Një kartolinë e vogël, dalë nga burgu në dhjetor ’46, që zbërthen një histori të madhe qëndrese

0
405
blank

Nga Eugjen Merlika

12 korrik 1942, 76 vjet më parë….. Në bashkinë e Barit kryhej ceremonia e martesës së një çifti të ri. Dhëndërri ishte 27 vjeçar e quhej Petrit Merlika, inxhinjer elektrik, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë. Nusja quhej Elena Gjika, 22 vjeçare, që prej një viti profesoreshë e letërsisë, gjuhëve klasike e filozofisë në liceun klasik të Barit. Dhëndërri ishte djali i parë i Kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa nusja ishte bija jetime e gazetarit atdhetar Sotir Gjika.

Dëshmitarët, nga ana e dhëndërrit, ishin ministrat Mark Gjomarkaj e Shuk Gurakuqi, ndërsa nga ana e nuses ish konsulli shqiptar në Bari e mik i vjetër i dy familjeve, Gjovalin Kamsi dhe ministri i ekonomisë i Qeverisë Kruja, Kostandin Kotte. Historia e lindjes së këtij çifti kishte të pazakontën e saj, për kohën dhe Vendin në të cilin jetonin dy përbërësit e tij. Nuk ishte një lidhje dashurie spontane, e lindur në sallat e studimit të universiteteve, apo në sheshet e qyteteve italiane, por një njohje e drejtuar nga prindërit e dy të rinjve, si pasojë e një përsiatje të gjatë të tyre në rrjedhë të viteve.

Mustafa Kruja e Sotir Gjika ishin miq e bashkëpuntorë. Qe ndërhyrja e Sotir Gjikës, atëherë gazetar i së përditëshmes “Corriere delle Puglie”, në mjediset e Konsultës të vitit 1917, që bëri të mundur lirimin nga burgu e internimi që vuante Mustafa Kruja, si pasojë e një dënimi të dhënë nga Esat Pashë Toptani e, i kaluar për zbatim, autoriteteve italiane. Më pas Mustafai u bë kryeredaktori i gazetës “Kuvendi”, të cilën Sotir Gjika e drejtonte në Romë. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në dhjetor 1918, kohë kur Mustafai u kthye në Shqipëri, për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit.

Atëherë u ndërpre dhe bashkëpunimi veprues mes atyre dy personazheve të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit të 20. Sotiri vazhdoi veprimtarinë e tij publiçistike, ndërsa Mustafai atë politike. Me mbylljen e gazetës “Kuvendi”, Sotiri u shpërngul përfundimisht në Bari, aty ku ishte qëndra e së përditëshmes”Lajmëtari i Puljes”, në krahinën jugore përballë Shqipërisë, e cila ishte dhe ajo e origjinës së bashkëshortes së tij, Angela Lilly Quarta. Ndërsa Mustafai pati peripecitë e tij në vorbullën e politikës shqiptare, në parlamentin e parë e, më pas, në mërgim në Shumadinë jugoslave, mbas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit e Zija Dibrës.

U takuan përsëri, tashmë së bashku me familjet, në Krishtlindjet 1924, kur Zogu u kthye në Shqipëri dhe politika kundër zogiste mori rrugën e mërgimit të gjatë, duke filluar me zbarkimin në Bari e Brindisi të Italisë. Aty në Bari lindi djali i katërt i Mustafait, Besimi, ndërsa Sotiri kishte një djalë e një vajzë, Aleksandrin dhe Elenën. Mustafai me familje nuk qëndroi gjatë në Pulje, u shpërngulën në Zara të Dalmacisë, atëherë territor italian. Gjatë një udhëtimi në Shqipëri, më 1923, i dërguar nga gazeta për të hetuar mbi vrasjen mizore të Gjeneral Telinit, Sotiri pësoi një ftohje të rëndë, e cila brënda katër vitesh i mori jetën, në moshën 38 vjeçare.

Vitet kalonin, por kontaktet mes dy familjeve ruheshin dhe sa herë që Mustafait i binte rruga të vinte në gadishull, ai nuk linte rast pa parë familjen e mikut të ndjerë. Gjatë këtyre vizitave ai vinte re dhe rritjen e fëmijëve, sidomos të vajzës së Sotirit, Elenës. Instikti prindëror për të patur një nuse të shkolluar e të fisme për djalin e tij, merrte konture gjithënjë e më të përcaktuara në mëndjen e tij.

Erdhi 1939, pushtimi i Shqipërisë, ikja e zogut, dhe Mustafai u kthye me gjithë familjen në Shqipëri, duke lënë jashtë djemtë që vazhdonin studimet. I madhi, Petriti, ishte student i Universitetit të Grenoblit, në fakultetin e ingjinjerisë elektrike. Tani vizitat në shtëpinë e së vesë së Sotirit u bënë më të shpeshta, e Mustafai vuri re me kënaqësi se vajza e mikut të tij ishte bërë një zonjushe e bukur që vazhdonte Universitetin e Napolit. Atëherë shpresa e vakët që kishte përcjellë vitet e tij të mërgimit, ajo e një martese të djalit të tij me vajzën e Sotirit, mori shembëlltyrën e një projekti, të cilin ai u zotua plotësisht në vetvete t’a sendërtonte. Bisedoi me të venë e mikut në lidhje me të e gjeti mirëkuptimin e duhur. Atëherë projekti hyri në rrjedhën e tij të zakonëshme, me njohjen e pëlqimin e ndërsjelltë të të rinjvet.

Nga kjo njohje e deri në martesën e 12 korrikut 1942, koha kaloi shpejt. Martesa qe kurorëzimi i një ëndërre të re, të lindur në hapësirën e një ëndërre të vjetër. Sigurisht nga qielli pati bekimin e babait të larguar përgjithmonë, por që gëzohej sepse bija e tij po kthehej të ndërtonte çerdhen e saj në atdheun e tij, për të cilin ai punoi deri në çastet e fundit të jetës. Po të gjitha këto dëshira të lindjes së jetës së re do të përballeshin me një realitet të vrazhdë, deri në mizori, që ishte lufta e dytë botërore dhe fundi i saj me ardhjen e komunistëve në pushtetin e Shqipërisë.

Gjatë luftës çifti i ri  jetoi larg politikës aktive. Mustafai ishte aq shumë i zhgënjyer nga politika saqë i kishte ndaluar familjarëve të tij pjesëmarrjen në të, e ishte munduar të adresonte fatet e tyre në drejtimin e profesioneve. Kështu edhe Petriti, së bashku me dy shokë të tij të shkollës, Petrit Daklin dhe Ismail Topçiun, themeloi një ndërmarrje elektrike e, deri në fundin e luftës, pati veprimtarinë e tij private. Elena qëndronte në shtëpi, ku ndihmonte babain e saj të dytë të vazhdonte punën e tij të vyer me Fjalorin, e ku kujdesej edhe për djalin, Eugjenin, që lindi mbas më pak se dy vjet martese.

Me krijimin e Qeverisë komuniste ndërmarrja u mbyll dhe Petriti mbeti pa punë. Qenë pak muaj papunësie, gjatë të cilëve ai ndonjëherë vente e bisedonte me shokët e tij mbi gjendjen e Vendit. Ishte koha e pregatitjes së zgjedhjeve të reja ku, zyrtarisht, “mund” të paraqiteshin edhe parti të tjera veç F.N.Ҫ. Në një nga ato biseda u trajtua ky vështrim i gjëndjes politike dhe u fol mbi mundësinë e krijimit të një partie të ligjëshme të opozitës. Pak kohë mbas kësaj bisede, Petriti u thirr në Ministrinë e Punëve Botore, ku Ministri Spiro Koleka i njoftoi emërimin në një Degë të posaçme të saj, e cila merrej me llogaritë e ndërmarrjeve italiane që kishin investuar në Shqipëri para dhe gjatë luftës. Detyra ishte mjaft delikate, por Petriti e përballoi me mjaft sukses, duke u munduar t’i linte sa më pak detyrime Shtetit shqiptar kundrejt ndërmarrjeve italiane.

Por ndërsa ai vazhdonte punën e tij intensive në ministri, një ditë të marsit 1946 u arrestua nga Skënder Kosova, njëri prej kuadrove më mizorë të hetuesisë në kohën e tij. Arrestimi befasoi edhe vetë Ministrin Koleka, i cili ndërhyri personalisht tre herë për lirimin e tij, por pa dobi. Në akuzën me të cilën u përball, veç emrit të Mustafa Krujës, ishte biseda e zhvilluar muaj më parë me shokët e tij. Ajo i kushtoi gjyqin e dënimin me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Ajo kartolinë e vogël që nga një anë ka të pikturuar një peisazh dimri e nga tjetra një frazë drejtuar gruas së tij, është një relike e asaj periudhe të jetës së asaj familje.

blank

Ajo kartolinë ka në vetvete dashuri, dhimbje, mall, por edhe shpresë, kjo e fundit mjeti më i mirë për të përballuar fatkeqësitë e për të mbijetuar edhe atëherë kur jeta normale përbën një mirazh të paarritshëm, edhe atëherë kur vdekja quhet si shpëtim nga e keqja. Ajo mbetet dëshmi e njërit prej miljona çasteve në të cilët kaluan mijëra vetë në Shqipërinë  e regjimit komunist, dëshmi e një drame të fuqishme që luhej në shpirtin e njërit prej tyre, të ndarë përdhunshëm nga dashuritë njerëzore pa i bërë askujt as të keqen më të vogël. Ajo shpreh edhe diçka tjetër veç dashurisë, vlerësimin e besimin tek gruaja shqiptare që, n’ata vite të tmerrshme, dha provën më madhore të gjithë historisë shqiptare, atë të qëndresës familjare e të virtutit vetiak që triumfoi edhe mbi fuqinë e verbër të diktaturës, duke ruajtur vlerat më të mira morale. Edhe Elena, marrësja e asaj kartoline, e flijoi jetën e saj në odisenë e gjatë të kampeve të përqëndrimit, pa çuar kurrë nëpër mend as vetëtimthi, se me një firmë mbi një dokument shkurorëzimi, mund të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga “skëterra shqiptare” e mund të kthehej në Vendin e saj të lindjes, ku kishte familjen e saj e perspektivën e një jetë krejtësisht të ndryshme.

Nuk e dij se si ajo minikartolinë ka dalë nga burgu në dhjetorin e vitit 1946 e se si është ruajtur për më shumë se gjysëm shekulli, në peripecitë e pafund të shpërnguljeve nga një kamp përqëndrimi në tjetrin. Mbas asaj kartoline, n’ato pak fjalë të ngrohta e të siqerta, qëndron jeta e tre njerëzve. Prandaj ajo kthehet në një relike e mund të shërbejë si e tillë në një muzeum, duke i u folur, me heshtjen e saj, vizitorëve për një kohë plot tragjedi e drama të njohura e të panjohura, që u përplasën mbi kryet e dhjetra mijra njerëzve të pafajshëm, duke shkatërruar të gjithë jetën e tyre. Ajo kartolinë evokon një ndjenjë të madhe, dashurinë, që mbetet ndoshta arma më e fuqishme në përballimin e së keqes, të mizorisë së një pushteti e të një sistemi që ishte ngritur mbi bazën e urrejtjes e të largimit nga Perëndia dhe mësimet e saj.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here