Në vend të pensionit, burgun e Burrelit për mësuesin Tahir Hoxha

0
358
blank

Jeta e patriotit dhe mësuesit nga Tragjasi, Tahir Hoxha, që bashkimi me Ballin Kombëtar, gjatë luftës, i kushtoi 18 vite burg dhe mohimin nga të bijtë

Kur shpërtheu Lufta e Vlorës në vitin 1920, Tahir Hoxha ishte vetëm 20 vjeç. E megjithatë në fund të kësaj lufte, ku u plagos dy herë, populli do t’i thurrte këngë trimërisë së tij:

Atje poshtë në Kaninë,

Tragjasiotë sokëllin

Përmbi tela ç’u vërvinë,

Komandant kishin Tahirë.

Tahir Hoxha, dhe pse vetëm 19-vjeçar, kishte prirë demonstratën e 28 nëntorit 1919 në krahinën e Dukatit. Në këtë demonstratë, siç shkruan Enver Memishaj-Lepenica në librin “Kthimi i borxhit të madh”, botim i ISKK, ku mbështetet ky shkrim, demonstruesit hoqën flamurin italian dhe në vend të tij, ngritën flamurin shqiptar nën thirrjen se “Këtu është Shqipëri”. Mësuesi i ri, i diplomuar në Itali, do t’i kushtohej gjithmonë çështjes kombëtare paralelisht me profesionin e tij të cilin e ushtroi në të gjithë krahinën e Vlorës deri në vitin 1942. Më pas, në jetën e tij do të ndodhte ajo që nuk do ia kishte uruar askujt. Atdhedashuria do i llogaritej për krim nga komunistët, me të cilët ishin bashkuar edhe djemtë e tij, duke qenë se ai nuk u pajtua me ta. Dhe kështu do të dënohej dhe burgosej për shumë vite. Arriti të dalë i gjallë nga burgu, por jetoi i mohuar nga të bijtë deri në fund të jetës. Vetëm në vitin 1993, figura e tij do të nderohej me titullin “Mësues i Merituar”.

Atdhetari, Tahir Hoxha

Tahiri u lind në vitin 1900 në Tragjas të Vlorës në një familje patriotike. I ati, Abas Hoxha, ishte burgosur në vitin 1892 nga turqit së bashku me Daut Muçon, si propagandues i ideve të rilindasve dhe se në shtëpi iu ishin gjetur abetare shqip. Tahiri studioi në Itali, në San-Demetrio Corone dhe u diplomua si mësues me rezultate të shkëlqyera. Ai ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Profesionin e mësuesit e ushtroi në disa fshtara të Vlorës dhe Himarës deri në vitin 1942, kur e mbylli karrierën si drejtor shkolle në Tragjas.

Krahas mësuesisë, u përkushtua dhe në çështjet e atdheut duke marrë pjesë në luftërat dhe lëvizjet shoqërore e politike. Kur Italia pushtoi Shqipërinë më 7 prill 1939, Tahir Hoxha udhëhoqi fshatarët për të kundërshtuar ardhjen e pushtuesve. Nga dita e parë e deri në dhjetor 1944, Tahir Hoxha ishte veprimtar për çlirimin e vendit si udhëheqës i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe anëtar i Komitetit Qarkor të Vlorës. Por ashtu si me pushteuesit, ai nuk mund të pajtohej kurrë as me komunistët duke mbetur kundërshtar i vendosur i ideologjisë së tyre.

Antikomunisti, Tahir Hoxha

Lufta në Shqipëri solli ndër të tjera edhe përçarjen mes shqiptarëve që arriti deri aty sa të ndante edhe anëtarët e një fisi, madje edhe të një familjeje. Kështu ngjau edhe në familjen e Tahir Hoxhës, tre djemtë e të cilit iu bashkuan Frontit Nacionalçlirimtar dhe u bënë komunistë. Për ta që më vonë Partia do u jepte mundësinë të kryenin studimet e larta jashtë Shqipërisë, babai dhe mësuesi Tahir Hoxha u bë armik. Tahiri në dhjetor 1944, gjendej i sëmurë rëndë dhe duke parë që komunistët kishin marrë fuqinë, vendosi të dorëzohej duke i dërguar një letër komandës në Dukat. Megjithëse dergjej në shtrat, shokët e të bijve e morën zvarrë dhe i vunë prangat.

Kryetari i gjyqit, Qemal Klosi, më 20 prill 1945, e pyeti mësuesin , Tahir Hoxha se pse nuk ishte bashkuar me Frontin Nacionalçlirimtar si tre djemtë dhe nipi i tij.

-Sepse nuk kam besuar kurrë, se ajo anije do të na nxirrte në limanin e shpëtimit,- iu përgjigj qetësisht patrioti nga Tragjasi.

Atij do i jepej dënim i përjetshëm, që më pas u kthye në 25 vite burg. Vuajti në Burrel, aty ku mbaheshin armiqtë e rrezikshëm të partisë dhe arriti të dalë gjallë, më 12 maj 1962, pasi kishte vuajtur për 18 vjet. Gjatë këtyre viteve, por as më pas, do i mungonte interesimi i të bijve të cilët duke qenë komunistë kishin ndërprerë çdo marrëdhënie me të atin. Nuk u tregua më pak e ashpër qeveria, e cila nuk i akordoi pensionin e merituar të gati 20 viteve punë si mësues.

Dhjetë vjet pas daljes nga burgu, më 2 korrik 1972, Tahir Hoxha mbylli sytë duke u përcjellë për në banesën e fundit nga vetëm 5-6 miq.

Duhet të kalonin më shumë se 30 vite që t'i njihej kontributi në fushën e arsimit dhe të nderohej me titullin "Mësues i Merituar".

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here