Mjeku që dorëzoi bluzën e bardhë dhe nisi punë në minierë

0
219
blank

Për të mos shkelur betimin e mjekut, siç pretendonte komanda e burgut, Jetullah Gashi hoqi bluzën e bardhë dhe nisi, që të nesërmen, punë në minierë. Të dënuarit e Spaçit, në atë kohë, nuk e kanë harruar gjestin simbolik të mjekut nga Kosova që kish ardhur në Shqipëri në moshën 20-vjeçare dhe ishte arrestuar 13 vite më vonë si agjent i UDB-së. Sot, Jetullah Gashi, i ndarë nga jeta më 15 nëntor 2022, do të mbushte 80 vjeç. Me siguri, për 30 vjet, në ditën e lindjes, ai ka kujtuar edhe ditën e lirimit nga burgu, më 6 shkurt 1991.

 

 

“Në Spaç është edhe një ambulancë, ku gjen një mjek dhe ndihmësin e tij…Është edhe një mjek me profesion, por që punon minator në zonën e parë. E quajnë Jetullah, është kosovar. Ka dhënë dorëheqjen dy herë si mjek. Herën e parë kur komanda zhvlerësonte raportet e tij ku ai rekomandonte që filan i dënuar të mos dalë në punë, duke i detyruar të dënuarit që edhe me temperaturë të dilnin në punë… “Unë jam mjek, ju nuk mund të më detyroni mua të bashkëpunoj me ju për të vrarë të burgosurit”…Filloi punë në minierë. Pas disa kohësh, meqë mjeku i deriatëhershëm u lirua, në pritje deri sa të arrestohej ndonjë mjek tjetër, komanda u detyrua të emëronte sërish Jetullahin si mjek, por këtë radhë pa i vënë kushte. Për pak kohë… Sapo erdhi një mjek tjetër në Spaç, filluan përsëri presionet. Operativi i kërkoi bashkëpunim: “…te ty kanë besim njerëzit dhe hapen me ty…, nëse na ndihmon, do të lirohesh shumë shpejt, po nuk pranove, në minierë e ke vendin”. Të nesërmen, mjeku rifilloi punën si punëtor nëntoke. Peshonte, pak a shumë, 50 kg, eshtak, i qetë në të folur, i zbehtë në fytyrë. Por është burrë. Dhe burrat këtu respektohen”, shkruan Maksim Rakipaj, ish-i dënuar politik, në librin “I mbijetuar”, botuar më 2018 nga botimet “2 Lindje & 2 Perëndime”. Se kush është mjeku nga Kosova që të zgjon kureshtjen për qëndrimin e tij, mund ta gjesh fare lehtë. Janë disa të dënuar politikë të Spaçit që e kanë përmendur gjestin e Jetullah Gashit, i cili dorëzoi bluzën e bardhë dhe hyri të punonte në minierë, në shenjë proteste ndaj komandës që nuk e lejonte t’u jepte raport të sëmurëve.

Dita e fundit e verës

Jetullah Gashi u lind në fshatin Mramor të Prishtinës. Ishte 20 vjeç kur vendosi të arratisej i vetëm drejt Shqipërisë. Sipas një interviste të gjatë që ka dhënë disa vite më parë, arsyeja e vërtetë që ai erdhi në Shqipëri nuk ishte e lidhur me asnjë çështje madhore, por qe thjesht një mendim dhe vendim rinor. Një mësuese e kishte ngelur dhe ai kishte humbur vitin shkollor. Kështu kishte nisur të punonte në Shkup, me të atin, i cili dikur kishte luftuar si partizan. Në një nga udhëtimet vetëm me tren nga Maqedonia në Kosovë, në 30 gusht 1964, ai vendos të ndalet në Gjakovë dhe të kalojë kufirin për në Shqipëri dhe kështu veproi.

Të dielën e 31 gushtit 1964, rreth orës 14:00 u dorëzua në postën kufitare të fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës. Djaloshin e morën në pyetje në Degën e Brendshme të Bajram Currit, ku qëndroi pak ditë e më pas e strehuan në një shtëpi në Shijak, që shërbente si bazë e Sigurimit për emigrantët kosovarë. Pasi e morën në pyetje dhe u bindën se pas tij nuk fshihej asnjë armik apo qëllim armiqsor, e dërguan në Korçë. Jetullah Gashi përfundoi shkollën e mesme në Maliq dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Punoi një vit si mjek në Korçë dhe më pas e ushtroi profesionin e tij në Elbasan deri në prill 1977, kur e arrestuan në mënyrë demonstrative gjatë një mbledhje të kolektivit, duke e akuzuar si agjent të UDB-së. Jetullah Gashi ka treguar në një intervistë për memorie.al se në qelitë e degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, gjatë hetuesisë, ai është torturuar në mënyrë çnjerëzore për të pranuar akuzat e rreme që i bëheshin. Më pas e nxorën në gjyq dhe e dënuan me 25 vite burg.

Një mjek nën tokë

Jetullah Gashi do ta vuante dënimin në Burgun e Burrelit dhe në dy kampet më të egra të atyre viteve, Spaç dhe Qafë-Bari. Duke qenë se nevojat për mjekë në kamp plotësoheshin me mjekët e dënuar, ai mund ta kishte kaluar dënimin, duke ushtruar profesionin e tij, por nuk ndodhi kështu. Ndërsa shumë të dënuar provonin të gjitha mënyrat për t'i shpëtuar punës së minatorit, mjeku nga Kosova zgjodhi vetë të zbriste në minierë. Kjo sepse nuk mund të shkelte mbi betimin e Hipokratit dhe veten, siç i kërkonte komanda. Në intervistën e para disa viteve, ai ka kujtuar se si komanda i bënte presion për raportet 3-ditore që u jepte të sëmurëve, siç e kërkonte protokolli mjekësor, pasi për drejtuesit e burgut nuk kishte rëndësi fare shëndeti apo jeta e të dënuarve, por vetëm nxjerrja e mineralit. Tensioni mes tij dhe komandës së Spaçit arriti kulmin në një rast kur, nga shirat e shumtë, uji i pijshëm në kamp u ndot dhe të dënuarit u sëmurën në masë. Duke qenë se doktor Jetullahu në këto kushte po u jepte, bashkë me ndihmën mjekësore, pushimin e nevojshëm nga puna një numri të madh të burgosurish, komanda u shqetësua dhe e thirri mjekun për ta pyetur me nervozitet pse i kishte lënë pushim të burgosurit. Arsyetimit profesional të mjekut, i cili donte t’u tërhiqte vëmendjen për gjendjen e të sëmurëve, askush nuk ia vuri veshin duke i thënë madje ta mbyllte gojën. Atëherë, duke qenë se nuk mund ta mbante të pastër, doktor Jetullahu hoqi bluzën e bardhë dhe ia la në dorë një polici. Që të nesërmen, nisi punë në galeri me bashkëvuajtësit e tij.

Dita e lindjes, dita e lirisë

Jetullah Gashi është një ndër të dënuarit e fundit politikë të liruar nga burgjet shqiptare. Ai, bashkë me disa të dënuar të tjerë, u lirua me dekret të Kuvendit Popullor, më 6 shkurt të vitit 1991. Ishte dita kur studentët e Universitetit Bujqësor dhe më pas, ata të Universitetit të Tiranës u ngritën në protesta, duke nisur kështu një lëvizje që kulmoi me rrëzimin e shtatores së diktatorit më 20 shkurt të atij viti. Atë ditë ishte edhe ditëlindja e tij. Njeriu mund të lindet edhe në moshën 47-vjeçare.

Jetullah Gashi jetoi pak kohë te të afërmit në Zvicër dhe pastaj u kthye në Kosovë, ku krijoi familje. Në prill 1999, ai erdhi në Shqipëri bashkë me qindramijëra bashkatdhetarë që lanë Kosovën në kushtet e luftës, për t'u kthyer sërish atje në korrik të atij viti , ku edhe u shua në moshën 78-vjeçare.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here