Çami që vuajti mbi 31 vjet burg heqje lirie

0
132
blank

Idriz Vesel Halluni, ishte një banor i krahinës shqiptare të Çamërisë që vuajti tri dënime, duke bërë mbi 31 vjet heqje lirie në vitet 1953-1959 dhe 1961-1986. Është çami që ka vuajtur më shumë dënim në diktaturën komuniste internacionaliste të Enver Hoxhës. Hyri në burg në moshën 37-vjeçare dhe doli prej andej 70 vjeç.

Ishte i vitlindjes 1916. Në moshë të re, në bazë të marrëveshjes që kishte bërë qeveria e Mbretit Zog me atë greke, u shkollua në Shqipëri, duke qëndruar në konviktin e çamëve në Sarandë. Në vitin 1931 mbaroi filloren. Më 1931-1935 ndoqi Normalen e Gjirokastrës. Më 1935-1939 ndoqi Gjimnazin e Shkodrës. Të gjitha këto me bursa shtetërore. Me ndihmën e Eqrem Çabejt, iu dha një ndihmë për të vazhduar studimet e larta në Torino të Italisë për shkenca ekonomike. Deri në vitin 1943 çdo gjë shkoi normalisht. Banonte në shtëpinë e një vajze nga Torino që njohu atje, së cilës i pat dhënë fjalën se do martohej me të. U kthye në Shqipëri pa mundur të rikthehet në Itali.

Më 1945-1946 punon sekretar i parë në Ministrinë e Financave. Më 1948-1949 punoi në ndërmarrjen e salcave në Tiranë si punëtor e më pas si llogaritar. Më 1949-1951 punoi korrektor në gazetën “Zëri i Popullit”, por edhe këtu u pushua. Me interesimin e Njazi Demit, në vitet 1951-1953 punon si llogaritar në shkollën tregtare “Nako Spiru” në Tiranë.

Dënimi i parë

U arrestua më 21.3.1953. U akuzua në bazë të neneve 64 e 72 të Kodit Penal. Organet e Sigurimit të Shtetit e kishin futur në kategorinë e kundërshtarëve të regjimit. Duke qenë intelektual, i shkolluar në perëndim, sigurisht ishte i padëshiruar për një regjim ku mbretëronte injoranca dhe krimi. Akuzohej për “veprimtari armike kundra popullit dhe shtetit në favor të anglo-amerikanëve”, agjitacion e propagandë, se disa herë kishte dashur të arratisej, se pas vdekjes së Stalinit kishte folur për ndryshimin e situatës, etj. Përveç akuzave ishte shprehur se partizanet ishin imorale, etj. Haptas thoshte se nuk i pëlqen regjimi komunist në Shqipëri dhe se ishte gati edhe të vritej në kufi, pa u dorëzuar.

Kishte vetëm një kallëzim të varfër, gjë që do të thoshte se materiale agjenturore kishte shumë, por nuk paraqiteshin dot në gjykatë. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.117, datë 17.7.1953 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet.

Dënimi i dytë

U arrestua më 14.5.1961. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Në valën e masave shtrënguese të thella ndaj çamëve, synoi të realizojë largimin nga Shqipëria, jo si herën e parë kur vetëm e kishte menduar atë. Mezi punon disa muaj punëtor krahu në Ndroq dhe Shijak. Nuk kishte rrugë tjetër. Me elementë të tjerë antikomunistë, të gjithë ish-të dënuar politikë, bisedon për arratisje në zonën e Dibrës, një terren mjaft i vështirë për t’u kaluar. Pas 12 ditësh udhëtimi të nisur nga Kruja, më 13.5.1961 Idriz Halluni, Shaban Doçi, Skënder Taka, Sebastian Gjeka dhe Isa Mena iu afruan kufirit. Në malin e Korabit ndahen në dy grupe. Isa Mena dhe Idriz Halluni u drejtuan nga e djathta ndërsa tre të tjerët nga e majta. U orvatën disa herë të kalojnë kufirin në postën e Ploshtanit, por për shkak të mjegullës nuk mundën ta realizojnë arratisjen. Isa Mena u vra ndërsa të tjerët nga u kapën. I pyetur nga hetuesi i DPB Dibër, Njazi Shehu, Halluni deklaron se deshi të arratisej sepse nuk kishte shpresë rregullimi gjendjeje, as për punë krahu. Shpresonte ende të martohej me italianen në Torino, madje e dinte se ajo po e priste. Të dy i kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit. Italiania punonte në bankën “Kredito” në Torino.

Gjykata Ushtarake Tiranë me veprim në Durrës, me vendimin nr.119, datë 22.8.1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Detyrimisht 5 vjet duhej t’i vuante në burg.

Dënimi i tretë, ridënimi

U arrestua më 18.9.1975. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Në kohën e zbulimit të “grupeve armiqësore”, kur duhej që lufta e klasave të ishte në nivelin e duhur, u arrestua duke vuajtur dënimin në Repartin nr.309 të të dënuarve në Ballsh. Hetuesi i DPB-së Fier, Preng Zefi, regjistroi tri kallëzime nga të dënuar të tjerë, si dhe dy nga ish-të dënuar. Halluni menjëherë deklaroi edhe në përballje me dëshmitarët se nuk i pranonte akuzat e tyre. Akuzohej se kishte thënë se SHBA ka rritur nivelin më të lartë ekonomik, se diplomacia amerikane punonte për të mirën e popujve, etj.. Gjykata Popullore e Rrethit Fier, me vendimin nr.375, datë 9.12.1975 e deklaroi fajtor në bazë të nenit 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.  Në bashkim të dënimeve i dha përfundimisht 10 vjet, 4 muaj e 15 ditë.

U la në fuqi me vendimin nr.392, datë 29.12.1975 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të dënimit të tretë u ndje i vetmuar dhe përfundoi në azilin e pleqve në Kavajë ku edhe vdiq. Një jetë e shkuar keq dhe një dashuri që ngeli e pamundur.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here