Një 60-vjeçar në kënetën e Maliqit dhe kanalin e Bedenit

0
123
blank

Poet, përkthyes, mësues i nderuar që diktatura e dënoi në moshën 60-vjeçare dhe e dërgoi në kampet shfarosëse të Maliqit dhe Bedenit. Jeta e Sheuqet Mukës, një figure të nderuar të fesë myslimane që vuajti për 19 vjet burgjet e komunizmit

 

 

Sheuqet Muka u lind, u rrit, u arsimua dhe jetoi gjatë në qytetin e Shkodrës, çfarë do t’i jepte dhe pseudonimin Shkodrani. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin turk të qytetit, ndërsa Shqipëria ishte ende nën pushtimin otoman. Me një talent të veçantë për gjuhët e huaja ai mësoi jo vetëm turqishten, por edhe arabishten, persishten, frëngjishten dhe italishten. Krahas formimit laik, ai mori edhe kulturë fetare nën kujdesin e hoxhallarëve të njohur shkodranë si Ibrahim Kaduku, Salih Myftia dhe Muhamed Bekteshi.

Nisi punë si mësues në shkollat e para kombëtare në Shkodër. Ai është themelues i shkollës së Parrucës në Shkodër. Më pas u zhvendos në Tiranë, ku ishte drejtor i shkollës modelore “Hasan Tahsini” dhe i “Strehës Vorfnore”. Vendoset në krye të lëvizjes për hapjen e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër në vitet 1920-1922, ndërkohë që në vitin 1922, është delegat në Kongresin Arsimor të Tiranës. Dha mësim nga viti 1910 deri në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia. Krahas arsimit laik, Muka kontribuoi edhe për rritjen e cilësisë së shkollave fetare. Pas Kongresit Mysliman të 1923, ai zhvilloi një aktivitet të gjerë intelektual duke hartuar dhe përkthyer libra që u vinin në ndihmë nxënësve të niveleve të ndryshme.

Shequet Muka ka gjithashtu një krijimtari të pasur në poezi e publicistikë. Duke pasur tashmë një pozitë në botën laike, ai parapëlqeu që shkrimet me karakter fetar t’i botonte me pseudonime si “Shkodrani”, “Arsyeja” dhe “Erzeni”. Ai ka qenë aktivist i Myftinisë së Shkodrës, bahkëpunëtor i Këshillit të Naltë të Sheriatit, këshilltar i KMSH e me radhë.

I dënuar nga çdo regjim

Muka u përfshi aktivisht edhe në jetën politike. Në fillim të nëntorit 1919 gjendet në Vlorë, ku edhe arrestohet nga italianët dhe internohet në Favijano të Siçilisë, për 14 muaj, si mbrojtës i çështjes kombëtare shqiptare.

Kur italianët rikthehen për të pushtuar Shqipërinë në vitin 1939, Sheuqet Muka sërish kundërshton dhe sërish arrestohet. Këtë herë internohet në kënetën e Nartës dhe Elbasan. Ai është një nga drejtuesit e Partisë së Legalitetit për Shkodrën, kështu që pas vitit 1944, qëndron i fshehur për gati dy vite. Familja iu internua në Berat. Kur qeveria shpalli amnistinë, u dorëzua, por të gjitha premtimet rezultuan të gënjeshtërta. Sheuqet Muka si dhe shumë të vetëdorëzuar, u arrestua. Iu vunë prangat më 21 tetor 1946 dhe u deshën 9 muaj deri sa të dilte para Gjykatës Ushtarake të Shkodrës në një nga ato gjyqet publike që zhvilloheshin në kinemanë e qytetit.

“Unë si fëmij që kam qenë, meqenëse gjyqi asht zhvillu në kinema “Rozafat”, unë e kam ndjek nëpërmjet autoparlantit. Kam qenë në moshën 12 vjeçare dhe kam mujt si fëmijë me hy edhe në sallën e gjyqit. Procesi gjyqsor ishte një proces ku baba mbrojti veprimtarinë e tij dhe idetë e tija. Kjo e acaroi sidomos prokurorin edhe kryetarin e gjyqit të cilët, që të dy, e dënuan me vdekje", ka thënë i biri, Adnan Muka, për “Zërin e Amerikës”, në vitin 2019, kur u botua libri i tij kushtuar të atit dhe persekutimit të gjithë familjes “Sheuqet Muka, Shkodrani”.

I mbijetuari

Sheuqet Muka u dënua për krimin e bashkëpunimit me okupatorin dhe pjesëmarrje në organizatë tradhtare me pushkatim, por më pas dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ishte 60 vjeç. Megjithatë, ai u dërgua në dy nga kampet më të rënda të punës së detyruar, ku punohej për tharjen e kënetës së Maliqit dhe kanalin e Bedenit në Kavajë. Arrin t’u mbijetojë këtyre kampeve dhe pjesën e mbetur të dënimit e kalon në burgun e Burrelit.

Përfiton sërish ulje të dënimit dhe më 2 shtator 1965, pas 19 vitesh lirohet nga burgu. Ishte i moshuar dhe i drobitur, por karakteri dhe besimi i tij nuk ishin thyer. Iu kthehet studimeve dhe arrin të shkruajë 11 tema mbi historinë e kulturën. Nuk kishte më shumë kohë. Në janarin e vitit 1967, ndahet nga jeta. Muajt që do të vinin do të sillnin ditë edhe më të vështira për fenë dhe fetarët.

Pas vitit 1993, Sheuqet Muka ka marrë titullin “Mësues i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here