Lamtumirë Ali Oseku/ “Triumfi i dritave” në kohën e errësirës

0
27
blank

Piktori i njohur Ali Oseku është ndarë nga jeta më 3 prill 2024. Prill, si atëherë, kur në vitin 1975, piktorin e ndanë nga piktura, familja, shoqëria, për ta mbyllur për 4 vite në burgun e Burrelit. AIDSSH ka publikuar përmbajtje nga dokumentet e dosjeve të lidhura me Ali Osekun ku krijimtaria e tij analizohet si dekadente.

Në materialin e përgatitur nga Migena Demirxhi AIDSSH shkruan:

Dokumente që gjenden në arkivën e AIDSSH-së për piktorin Ali Oseku, ndodhen në Fondin 1, Dosja Hetimore-Gjyqësore, Dosje me nr.10616, prej 15 faqesh ku është depozituar vendimi gjyqësor që mban  datën 15.8.1975, i cili e dënon atë me 4 vjet burg.

Po në arkivën e AIDSSH-së gjejmë dokumente nga  Dega IV, Fondi rezerve, Dosje pa numër për shtetasin Ali Oseku, prej 9 faqesh që mban disa dëshmi të rrethit të kolegëve të tij  të cilat kryqëzohen me mendimet e ish-Ministrit të Kulturës dhe Artit, Fadil Paçramit, i cili sipas dëshmitarëve e vlerësonte lart artin e Ali Osekut. 

Po në arkivën e AIDSSH, për Ali Osekun, gjenden edhe disa fletë nga Dosja, Problemi centralizuar- KUBISTET, me nr. 1079, (457 fletë, çelur në 4.10. 1973), në  të cilën fillon survejimi dhe përndjekja e “lidhjeve të elementëve anti-parti Fadil Paçrami e Todi Lubonja me: Skënder, Enver Paçrami, Fatos e Zana Lubonja, Llazar Lubonja, Afërdita Guri (Paçrami) Azmi Hoxha, Maksim Velo, Kudret Velça, Bujar Kapexhiu e Robert Shvarc si edhe një sërë lidhjesh të tjera që aktualisht janë në studim. Për të gjitha këto përpunime dhe lidhje të tyre u përpiluan planet e masave agjenturalo-operative të përbashkëta me qëllim zbulimin, në kohë të veprimtarinë e tyre armiqësore në drejtim të vijës politike të Partisë dhe masave të nxjerra nga Plenumit i IV-të Komitet Qendror”. Rrugës gjatë zhvillimit u fut në ndjekje edhe piktori Ali Oseku, vepra e të cilët u konsiderua kubiste.

blank

Zhvillimet historike ku u ndërmorën masat për burgosjen e Ali Osekut dhe artistëve të tjerë ndodhën kur  ngjarjet artistike u kritikuan në Plenumin IV të PPSH, ku fjalimin kryesor e mbajti Enver Hoxha, më 15 dhe 16 mars të vitit 1973 .

Ali Oseku u arrestua në datën 18.4.1975 me akuzën se ka zhvilluar “agjitacion dhe propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor duke kryer krimin e parashikuara nga neni 73/1 K.P.” 

Në një analizë biografike të gjatë të krijuar për Ali Osekun lexon se: “Ali Oseku është  bërë bartës dhe interpret i diversionit ideologjik imperialisto- revizionist në fushën e artit, të mënyrën të jetesës dhe të estetikës në veshje.” 

Sipas analizës ai “përdor literaturën borgjeze që reklamonte të gjitha rrymat e ndikimet dekadente në art duke krijuar një veneracion të jashtëzakonshme për përfaqësuesit më të përmendur të modernizmit në pikturë dhe duke i propaganduar haptazi forcën artistike, koloritin dhe forcën e veprave të autorëve perëndimor.” Kështu  Sigurimi  merr në analizë vepra të realizuar prej tij, në 1971-1972, kur punonte ai skenograf pranë Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe  raporton mendimet, në të cilat “idealizonte lirinë që borgjezia ia njeh individit për t'u veshur sipas gustos dhe shijeve personale, për të pikturuar ashtu siç e ndjen vetë artisti dhe jo sipas parimeve të realizmit socialist që e kufizon dhe e ndrydh artistin, shkollë kjo, që sipas tij është vjetruar, që nuk e justifikoi koha dhe që do t'ia lërë vendin modernizmit.”

Në analizë thuhet se: “Pikëpamjet e tij ai i ka shprehur në veprat e tij, në dekoret dhe kostumet përgatitura prej tij për operat "Traviata", "Cuca e Maleve", për dramën "Orfeu zbret në ferr", në tablonë "Triumfi i dritave", në portrete e skica të ndryshme ku ai ka gërshetuar realizmin socialist, nga njëra anë, na rryma të ndryshme dekadente, nga ana tjetër, siç janë simbolizmi, realizmi, obstruksionizmi manjerismi.”

"Triumfi i dritave" është edhe tabloja që është paraqitur në gjyq si provë materiale, për të “provuar dekadencën” e artistit. Në gjyq Ali Oseku u akuza se është bërë “ekzekutor i ideve armiqësore të grupit të Fadil Paçranit, Todi Lubonjës, Mihallaq Luarasit e të tjerëve.”

Disa dëshmi të përdorura në gjyq thonë se: "Fadili mori në mbrojtje krijimtarinë dekadente të Ali Osekut” në rastin e tablosë "Elektrifikimi" një tabllo tipike formaliste ku tema shartohej në mënyrë më bajate me teknikën e pikturimit të kubizmit, një nga rrymat me reaksionare të artit të sotëm dekadent, perëndimor.”

Në gjyq u përdor edhe një relacionin i Teatrit Popullor ku thuhet. ".... Shfaqje të huaja pati në skemat dhe kostumet sidomos të shfaqjet "Viti 1961” dhe "Orfeu zbret në ferr". Këto shfaqje u cilësuan “ekstravagante, me lojë snobiste në format gjeometrike, ngarkesa dhe pjerrësia e podiumeve, efekte të huaja me lojën e dritave etj. si kopje të shëmtuara të festivalit si ai i San Remos".

Ali Oseku u lirua nga burgu në vitin 1979 dhe nga ajo kohë deri në përmbysjen e regjimit komunist punoi si punëtor krahu, pa të drejtën e ekspozimit. Në vitin 1991, ai iu kthye jetës krijuese duke qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura. Në vitin 2014 e në vazhdim ushtronte krijimtarinë e lirë të pikturës. Ekspozita e tij e fundit, në 2023 mbante titullin “E gjithë drita që nuk mund të shoim”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here