Regjimi i Hoxhës vrau 7 burra të familjes së firmëtarit të Pavarësisë, Ymer Deliallisi

2
701
blank

Secila familje me të shkuar patriotike gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mori goditje të rëndë nga regjimi komunist dhe një prej tyre është ajo e Ymer Deliallisit. Një patriot i shquar që është ndër firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njeri me emër në zonën e Shijakut, Durrësit dhe Tiranës. Goditja ndaj pinjollëve të Ymer Deliallisit filloi që në periudhën e luftës. Në nëntorin e vitit 1944, ekzekutohet pa gjyq nga forcat partizane në fshatin Arbanë, Kapllan dhe Jakup Deliallisi (vllezërit e Ymerit). Po atë ditë, ekzekutuan edhe djalin e tij, Shefqet Deliallisi. Krime që mbuloheshin shpejt e nuk linin gjurmë, pasi ishte periudha e vështirë e kohës së luftës, por me çlirimin e vendit dhe ardhjen në pushtet të komunistëve të drejtuar nga Enver Hoxha, nisi vala tjetër e vrasjeve, dënimeve dhe persekutimeve.

Në vitin 1945, pak pas përfundimit të luftës dhe instalimit të pushtetit të egër, arrestuan djalin tjeter të tij, Beqir Deliallisin. Për shkak të torturave të rënda e mbytën në qelitë e errëta të hetuesisë së Durrësit, pa mundur që të dilte qoftë edhe në atë gjyq formal që mund t’i bëhej. Pas vrasjes së Beqirit, komunistët arrestuan Tefik Masar Deliallisin (nipin) me Grupin e Deputetëve. Një personazh që ra në sy për qëndrimin kundër pushtetit, ashtu edhe me formimin e tij dhe tentativën për të mbrojtur shtresat e qytetarëve të cilët po vuanin regjimin komunist.

Në mbledhjet e Byrosë Politikë që i ngjanin “grupeve ekzekutuese”, emri i Delilallisit u përfshi bashkë me deputetët e tjerë. I vetmi “diskutim” ishte forma e ekzekutimit, me varje apo pushkatim. Vendosën që të pushkatohej dhe më pas gjykata thjesht konfirmoi urdhrin politik që në këtë kohë, vinte nga Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Deliallisi u pushkatua në Lumin e Tiranës më 10 tetor të vitit 1948. Pak javë më vonë, ndërsa ende kjo familje e njohur patriotike, qante të vrarët nga regjimi, një tjetër burrë i familjes do mbyllte sytë nga armët e pushtetit komunist.

Në vitin 1948 u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit dhe djali i Kapllanit, Dalipi, i cili kishte dalë në mal pas vrasjes së të atit, ngaqë nuk e duronte dot shtypjen e komunistëve. Po në atë kohë në përpjekje me forcat e Sigurimit, u vra edhe vëllai tjetër i Ymerit, Mustafa Deliallisi. Genocidi i egër i komunistëve ndaj familjes nuk mbaroi me vrasjen e këtyre shtatë burrave, pasi në atë kohë nga presioni i madh i organeve të Sigurimit të Shtetit, u vetëvra në burg dhe djali i Shaqir Deliallisit, Bujari i cili në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç. Terrori vazhdoi. Në kohë të ndryshme, u arrestuan dhe përfunduan në burgje me dënime të rënda edhe anëtarë të tjerë të fisit Deliallisi, Abaz Mersin Deliallisi, Selami Shaqir Deliallisi dhe Skënder Gani Deliallisi.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

  1. Bujar Deliallisi u vetevra ne shtepine e tij, ne prezence te vellait te vogel Masarit, pas torturave te sigurimit te shtetit dhe presioneve te shumta per t'u bere bashkepunetor i Sigurimit. Vetem 16 vjec ne ate kohe, ai mbante shtepine me buke, pasi ishte me i madhi i femijeve ne shtepi, ku babai Shaqiri dhe vellai i madh Selamiu, dergjeshin burgjeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here