Katër herë i dënuar në dy periudha, vuajti 35 vjet, 6 muaj heqje lirie

0
936
blank

Petrit Ahmet Velaj (u lind më 11.4.1924 në Kaninë dhe vdiq më 11.9.2017 në Vlorë), një prej qëndresëtarëve më tipikë në burgjet e kampet e komunizmit, vuajti 35 vjet, 6 muaj ose 12.960 ditë heqje lirie në dy periudha 1945-1965 dhe 1972-1989. Në dy vitet që ishte i lirë, 1965-1967, punoi në fabrikën e sodës kaustike në Vlorë. Ndërsa në vitet 1967-1972 u internua në Kaninë të Vlorës. Hyri në burg fare i ri, 21 vjeç dhe doli prej andej në moshën 65 vjeçare.

Periudha e parë e dënimit

Kush e di si do kish marrë jeta e tij nëse i gjendur me forcat e Ballit Kombëtar në Shkodër nuk do nisej nga Mid’hat Frashëri më 2.11.1944 me mision në Tiranë. Në Mamurras kapet nga forcat e brigadës së 23-të, të cilët e dënuan me pushkatim. Siç tregon në kujtimet e veta, shpëtoi në sekondat e fundit nga ndërhyrja e Mihal Priftit.

Duke qenë në Mamurras, me rekomandimin e Hysni Kapos për disa muaj futet në radhët e ushtrisë partizane, derisa gjatë vitit 1945 shoqëron stofrat ushtarakë në fabrikën “Jovanoviç-Popoviç” në Gerlidicë të Jugosllavisë, si dhe u gjend në Beograd. Gjatë një takimi ku merrte pjesë edhe Nexhmije Hoxha, kjo nuk e priti mirë faktin se gjendej ngjitur me një ballist si Petrit Velaj. Duke mos qenë komunist, Velaj iu kundërpërgjigj një ushtaraku jugosllav për çështjen e Kosovës. Kthehet në Tiranë, por arrestohet dhe dërgohet në Burgun e Vlorës. Arrestohet më 10.10.1945. U akuzua në bazë të neneve 14, 15, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945; nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944; nenit 41 të ligjit nr.382, datë 24.12.1946. I përmendej edhe e kaluara me Ballin Kombëtar. Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr.4, datë 8.1.1946 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 4 vjet burgim, punë të detyruar, humbje së të drejtave politike për kaq kohë dhe konfiskim të pasurisë. Akuzat ishin të ndërthurura edhe me anë materiale.

Duke qenë se nuk u ngopën me atë dënimin, e kaluan në një proces të dytë, ku akuzohej si “armik populli dhe sabotator”. U akuzua në bazë të neneve 14, 15, 17, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 dhe nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944. Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr.17, datë 28.2.1946, e deklaroi fajtor si “kriminel lufte dhe për abuzim me detyrën” dhe e dënoi me 30 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Ishte ndër të burgosurit e parë të Burrelit. U lirua më 30.1.1965.

Gjatë periudhës së parë, vuajti dënimet në këto vende: Burgu nr.11 Vlorë, Burgu nr.3 Burrel, Burgu nr.5 Tiranë, mesagjeria, Artizanali, Kampi nr.7, Reparti nr.307 Tiranë, Reparti nr.309 Tërbuf, Reparti nr.321 Burrel dhe Reparti nr.309 Laç.

 

Periudha e dytë e dënimit

U arrestua më 28.11.1972, tri ditë pasi i kishte lindur vajza (së cilës nuk i dinte emrin ende), ditën e Pavarësisë. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Gjatë marrjes në pyetje deklaroi se nuk e pranonte akuzën që i bëhej. I përmbahej qëndrimit se nuk kishte agjituar kundër. Hetimet janë të shkurtra sepse i pandehuri nuk pranon asgjë. Dëshmitarët që duken të sajuar, dëshmonin për biseda të vitit 1969: Petriti kishte thënë se Bashkimi Sovjetik nëpërmjet Jugosllavisë do të sulmonte Shqipërinë. Hetuesia kish nxjerrë katër dëshmitarë, tre nga Kanina dhe një nga Qishbardha, deklarimet e të cilëve, Petrit Velaj, në sy të tyre i cilësoi të rreme. Gjykata deklaronte se “Rrezikshmëri shoqërore paraqet edhe vetë i pandehuri i cili vjen nga një familje shtresë e pasur dhe e hedhur qysh në fillim të lëvizjes nacionalçlirimtare në bashkëpunim me okupatorët e tradhtarët e vendit”, duke injoruar faktin se Petrit Velaj ishte nga antifashistët e parë në vend. Në vendim i kujtohej Selaudini vëllai i arratisur në SHBA dhe Ulsiu vëllai i pushkatuar në vitin 1951. Sipas gjykatës, Petriti kishte deklaruar se e kishte për nder që kish qenë në burg dhe se në rast të përmbysjes së pushtetit, do merrte funksione të larta në shtetin e ardhshëm. Gjykata e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.24, datë 31.1.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

U arrestua më 1.9.1980 kur vuante dënimin në Repartin nr.309 Ballsh kur ishte në prag të lirimit. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 31/a të Kodit Penal.

Konsiderohej “armik i vjetër dhe i betuar i partisë dhe i shtetit”. Në aktakuzën e nënshkruar më 28.10.1980, thuhej: “Gjatë kohës së vuajtjes të dënimit në Repartin nr.309 Ballsh, i pandehuri...jo vetëm që nuk e ndërpreu veprimtarinë armiqësore kundër shtetit, por ka agjituar e propaganduar kundër shtetit me objekt dobësimin, minimin dhe rrëzimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri”.

Gjykata Popullore e Rrethit Fier, e vendosur në Repartin nr.309, e drejtuar nga kryetari Fehmi Abdiu me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.307, datë 9.12.1980, e deklaroi fajtor e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, i dhanë 11 vjet heqje lirie. U lirua më 11.2.1989.

Gjatë periudhës së dytë, vuajti dënimet në këto vende: Reparti nr.303 Spaç, Reparti nr.309 Ballsh, Reparti nr.302 Zejmen, Reparti nr.325/1, Kompleksi “Dinamo” Tiranë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here