1984/Tentativë arratisjeje me kamerdare makine

0
380
blank

Ilia Ligor Vanko, i vitlindjes 1952, lindur e banues në Korçë, baba i dy fëmijëve dhe Eduard Rrushi, i vitlindjes 1964, lindur e banues në Korçë, më 26.9.1984, ditën kur u arrestuan, u orvatën të bënin një arratisje nëpërmjet liqenit të Ohrit, por duke qenë shumë larg vijës së liqenit, pikërisht në zonën e qytetit, nuk mundën të kishin sukses. Kalimi nëpërmjet liqenit do të bëhej me një kamerdare, e cila i përkiste fabrikës së qelqit në Korçë.

Të dy konsideroheshin “jo me qëndrim të mirë moralo-politik”. “Ata duke qenë banorë të një blloku dhe të një pallati, janë njohur nga afër me njëri-tjetrin dhe duke kultivuar në ndërgjegjen e tyre shfaqje të huaja për shoqërinë tonë socialiste, gradualisht kanë kaluar nga degjenerimi moral në degjenerim politik, duke kryer një nga krimet më të rënda, atë të tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes së mbetur në fazën e tentativës”-thuhej midis të tjerave në vendimin e dënimit të tyre. U akuzuan në bazë të nenit 47/gj të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Korçë, e drejtuar nga Lluka Zani, me pjesëmarrjen e prokurorit Bardhi Lako, me vendimin nr.213, date 10.11.1984, e deklaroi fajtor Ilian dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, 5 vjet internim pas dënimit dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet; ndërsa Eduardin me 14 vjet heqje lirie. Kamerdarja, e cila i përkiste një makine të fabrikës së qelqit në Korçë, duhej t’i kthehej kësaj ndërmarrjeje.

Të dy shokët u liruan në një datë, më 15.8.1990, sipas dekretit nr.7412, datë 8.8.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ilia nga Reparti nr.327 Gjirokastër (punonte në ndërtim banesash) dhe Eduardi nga Reparti nr.321 Burrel.

 

Në foto Ilia Vanko, në breg të liqenit, pjesa e qytetit, gjatë eksperimentit hetimor të hetuesisë, në vendin ku ishte arrestuar

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here