Lavdije Petrela, dënohet në moshën 20 vjeçe, vuan 10 vjet, 7 muaj, 1 ditë burg komunist

0
282
blank

Historia e një vajze që kreu mbi 10 vjet burg, pasi u dënua nga Gjykata e Sigurimit pa kryer asnjë veprim të dëmshëm dhe pasi iu refuzua disa herë me radhë kërkesa për t'u liruar me kusht

Lavdije Hasan Petrela u lind më 1.3.1929 në Tiranë. Ishte shtëpiake dhe në gjendje ekonomike jo të mirë. I bënë presion të jashtëzakonshëm duke e regjistruar si të rekrutuar në radhët e Sigurimit. Nuk pranoi asgjë dhe as kreu ndonjë veprim të dëmshëm, madje veproi kundër Sigurimit me dekonspirime e njoftime të elementit subjekt që i ishte ngarkuar. Për këtë arsye, hakmarrja ishte e menjëhershme dhe e rëndë; u arrestua më 19.7.1949 kur ishte 20 vjeç. U gjykua nga një organ special hetimi e gjykimi, pa asnjë të drejtë të mbrohej. As mosha nuk kishte rëndësi.

Gjykata Speciale e Sigurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me vendimin nr.6, datë 27.9.1949, e deklaroi fajtore për dekonspirim e tradhti dhe e dënoi me 20 vjet burgim. Me dekretin nr.1574, datë 20.11.1952 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, dënimi i zbriti në 12 vjet burgim.

Pas kësaj kohe, kur mbushi gjysmën e dënimit, kërkoi të lirohej me kusht. Në dy raste, ishin mendime negative të ardhura nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në kërkesën e vitit 1956 ajo shkruante se kishte punuar shumë dhe se vuante nga sëmundja e TBC-së.

Me shkresën nr.06-1199, datë 20.9.1956 zëvendësministri i Punëve të Brendshme gjeneral-major Mihallaq Ziçishti njoftonte Kolegjin Ushtarak të Gjykatës së Lartë që të mos i falej dënimi sepse nuk mbante në burg qëndrim të mirë.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga nënkolonel Mustafa Qilimi, me vendimin nr.50, datë 6.11.1956 refuzoi lirimin e saj para kohe me kusht. Në arsyetimin e vendimit thuhej se “nuk ka treguar me sjelljet e saj se është përmirësuar”, se gjatë qëndrimit në burg “nuk është penduar për veprimtarinë kriminale që ka kryer kundër interesave të pushtetit popullor”.

Një kërkesë tjetër për t’u lirua para kohe bëri në vitin 1957. Edhe këtë herë mendimi ishte negativ. Me shkresën nr.75, datë 21.1.1958 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, për të thuhej se “gjatë kohës në burg nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, me punë nuk ka shkuar mirë, rregullat e burgut nuk i ka zbatuar” dhe se nuk kishte asnjë shenjë pendimi.

U lirua më 20.2.1960 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në moshën 31-vjeçare.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here