1987/I ndaluar afër klonit në kufi

0
187
blank

Në kohën e diktaturës komuniste, për të parandaluar arratisjet, disa qindra metra ose kilometra larg kufirit zyrtar, ekzistonte një gardh telash me gjemba, i quajtur “klon” (pengesa elektro-sinjalizuese), i cili vështirësonte kalimin, jepte zhurmë ose sinjal elektrik. Për të gjithë ata që donin të arratiseshin, kloni ishte mister i madh. E përfytyronin, por nuk e dinin si ishte. Të gjithë bënin plane si ta kapërcenin pa lënë gjurmë, por të gjithë e kishin frikën e sinjalit që mund të jepte.

Artur Haxhi Karai, lindur në vitin 1959 në Tiranë, banues po këtu, u arrestua më 26.7.1987 në një përpjekje të pasuksesshme për t’u arratisur. U akuzua në bazë të neneve 47/gj dhe 11 të Kodit Penal. Ai kishte pasur në plan të arratisej e për këtë qëllim kish biseduar me shokun e tij Ilia Tole, por ky kish hequr dorë. Pas kësaj, ai hartoi një plan duke shkuar me bashkëshorten te tezja e kësaj në Vidohovë të Korçës. Ka studiuar terrenin për të gjetur kohën e përshtatshme. Në orën 1.30 të ditës që u ndalua u nis me makinë rasti në Fitore. Pasi i drejtohet kufirit dhe has klonin, me një dru të atyshëm hap një gropë poshtë telit. Pa e kuptuar se lëshoi sinjal, nuk largohet shumë metra deri sa kapet nga kufitarët Pandeli e Luan të postës kufitare të Vidohovës.

Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.407, datë 14.10.1987, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.5, datë 21.1.1988 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.321 Burrel.

 

Fotoja është e eksperimentit hetimor të hetuesisë në vendin e kalimit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here