrë mineralin që binte vazhdimisht nga lart dhe më në fund e gjetëm kufomën e njërit. Të nesërmen tellalli thirri 12 emra që duhet të shkonin menjëherë në zyrën teknike. Vetëm emrin e dyve mbaj mend: Hamit Meli dhe Agim Hamiti. Ai ishte nga Dukati i Vlorës. Atë e mbaj mend që nga burgu i Spaçit ku edhe ishim njohur. Kishte qenë ushtar në Tale të Lezhës (brigadë pune) me vëllain tim, të ndjerin Vilson. Mësonin bashkë frëngjisht. Këtë radhë nuk na rrahën aq shumë.

Dolëm jashtë me këmbët tona, jo si herët e tjera që mbaheshim pas murit. Na urdhëruan të merrnim plaçkat që kishim në depo se do të na transferonin. Na hipën në një makinë “Zis” të zbuluar, na lidhën njëri me tjetrin dhe na fiksuan në dy tre vende te sponti i makinës. Mondi pasi na kontrolloi një për një kyçin e hekurave u dha urdhër policëve: “Hajde, nisuni”! Na shoqëronin dy makina, njëra pas dhe tjetra para makinës sonë. Makina përpara nesh ishte e mbushur me ushtarë të armatosur. Kishin edhe dy qen kufiri të mëdhenj, pa shporta në gojë.

Pas disa orësh udhëtim mes malit e pishave dolëm në kampin e Gurthit. Aty kaluam rrugën që të çonte në burgun e Spaçit. Përsëri në Spaç, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin krevat. Të nesërmen në mëngjes na thirrën në zyrën teknike për të na nxjerrë në punë. Na caktuan përsëri në zonën e dytë e cila ishte më e vështira nga të gjitha zonat e tjera.

– Ju të Qaf Barit, rrini mirë, – e theu heshtjen operativi. – Mos na sillni turbullira se i patë shokët tuaj ku vajtën. Miniera e Qafë Barit mori shumë jetë njerëzish. Siç edhe shpjegova më lart, dy të pushkatuarit në Kuç të Shkodrës dhe tetë të dënuarit e tjerë i vrau puna në galeri, dhuna e terrori i policisë që i detyronte të futeshin në hapësirat jashtë frontit të punës për të realizuar normën e kërkuar.

 

(Marrë nga libri “Revolta e Qafë Barit”, të autorit Bedri Blloshmi).

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.