"Nan', a ke uri, se un' s'kam uri?"

0
405
blank

Jeta e vështirë e Gjon Gjomarkajt, djali i të birit të Gjon Markagjonit, Markut, të rënë në luftë kundër komunistëve. Djaloshi Gjon u përball që në moshë të njomë me përndjekjen më të egër, duke arritur t’u mbijetojë vuajtjeve që diktatura i shkaktoi gjithë familjes Gjomarkaj

Nga Fatbardha Saraçi Mulleti

Gjon Mark Gjomarkaj lindi në Orosh të Mirditës më 10 qershor 1938. Lindjen e tij e përshëndeti e gjithë krahina me krisma pushkësh. Gëzimi se ishte i pari mashkull në familjen e Mark Gjomarkut... Këto krisma nuk iu ndanë gjithë jetën, jo më krisma gëzimi, por krisma vuajtjesh, mundimi dhe hidhërimi.

Kur e internuan, Gjoni ishte fëmijë, vetëm gjashtë vjeç. Ishte djali i Markut, që bëri rezistencë, luftoi kundër komunizmit, deri në flijim, u vra në vitin 1947. Nëna e tij Marta u paralizua që në vitet e para të internimit. Sa herë e transferonin të sëmurën, e bartnin me barelë. Gjoni i vogël u rrit duke pasur shoqëruese të përhershme urinë.

I drejtohej Gjoni i vogël nënës së tij: Nan', a ke û (uri), se un s'kam û (uri)?

Nënë shkreta kuptonte ç'donte të thoshte Gjoni me këtë shprehje, uria e tij pa fund, e dashuria pa kufi për nënën. Ai u rrit me shumë dashuri nga gjyshja, nëna, hallat Marta e Bardha, po ashtu dhe nga motrat Kristinë e Çelestinë. Rritej Gjoni i vogël, mësonte italishten me padër Gardinin (që dhe ai ishte i internuar). E fshehte Gjoni i vogël fletoren nën bluzë (që të mos ia shihte polici) dhe shkonte të mësuesi i tij i nderuar. Mësonte shumë mirë. Frëngjishten e mësoi me Z. Zef Gjeta (ish-kryetar i Bashkisë Shkodër në vitin 1944), ishte i internuar, ndërsa gjermanishten e mësoi në mënyrë autodidakte.

U rrit djali dhe provoi të gjitha kampet e punës, me apelin dy herë në ditë, në punët më të vështira dhe në distancë të madhe, që duhej të ecte me orë për të shkuar në vendin e punës.

Ja si e përshkruan Gjoni (i Riu) internimin në kampin e Turanit në Tepelenë:

- Qarje, klithma, rrënkime, britma. Shikoje veshje nga më të larmishmet, ndiheshin të gjitha dialektet, prej veriu në jug. Turma të braktisurish më të vjetër, të sëmurë, me gra, me fëmijë të vegjël e të rritur si ne (Gjoni atëherë ishte 10 vjeç F.S).

-

Ja një episod i fëmijërisë së tij:

- Isha në shkollë. Librat ia merrnim njëri-tjetrit, për arsye se nuk kishim. Në librin e historisë, fotografisë së E.Hoxhës ia kishin ba sytë me bojë shkrimi. Kur unë e kisha në dorë këtë libër, ma pau polici i kampit. Çdo ditë sapo mbaroja mësimin isha i detyruem të paraqitesha në zyrën e tij. Ai me tubën e çelësave që kishte në dorë, më binte kokës...Nuk duhej të tregoja, më bante presion...Një ditë gjyshja e dashtun tue me përkëdhel i takoi dora tek gungat që kisha në kokë. Ato ishin ba hematoma. U detyrova me tregu të vërtetën.

E mori gjyshja djalin dore dhe shkuan në zyrën e policit..., e mbrojti nipin e saj të vogël. Polici i thotë: - Hiqjani djalit emin Gjon Markagjonit, se ai është... Por plaka trime iu përgjigj: - Ne e kemi traditë me vue emnat e të parëve tonë, në asnjë mënyrë nuk ia ndërrojmë emnin djalit. Por mos ma prek ma me dorë djalin, se atëherë do të kesh punë me mue...

Me shumë vështirësi u regjistrua në shkollën e mesme "18 Tetori". Ishte viti 1956, ishte viti i parë i jetës së kësaj shkolle. Ishte nxënës i shkëlqyer, por një fotografi me shokët e klasës nuk e bëri.

Në fotografitë e nxënësve të kësaj shkolle, nuk janë të pranishem studentët që ishin të internuar, që vinin nga sektorët e internimit si Savër, Plug, Gradisht...

Nxënësit e "deklasuar" ishin aq të vuajtur, sa ta ndjenin se duhet të shmangnin ekspozimin, qoftë edhe në një fotografi shokësh shkollë...

Kësaj kategorie nxënësish nuk kishin nderin t'ia vinin fotografinë tek tabela "Krenaria e Shkollës", e jo më t'i jepej e drejta me vazhdu në universitetet tona...

U rrit Gjoni dhe i provoi të gjitha kampet e internimit, me apelin dy herë në ditë, në vendet e punës më të vështira dhe sa më larg. Duhej të ecte me orë në këmbë, për të shkuar në vendin e punës.

Pas 46 vitesh, në vitin 1991 u kthye në Shkodër, në shtëpi. Gjon Mark Gjomarkaj u emërua kryetar i Caritas-it në Shkodër (nga Ivan Dias - ambasadori i Vatikanit), që ndihmoi me ndihma humanitare qytetin dhe Shqipërinë, mandej drejtoi Caritas-in në Mirditë (që drejtohej nga austriakët). Aty ka ndihmuar në rregullimin e kishave, në veçanti në hapjen e shkollave dhe riparimin e tyre.

U zgjodh deputet nga Partia Republikane në Mirditë. U martua..., por fatkeqësisht, jeta ndaloi për të me 19 tetor 2003.

Shënim: Marrë nga libri "Kalvari i grave në burgjet e komunizmit", Fatbardha Saraçi Mulleti, botim i ISKK.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here