10 vitet në Burrel të të papërkulurit, Musa Dërguti

0
0
blank

Ai nuk mund të pajtohej me komunistët që i quante të pafe. Ndaj ata e dënuan me 10 vite burg, të cilat i kreu një më një në burgun e Burrelit. Duke shenjuar edhe atje kujtesën e bashkëvuajtësve dhe duke fituar respektin e tyre, siç kishte bërë me qytetarët e Shkodrës

 

Musa Dërguti u lind në Shkodër më 3 mars të vitit 1888. Mësimet e para i mori në shtëpi dhe më pas në mejtepin e lagjes Ndocej të qytetit të tij, ndërsa të mesmet në Medresenë e Pazarit në Shkodër. Me mbështetjen e familjes, e cila ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike, vazhdoi studimet e larta në Stamboll. Pasi u kthye në atdhe, nisi të shërbejë si imam dhe hoxhë.

Ai përshkruhet si një imam i përkushtuar dhe i gatshëm për të udhëzuar besimtarët e për t’u predikuar atyre me zjarr e sinqeritet, çfarë do e bënte një figurë shumë të dashur për qytetarët shkodranë.

Në vitin 1920, hafiz Dërguti iu bashkua 3000 luftëtarëve që dolën për të përballuar forcat ushtarake jugosllave që pushtuan Kelmendin, Kastratin, Shkrelin e Koplikun. Bashkëkohësit e tij tregojnë se kur iu plagos një shok ai e nxori nga beteja duke e mbajtur në krahë dhe e çoi deri në spitalin e Shkodrës. Ai u përfshi aktivisht në jetën politike të vendit gjatë viteve 1920-1924 dhe përkrahu Fan Nolin. Për këtë arsye, pas rikthimit të Zogut në pushtet, ai arrestohet dhe mbahet për dy muaj i izoluar, por me ndërhyrjen e klerit të lartë mysliman lirohet dhe rifillon veprimtarinë fetare.

Një luftëtar i lindur kundër çdo rryme që binte ndesh me parimet e tij dhe e konsideronte të dëmshme për shoqërinë, Dërguti do niste të kundërshtonte edhe ideologjinë komuniste, kur ajo nisi të përhapej.

Ai e intensifikon veprimtarinë e tij anti-komuniste në të gjitha rrethet shoqërore gjatë periudhës 1939-1944 dhe për këtë dënohet me vdekje nga grupimet komuniste të asaj kohe, por kjo masë nuk u zbatua, ndoshta nga frika e një konfrontimi popullor, pasi për qytetarët shkodranë Musa Dërguti ishte një figurë shumë e dashur. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, në vitin 1945, u arrestua tri herë, por u lirua gjithmonë për mungesë provash, deri sa arrestohet përfundimisht në shtator të vitit 1946, me pretekstin e pjesëmarrjes në kryengritjen e Postribës. Për shumë muaj rresht u torturua në birucat e sigurimit. Më në fund doli para Gjykatës Ushtarake të Shkodrës në nëntor të vitit 1947, kur u dënua me 10 vjet heqje lirie. Ai i ka vuajtur të gjitha vitet e dënimit pa përfituar asnjë amnisti, madje ka kryer 2 muaj burg më shumë se dhjetë vitet e dënimit, e të gjitha, në burgun e Burrelit.

Por nuk i lanë të qetë as familjen. Më 5 prill të vitit 1949 familjen e nxjerrin nga shtëpia dhe e mbajnë për ca kohë në burgun e Shkodrës për t’u internuar më pas në Berat, Tepelenë, Luzhan të Korçës, në Kalanë e Portopalermos dhe më vonë në Skrapar dhe Lushnjë. Pas katër vjetësh, lirohet e shoqja, ndërsa djali i vogël, Sabriu, lirohet pas tetë vjetësh. Dy djemtë e mëdhenj, Fejziu dhe Hamiti, arratisen që në ditët e para, ndërsa djali i tretë, Eqeremi, dënohet dhe mbahet në burg për 4 vjet.

Megjithë vuajtjet, të tijat dhe të familjes, natyra e Musa Dërgutit nuk ndryshoi kurrë brenda burgut. Kur familja kishte mundësi t’i sillte ushqime, sipas dëshmitarëve, ai pjesën më të madhe të tyre ua jepte më nevojtarëve brenda burgut. Nuk ndaloi as faljen dhe as e kurseu fjalën e mirë gjatë dhjetë viteve të gjata që jetoi i izoluar në Burrel.

Bashkëvuajtësit e tij, dëshmojnë për cilësitë e këtij njeriu.  “Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si mysliman ishte kreaturë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar ku s’ka ma, dai (dorëdhanës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquem, bashkëpunëtor i opozitës, antikomunist i vendosun. Kështu e kam njoftë Hafiz Musa Dërgutin”, ka shkruar në kujtimet e tij, Tom Lec Marku.

Edhe At Zef Pllumi ka lënë kujtime për të: “…hoxha jo vetëm ishte shumë tolerant, por edhe shumë mirëdashës… ai na respektonte (kur në dhomën e burgut jetonte me klerikët katolikë)  e për këtë kishte stimën e dashuninë e ne të gjithëve. Ishte një plak i hijshëm e shumë i sinqertë, na thoshte se gjithë jetën kishte treguar simpati për Klerin Katolik…” dhe "Hafiz Dërguti ishte njeri i devoçëm, por jo fanatik. Ai kishte postiqen, ulej e falej aty dhe na respektojshim lutjet qw ai i drejtonte Zotit".

Por sa i dashur dhe i sinqertë, aq krenar dhe trim ishte ai. Gjatë kohës së dënimit në një rast kur një polic burgu e shqetësoi gjatë faljes ai, më pas, pa u trembur fare e qëlloi me paguren e ujit dhe një ngjarje si kjo nuk mund të harrohej, ndaj edhe përcillet në jetëshkrimet e tij.

Më në fund, më  8.11.1956, u lirua nga burgu dhe mundi të bashkohej me familjen pas 10 vitesh, gjatë të cilave, jo vetëm ai, por të gjithë anëtarët e asaj familje kishin kaluar vuajtje e mundime. Ishte 66 vjeç, i drobitur nga torturat dhe qëndrimi në birucat e Burrelit.

Hafiz Dërguti ndërron jetë më 15 mars 1961 dhe përcillet më nderime nga të gjithë qytetarët e Shkodrës, të krishterë e muslimanë, duke u bërë kështu funerali i tij një sfidë për diktaturën.

Mbështetur në librin "Persekutimi i klerit mysliman nën regjimin komunist (1945-1967) i autorit Roald Hysa, botim i ISKK dhe faqen zaniinalte.al, nga është marrë dhe fotoja.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here