Kryetari i parë i Këshillit Kombëtar, i shuar në burgun e Burrelit

0
50
blank
Processed with VSCO with fs16 preset

Kadi, myfti dhe politikan i viteve të para të shtetit modern shqiptar. Kryetari i parë i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë në vitin 1920. Një veprimtar i dëgjuar si në çështjet kombëtare dhe ato fetare, por që diktatura komuniste e dënoi me burgim të përjetshëm. Jeta e myftiut dhe politikanit Xhemal Naipi e mbyllur në burgun e Burrelit

Hafiz Xhemal Naipi lindi në vitin 1887 në Shkodër në një familje të vjetër qytetare e përmendur shumë për ushtrimin e detyrës së kadiut (gjyqtarit). Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër, kurse arsimin e lartë e kreu në Stamboll për teologji e sheriat. Në Stamboll ra në kontakt me shoqëritë kulturore-atdhetare shqiptare të mërgimit. Ai u pajis me një kulturë të gjithanshme, e cila ia zgjeroi horizontin e dijeve, si dhe arriti të zgjerojë disa gjuhë të huaja, si turqisht, arabisht, italisht e frëngjisht. Pas përfundimit të studimeve kthehet në atdhe dhe shërben në poste të ndryshme me shumë përkushtim. Ai ka qenë kadi, kryetar i komisioni arsimi për Shkodrën, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakufeve, senator, deputet, kryetar i Asamblesë parlamentare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, një nga veprimtarët e rëndësishëm të Lëvizjes së Legalitetit etj.. Ai e ka ushtruar detyrën e kadiut gjatë viteve 1913-1916 dhe gjatë kësaj kohe ka qenë kryetar i komisionit të arsimit për Shkodrën, ku me iniciativën e tij u hapën tri shkolla fillore, të cilat mbaheshin me fondet e bashkisë.

Për arsimin, Xhemal Naipi dha një kontribut të dukshëm nëpërmjet detyrës së tij si drejtor i vakëfeve, që nga viti 1916. Me punën e mirë të kësaj Drejtorie ndër vite u mundësua më pas edhe ngritja e godinës së re të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, një godinë madhështore për kohën. Në vitin 1922, ai ishte ndër përkrahësit më aktivë për hapjen e gjimnazit të shtetit në Shkodër, si dhe ushtroi ndikimin e tij duke lobuar tek miqtë e tij në qarqet e larta shtetërore të kohës.

Materialet e shumta të Myftinisë së Shkodrës së viteve 1923-1929, pasqyrojnë një veprimtari intensive të këtij institucioni nën drejtimin e Xhemal Naipit. Veprimtaria atdhetare e Xhemal Naipit është e pasur dhe e vazhdueshme ashtu si edhe ajo fetare dhe shumë shpesh të lidhura me njëra- tjetrën e të bashkërenditura në përputhje me rrethanat e kohës. Shteti i ri shqiptar ndodhej në fazën e konsolidimit pas pasojave të Luftës I Botërore e të pushtimeve të huaja, në momentin e realizimit të administratës së përbashkët kombëtare. Në sajë të autoritetit të madh, dhe të ndikimit të tij të fuqishëm nga funksionet e ushtruara në Shkodër lëvizja esadiste nuk arriti të shtrihej në këtë qytet të rëndësishëm të Shqipërisë, dhe kjo qe në favor të çështjes kombëtare.

Veprimtaria atdhetare e Xhemal Naipit vjen duke u rritur, kur më 7 nëntor 1918, formohet komiteti "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" dhe drejtohej nga Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina e Bajram Curri dhe H. Xhemal Naipi i jep ndihmën e tij të pakursyer dhe mbështetjen me funksionet e tij këtij komiteti. H. Xhemal Naipi u tregua shumë aktiv për problemet kombëtare në Kongresin e Lushnjës 1920. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, më 27.03.1920 në Tiranë, u zgjodh në komisionin prej pesë vetësh për drejtimin e saj dhe në mbledhjen e dytë më 29 mars 1920, ai, u zgjodh "kryepar" i Këshillit Kombëtar. Ai fitoi 20 vota nga 24 pjesëmarrësit për kryetar i Këshillit Kombëtar dhe si sekretar u zgjodh Hilë Mosi me të cilin bashkëpunoi ngushtësisht dhe miqësisht për mbarëvajtjen e punimeve të Legjislaturës së parë. Ata luajtën një rol të rëndësishëm për funksionimin e këtij organi legjislativ. Xhemal Naipi është kështu kryetari i parë, i parlamentit të parë pluralist shqiptar mbasi aty përfaqësoheshin rryma të për ndryshme politike. Gjatë kohës së Mbretërisë, u zgjodh deputet i Shkodrës në Legjislaturën III (10 shkurt 1937-prill 1939). Pas pushtimit italian nuk pranon si deputet i parlamentit të marrë pjesë në Asamblenë, e cila ia dorëzoi kurorën mbretërore shqiptare Italisë dhe këtë arsye përndiqet më pas duke u internuar në Itali, nga prilli 1939 e deri në shtator 1943. Në nëntor të vitit 1943, zgjidhet kryetar i Lëvizjes së Legalitetit në Kongresin e Zall-Herrit. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, qëndron i fshehur deri në vitin 1946 dhe gjatë viteve 1945-1946, i konfiskohet krejt pasuria dhe familja e tij internohet në Berat për arsye politike. Në kohën kur shpallet amnistia, dorëzohet. Gjatë gjykimit dënohet me vdekje, por më pas i kthehet në burgim të përjetshëm.

Me vendim nr. 218, dt. 23.06.1947, të Gjykatës Ushtarake, Shkodër, dënohet me akuzën "Për pjesëmarrje në organizatën e Lëvizjes së Legalitetit... etj.". Kështu fillon për  Xhemal Naipin kalvari i vuajtjeve të pafund nëpër kampet e punës së detyruar dhe përfundon në burgun famëkeq të Burrelit. Nuk pati asnjë zbritje dënimi, sepse u konsiderua nga regjimi "I pakorrigjueshëm”. Edhe në burg nuk reshti së mësuari të rinjtë dhe të tjerët për fenë dhe atdheun. Vdes në burg në vitin 1955, në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni për varrin e tij. Për vite të tëra iu mohua kontributi i tij i vyer i dhënë për atdheun, por pas rivendosjes së demokracisë në Shqipëri atij i janë akorduar: me rastin e 75-vjetorit të festimeve të Kongresit të Lushnjës urdhri "Për veprimtari patriotike të klasit I" dhe, më vonë, me rastin e dekorimit të një grupi klerikësh të shquar, me medaljen "Pishtar i demokracisë".

Shënim: Marrë nga libri “Persekutimi i klerit mysliman nën regjimin komunist (1945-1967), botim i ISKK, Tiranë 2022me autor Roald Hysa, i cili ka shfrytëzuar si burim “Në kujtim të brezave” të autorëve Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, Shkodër 1997.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here