“Një mollë jeshile për babanë pas hekurave”

0
3058
blank

Fitim Cami, nga Dibra, u arrestua në vitin 1985, gjatë kohës që ai po ndiqte një ndeshje futbolli me shokët.

Vajza e tij, Marjeta, ishte vetëm 10 vjeçe në atë kohë, por kujtimet i ka të gjalla sot e kësaj dite kur kujton takimin e vetëm me babanë në burg dhe gjithë kalvarin e vuajtjeve me të cilin u përballën nëna e saj dhe fëmijët deri në rënien e diktaturës.

“Takimi i vetëm me babin ishte në burg, në Bulqizë. Kishim marrë me vete byrek dhe gurabie se babi vuante nga stomaku dhe e dinim që ushqimi i burgut ishte shumë i keq. Motra e vogël ishte vetëm 3 vjeçe dhe kishte marrë një mollë jeshile në dorë që t’ia jepte babit. E mbajti në dorë për orë të tëra.  Pritëm gjatë... rojet e burgut para se të na fusnin na e kontrolluan ushqimin dhe i copëtuan ato gurabiet që i kishte bërë mami, i bënë thërrime”-  rrëfen Marjeta Cami (Kica) për kujto.al.

“Nuk e njohëm babain, aq shumë ishte dobësuar, ishte në një gjendje të keqe. E kisha parë për herë të fundit kur iku për të parë një ndeshje me shokët të buzëqeshur, të fuqishëm dhe kur e pashë pas hekurave ashtu në atë gjendje... sot e kësaj dite nuk e harroj dot”-, tregon ajo me lot në sy.

“Na preku përmes hekurave. Ky ishte takimi i vetëm me të se pastaj e dërguan në Spaç dhe e takova vetëm kur u lirua me amnistinë e 1989-ës”, thotë Marjeta.blank

Ajo na tregon një foto të 4 fëmijeve e bërë me qëllim që t’ia dërgonin babait në burg pasi u dënua, pasi ai e kishte kërkuar me ngulm. “E ka mbajt në kutinë e duhanit deri në ditën kur ka dal nga burgu”.

Edhe pse e vogël Marjeta kujton se arrestimi dhe dënimi i babait nuk ishte e vetmja ngjarje e rëndë në jetën e saj, pasi pas arrestimit të tij filloi një vuajtje edhe më e madhe për mamanë e saj, e cila u përball me presion nga familja e saj dhe Sigurimi i Shtetit për të divorcuar Fitimin.

“Dajat na bënë hasha sepse gjyshi ishte oficer, i bënin presion mamasë për t'u ndarë”- thotë Marjeta, ndërsa kujton që një herë e ëma kishte kërkuar një fletë kampi për të se ishte e sëmurë, i kishin thënë “si guxon ta kërkosh, vajza jotë është fëmija e armikut të popullit”.

Marjeta nuk ka vendosur akoma të kërkojë dosjen e të atit të ndjerë, pasi ka frikë se në atë dosje do të gjejë emra njerëzish të afërt që mund ta kenë spiunuar te Sigurimi dhe të jenë bërë shkak për ta dënuar. Ajo di vetëm që në gjyqin e tij, ishin disa dëshmitarë të cilët për të “faktuar” agjitacionin e propagandën kundër partisë ishin shprehur se “Fitimi u kërkonte cigare camçakëzi”, produkte këto që vinin kontrabandë nga jashtë në shtetin e varfër të izoluar komunist.

blankFitim Cami u dënua më 24 maj 1985. Gjykata e Rrethit të Dibrës e deklaroi fajtor për «krimin e agjitacionit e propagandës» dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Me dekret nr. 7227 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, iu fal dënimi i mbetur./ b.gj/ kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here