“Ali Oseku lexonte libra të huaj”

0
43
blank

Më 2.4.2024 u nda nga jeta në Tiranë në moshën 80-vjeçare ish-i dënuari politik, piktori Ali Oseku. Në mënyrë të përmbledhur historia e dënimit të tij tregohet në këtë shkrim.

Në vitet 1969-1973 Aliu punoi piktor në Teatrin e Operës. Në maj 1973 për “pikëpamje të huaja borgjezo-revizioniste, të shprehura me anë të pikturës  dërgohet për riedukim në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit”. Shumë shpejt, do arrestohej.

Më 7.2.1975 pyetet një i pandehur piktor në lidhje me Ali Osekun. Kallëzimi i parë u bë me gojë më 21.2.1975, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të punëtorit operativ Piro Katro dhe hetuesit Sali Budo. Në kallëzimin e drejtorit të bibliotekës së universitetit thuhet ndër të tjera: “Aliut i pëlqente moda dhe ka qenë një nga të parët që ka bërë një maksipallto. Unë dhe shokët e punës së tij e kemi kritikuar, por ai mua më ka thënë se nuk ka ndonjë gjë të keqe që të ndjekësh modën, se ju nuk e kuptoni modën”.

Kallëzimet me gojë u bënë nga 4 dëshmitarë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë më 26.2.1975.

Më 14.4.1975 hetuesja Dolores Velaj, me miratimin e prokurorit të përgjithshëm (ka nënshkruar zëvendësi), vendosi arrestimin e Ali Osekut, në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, duke transferuar çështjen në Elbasan. Vendimi iu komunikua të pandehurit më 19.4.1975. Hetimin e vijon hetuesi Viktor Mërtiri. Po këtë datë, u vendos sekuestro pasurisë familjare të Aliut, si dhe nisi marrja në pyetje nga V.Mërtiri. Aliu deklaroi se e kuptonte akuzën, por nuk e pranonte.

Më 23, 25, 30 prill; më 4, 7, 9, 11, 23, 30 maj; 2, 3, 18 qershor; 4, 5 korrik 1975 zhvillohet hetuesia. Aliu mban një qëndrim të prerë mohues ndaj akuzave. Dëshmitë e kallëzuesve merren në Tiranë dhe në Repartin nr.309 Ballsh, vend ku vuante dënimin një i dënuar, ish-regjisor.

blank

Më 14.7.1975 hetuesi Viktor Mërtiri, me miratimin e prokurorit të Rrethit Elbasan, Hys Zaja, përpilon akt-akuzën në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Ndër të tjera këtu thuhej: “Qysh prej kohës që i pandehuri ishte student dhe deri në momentin e arrestimit të tij, duke qenë në pozita armiqësore, ka agjituar e propaganduar në mënyrë aktive me persona të ndryshëm kundër sistemit socialist të vendit tonë”.

Akuza përqendrohej në tre drejtime për “veprimtarinë armiqësore” të Aliut: në drejtim të masave të partisë kundër shfaqjeve të huaja liberale, kundër letërsisë dhe artit dhe në drejtim të gjendjes ekonomike të vendit.

Gjykata e Rrethit Elbasan, e drejtuar nga Sefedin Tabaku, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit Shefqet Meçe, me vendimin nr.210, datë 15.8.1975, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 4 vjet heqje lirie, heqjen e së drejtës zgjedhore dhe për të marrë detyra shtetërore dhe të ushtrojë profesionin e piktorit për 3 vjet. Iu ngarkuan edhe shpenzimet gjyqësore. Urdhërohej asgjësimi i provave materiale. Në shkresën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Elbasan, Sabri Rrapi, për Gjykatën e Lartë, kërkohej të kihej parasysh se Ali Oseku kish lexuar libra të huaj e të ndaluar në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës. U la në fuqi me vendimin nr.244, datë 30.8.1975 me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në shkresën nr.91, datë 10.3.1979 të Komandës së Repartit nr.303 Spaç, me firmë të komisarit Pjetër Cara, njoftohej Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë se i dënuari do lirohej shpejt, por të kihej parasysh: “Për gjatë kohës që ka vuajtur dënimin në këtë repart riedukimi ka mbajtur qëndrim negativ. Nuk ka realizuar normën në punë, shoqërohej gjithnjë me persona me qëndrim të keq dhe ishin negativë në repartin e riedukimit, për rregullin dhe disiplinën, nuk të binte në sy, por nxiste persona të tjerë për të prishur rregullimin e disiplinën në frontet e punës dhe në qendrën e banimit. Të kihet parasysh dinakëria e tij”.

U lirua më 14.4.1979 nga Reparti nr.303 Spaç. Fleta e lirimit u nënshkrua nga komandanti Meto Kondi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here