I burgosur në Shqipërinë komuniste nga 20 në 58 vjeç

0
56
blank

Libri i rekordeve të dënimeve gjatë diktaturës komuniste përmban edhe emrin e Remzi Selimit, i cili vuajti 33 vite e 2 muaj burg me një periudhë 5-vjeçare internimesh në mes. Historikun e dënimeve të tij, e ka publikuar vite më parë studiuesi Kastriot Dervishi.

Remziu u dënua tri herë. Herën e parë me një akuzë të pavërtetë dhe dy të tjerat, për tentativë arratisjeje sepse çfarë mund të bënte tjetër një njeri i ngecur në çark në një vend të huaj që, megjithëse fliste gjuhën e tij, e trajtonte si spiun e armik.

Remzi Selimi u lind në Shkup në vitin 1933, kish vetëm dy klasë fillore dhe punonte si kasap. Ishte vetëm 20 vjeç, ushtar në Zagreb, kur vendosi të vinte në Shqipëri. Kish çuar postën ushtarake në Podgoricë dhe që aty kalon kufirin që ndante Malin e Zi me Shqipërinë. Nga Shkodra çohet në Shijak, ku mbaheshin emigrantët kosovarë dhe aty merret në pyetje, por edhe torturohet për të pranuar ato që donte Sigurimi, pra që ai ishte agjent i UDB-së, çfarë nuk ishte e vërtetë.

Në raportin e datës 1.9.1953 komandanti i Repartit nr.2001 Zoi Themeli thotë se do ishte e vlefshme ta dërgonin si agjent në Jugosllavi, por në rast se kjo nuk bëhej, atëherë të burgosej e të dënohej si agjent. Refuzimin për t’u bërë agjent ai do ta paguajë me burgosje të gjatë, nën akuzën për “spiunazh”. U arrestua më 12 tetor 1953 dhe më 19 dhjetor të atij viti, u dënua me 12 vite burg. E kreu dënimin thuajse të plotë, duke u liruar vetëm më 27 mars 1964.

Pas lirimit, Remziu u internua në Lushnjë. Nuk të habit dëshira e tij për t’u larguar nga ky vend, por siç tregojnë dokumentet, nuk ia doli. Më 6 korrik të 1967-ës, ai u kap në pikën kufitare të Qafë-Thanës, bashkë me emigrantin nga Kosova Muharrem Mazreku dhe një muaj më pas, gjykata e dënoi me 5 vjet heqje lirie. Sërish, dënimi u krye thuajse i plotë, duke u liruar më 14 maj të vitit 1972 nga kamp-burgu i Spaçit.

Pasi u lirua përfundoi në Çermë. Kërkoi disa herë të riatdhesohej, por kërkesa nuk u pranua, pavarësisht që nuk kishte as pasaportë shqiptare. Në këto kushte tentoi sërish të arratisej nga malësia e Shkodrës, por u kap dhe u arrestua në prill të 1974-ës. Më 31 korrik 1974, Gjykata e Rrethit Lushnjë e dënoi me plot 24 vite burg. Do të mbetej në burg me grupin e të burgosurve të fundit politikë.

U lirua vetëm në mars të vitit 1991, me dekretin nr.7483. Në total, kreu 33 vite e 2 muaj burg. U gjend i lirë kur ishte 58 vjeç, ndërkohë që kishte rënë në pranga kur ishte vetëm 20 vjeç.

Shënim: Të dhënat e këtij shkrimi, janë publikuar fillimisht në 55news.al. Në foton kryesore, burgu i Spaçit, nga Selimi u lirua gjatë dënimit të dytë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here