Përndjekja e Hasan Blloshmit, xhaxhait të poetit të pushkatuar

0
667
blank

Historia e xhaxhait të Vilson Blloshmit, Hasan Blloshmit, i cili u dënua dy herë nga regjimi komunist dhe nuk arriti të dalë gjallë nga burgu. I nipi, vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, gjithashtu i dënuar politik, sjell në librin e tij kushtuar familjes Blloshmi, jetën e Hasan Blloshmit të shkatërruar nga përndjekja e komunistëve

Pushkatimi i dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në 17 korrik të vitit 1977, ka zënë vend  në kujtesën tonë kombëtare për sa u përket ngjarjeve të regjimit komunist. Por ndoshta jo kushdo e di që pushkatimi i tyre erdhi pas një përndjekje mbi 30-vjeçare ndaj familjeve të tyre, të cilat konsideroheshin armike nga regjimi. Një nga djemtë e kësaj familjeje, që gjithashtu është dënuar me 25 vjet heqje lirie në diktaturë, Bedri Blloshmi, vëllai i poetit, i ka kushtuar historisë së familjes së tij librin “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, ku përmenden pushkatimet, burgimet dhe internimet që kanë pësuar anëtarët e këtij fisi duke nisur që në vitin 1944.

Një hapësirë të veçantë ai i kushton edhe xhaxhait të tij, Hasan Blloshmit, i cili u dënua dy herë gjatë regjimit komunist dhe nuk arriti të dalë gjallë nga burgu.

Hasan Blloshmi, herën e parë u arrestua në qershor të vitit 1952, me akuzën që ishte takuar dhe kishte strehuar diversantë. Në dokumente përmendet i arratisuri Bardho Leka, i cili ishte daja i Hasanit dhe njëkohësisht babai i poetit tjetër të pushkatuar, Genc Lekës. Bardho Leka ishte arratisur në vitin 1950. Si gjithë të arratisurit, që për shkak të kundërshtimit të regjimit komunist ishin larguar nga Shqipëria ose qëndronin të fshehur, cilësohet  kriminel në dokumentet e kohës dhe kushdo që kishte kontakt, u jepte ushqim, i strehonte apo i ndihmonte në një farë mënyre këta “kriminelë”, sipas ligjeve, dënohej.

Dokumentet tregojnë se si prova të bashkëpunimit të tij me “kriminelët e arratisur” Hasan Blloshmit i ishte gjetur gazeta “Flamuri i Lirisë”, organ i emigrantëve politikë shqiptarë në Jugosllavi, që e kishte në xhep ditën e arrestimit, dy fotografi të dajës së tij, Bardho Leka dhe një revole e cila iu gjet gjatë kontrollit në shtëpi.

blank
Marre nga libri i Bedri Blloshmit "Saga e Blloshmeve nen terrorin komunist"

Dokumentet e procesit kundër tij përmendin faktin që ai i përket një familjeje të pasur, të prekur nga reformat, të angazhuar me Ballin Kombëtar gjatë luftës dhe me disa të pushkatuar. Të gjitha këto konsiderohen arsye për pakënaqësinë e Hasan Blloshmit ndaj regjimit, por konkretisht ato ishin arsye për regjimin për ta dënuar Hasan Blloshmin. Ai citohet të ketë shprehur edhe dëshirën për t’u arratisur, megjithëse Hasani e kundërshton këtë.

Gjykata Territoriale e Korçës me funksion në Elbasan në vendimin që mban datën 21 tetor 1952, konstaton për Hasan Blloshmin  se “në muajin tetor 1951, në një ditë, në orët e mbrëmjes i vjen në shtëpi e shoqja e diversantit Bardho Leka dhe pasi i ka propozuar për të ardhur në shtëpi diversanti i sipërpërmendur i cili është daja i të pandehurit, ai pranon po atë natë në shtëpi diversantët Feim Çela dhe Dervish Bojku të kryesuar nga diversanti Bardho Leka ku pasi i strehon dhe i furnizon pranon të bashkëpunojë me diversantët për të plotësuar dëshirat e tyre karshi titistëve jugsllavë në dëm të pushtetit tonë popullor. Në këtë kohë diversantët i tregojnë materialin propagandisitik për kundër pushtetit popullor me qëllim që t’i përhapte këto lajme në njerëz të tjerë”.

Si përfundim, Gjykata vendos që ai të dënohet me 15 vjet heqje lirie për krimin e “bashkëpunimit me bandat e armatosura”, me 5 vjet burgim për krimin e “agjitacionit dhe propagandës” dhe me 5 vjet të tjera për krimin e “mbajtjes së armës pa leje”. Duke bërë bashkimin e krimeve, ai përfundimisht dënohet me 20 vjet burg, humbjen e të drejtave për 5 vjet dhe konfiskimin e pasurisë në tërësi.

Babai 26-vjeçar i dy djemve nis zyrtarisht dënimin që do ta mbante në burg plot 13 vjet derisa më 19 korrik të vitit 1965 u lirua nga burgu i Burrelit.

12 vjet më vonë, Hasanin me familjen dhe gjithë vëllezërit e tjerë i internojnë për shkak se dy nipërit e tij, djemtë e të vëllait, Vilsoni dhe Bedriu u dënuan me akuzën  “agjitacion e propagandë dhe sabotim”. I pari u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua së bashku me Genc Lekën, që ishte djali i dajës së Hasanit, ndërsa Bedriu mori dënimin 25 vjet heqje lirie.

Familjen Blloshmi e ndanë në 3 fshatra të ndryshëm. Sapo Hasani mbërriti në adresën që i kishin caktuar, e arrestuan.blank

E akuzuan për agjitacion e propagandë dhe i dhanë dënimin maksimal të kësaj akuze: 10 vjet heqje lirie. Nuk ishte më djalë i ri kur e dënuan, por megjithatë atë e dërguan në Spaç. Aty ndodhej në korrik të vitit 1982 kur u sëmur rëndë. E çuan në spitalin e burgut në Tiranë, por nuk arriti të mbijetonte.

Eshtrat e tij familja ka mundur t’i gjejë vetëm pas vitit 1991.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here