Miku i vërtetë, Xhafer Xhomo

0
158
blank

Kur po e gjykonin si pjesëmarrës në organizatën e sajuar kundërrevolucionare, gjoja të kryesuar nga Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, Xhafer Xhomo e kishte të qartë që më e mira që mund t’i ndodhte ishte të plakej në burg. E megjithatë kjo nuk e pengoi të mbante qëndrimin dinjitoz që mbajti në atë sallë ku disa edhe u thyen.

 

 

Janë me mijëra të burgosurit politikë gjatë diktaturës në Shqipëri, 34135 sipas Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Për shumë prej tyre, nuk dihet më shumë sesa tregojnë të dhënat zyrtare. Për shumë prej tyre, nuk do të dihet kurrë më shumë. Nuk do të dihen ëndrrat që kanë pasur para se të dënoheshin e ridënoheshin e të dilnin të moshuar prej burgut. Nuk do të dihen vuajtjet që kanë hequr. Nuk do të dihet as kurajoja dhe fisnikëria që kanë treguar në situatat më të vështira. Por për fatin e mirë për disa mund të zbulohet diçka nga dëshmitë e kujtimet e atyre që i kanë njohur nga afër në gjyqet e burgjet komuniste, siç është rasti i Xhafer Xhomos, figurën e të cilit do përpiqemi ta skicojmë në vijim.

Xhafer Xhomo është një nga të dënuarit politikë që u gjykuan në vitin 1979 i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe gjoja pjesëmarrje në një organizatë kundërrevolucionare me në kyre Fadil Kokomanin e Vangjel Lezhon, kur qëllimi kryesor ishte pushkatimi i Kokomanit dhe Lezhos për një letër që i kishin dërguar Komiteti Qendror ku kritikonin politikat e Enver Hoxhës. Fatos Lubonja, gjithashtu i përfshirë dhe i ridënuar në atë proces, i ka sjellë zhvillimet e atyre muajve në librin “Ridënimi”. Në këtë libër, për të cilin autori ka shfrytëzuar veç kujtesës, edhe dosjen e procesverbaleve të gjyqit, gjenden jo vetëm copëza biografie të të pandehurve të atij procesi, por edhe qëndrimet e tyre në sallën e gjyqit. Pikërisht në atë sallë, Xhafer Xhomo, shfaq qëndrueshmëri dhe dinjitet dhe kur i vjen radha të mbrohet, mjaftohet me mbështetjen sa të çiltër aq dhe të guximshme për Fadil Kokomanin për të cilin të gjithë mendonin se nuk do i shpëtonte pushkatimit.

Por para se të shkojmë te viti 1979, po sjellim disa të dhëna rreth jetës së Xhafer Xhomos.

Nga vendimi i Gjykatës në vitin 1979, të botuar në librin “Ridënimi”, mësohet se Xhaferi ishte lindur në Leskovik të Kolonjës. I përkiste shtresave të pasura fshatare të bejlerëve. Para se të dënohej banonte në Tiranë. Ishte zooveteriner me arsim të lartë.

Sipas fjalorit enciklopedik të ISKK, Xhomo u dënua për herë të parë në vitin 1967 për tentativë arratisjeje me 20 vjet heqje lirie. Kur viti 1971 po i linte vendin vitit pasardhës, ndodhej në burgun e Burrelit. Në librin e Elektra Çapalikut, “Magazina e komunizmit shqiptar” me foto objektesh nga periudha e diktaturës, spikat faksimilja e një letre burgu e ruajtur në familjen e Pjetër Arbnorit. Është një urim për vitin e ri, që Xhafer Xhomo i burgosur në Burrel i shkruan bashkëvuajtësit Pjetër Arbnori: “Sh. Pjetër Arbnori. Dh. Nr.1. Sh. Pjetër. Viti 1972, qoftë për ju dhe familjen tuaj të shumëvuajtur, një vit fatbardhë. Xhafer Xhomo”.

Në maj të vitit 1973, ndodhet në Spaç, pasi përmendet në raportet e policëve për revoltën e Spaçit si një nga të dënuarit që hidhte parulla kundër pushtetit. Megjithatë, ai i shpëtoi ridënimit pas revoltës, por jo ridënimit në përgjithësi.

Në shkurt 1979 ndodhej ende në kamp-burgun e Spaçit. Madje kur e riarrestuan ndodhej në izolim. Ishte duke vuajtur tmerrin e gjithë të burgusorve: birucën në dimrin e akullt, kur temperaturat e Spaçit shkonin në -20 gradë Celsius dhe të dënuarve nuk u jepej asgjë veç një batanijeje të hollë për orët e natës. Arsyeja sipas Fatos Lubonjës, ishte një gozhdë e madhe që i kishin futur për inat në dyshek, duke e spiunuar më pas e duke e dënuar për mbajtje sendesh të ndaluara. Disa muaj më parë, nga Spaçi kishin marrë edhe Fadil Kokomanin e Vangjel Lezhon të cilët i kishin dërguar një letër Komitetit Qendror ku shpreheshin kundër Enver Hoxhës dhe pro Bashkimit Sovjetik. Ata ishin gjykuar dhe ridënuar me nga 10 vjet burg për letrën, kështu që asnjë nga të arrestuarit e Spaçit, si Xhafer Xhomo, Fatos Lubonja e gjashtë të tjerët, nuk e dinin që arrestimi i tyre kishte të bënte me Fadilin e Vangjelin. Por më vonë u kuptua se qëllimi i këtij procesi ishte pushkatimi i Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, për të cilët masa e ridënimit me 10 vjet burg, ishte dukur pak. Kështu, u sajua skenari i një organizate kundërrevolucionare prosovjetike të krijuar në burgun e Spaçit, me në krye ata të dy dhe pjesëmarrës këta të tjerët, e cila synonte rrëzimin e pushtetit popullor. Për sajesën u gjendën dëshmitarët e rremë, ata që e kishin kthyer në profesion këtë aktivitet tashmë dhe pas një procesi gjyqësor shtatëditor, të zhvilluar nga data 10 më 18 maj 1979, në mjediset e hetuesisë pranë burgut të Tiranës, u dha dënimi me pushkatim për Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon dhe me 23 deri në 16 vjet burg për të tjerët.

Xhaferi kryesonte listën e të dënuarve me burg, me 23 vite. Do të plakej në burg. Kur gjykohej për herë të dytë, e dinte mirë që e priste ky fat. Ndoshta edhe më keq. Ai duke qenë i treti në listën e të pandehurve, menjëherë pas Kokomanit dhe Lezhos, ishte edhe më në rrezik të pushkatohej se të tjerët që vinin pas tij. E megjithëse kishte arsye për të qenë i tensionuar dhe ndonjëherë mund t’i mbahej goja më shumë se zakonisht, ai nuk tha për asnjë çast një fjalë që i kompromentonte ndërgjegjen apo që mund të rëndonte të tjerët.

Në sallën e gjyqit, siç e përshkruan Fatos Lubonja, te “Ridënimi”, Xhaferi kishte ardhur i veshur me këmishën e hollë dhe xhaketën e dokut që kishte në birucë, në Spaç, kur e riarrestuan. Xhaketës ia kishin hequr komçat dhe ai e kishte “kopsitur” me disa penj të nxjerrë nga batanija. I irrituar, kur u pyet nëse i pranonte akuzat për pjesëmarrje në organizatë kundërrevolucionare dhe agjitacion e propagandë, ai i mohoi që të dyja, duke tundur para gjyqtarit xhaketën e dokut për të treguar hapësirën që krijohej mes saj dhe trupit të tij të dobësuar në ekstrem, por kryetari i gjyqit, Sofokli Kongo, i kishte thënë: Mjaft ke livadhisur, Xhafer Xhomo!

Në seancën e dytë, gjyqtari e kishte ngritur Xhaferin të mbante fjalën e tij, menjëherë pas Fadilit. Xhafer Xhomo u prezantua si i biri i Hasanit dhe Myzaferes duke përmendur origjinën e tij bej, të ndryshme nga gjithë të pandehurit e tjerë që kishin afërsi me klasën në pushtet. Ai përmendi se ishte dënuar për tentativë arratisjeje, pasi donte të shkonte te tezja në Athinë, për motive ekomomike. Për marrëdhënien me të akuzuarit si kryetarë të organizatës, Xhaferi tha se Fadilin e kishte njohur në vitin 1968 në kamp dhe i kishte lidhur muzika, pasi të dy këndonin. Ndërsa Vangjelin e kishte njohur në burgun e Burrelit. “Kam respekt për të si intelektual”, tha ai.

Për sa i përkiste akuzës më të rëndë, asaj të organizatës ai tha: “Deklaroj këtu se ekzistencën e kësaj organizate nuk ma ka përmendur njeri, se nuk më ka propozuar njeri të futem në të…”. I quajti shpifje, siç edhe ishin, deklaratat e dikujt që ai bënte pjesë në këtë organizatë duke shtuar: “Do ta quaja për turp të më udhëhiqte Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Kam personalitetin tim”. Më pas, tha edhe që me Fadilin dhe Vangjelin kishte mëse një vit e gjysmë pa folur. “Kam parimet e mia asketike”, spjegoi ai. Gjyqtari i përmend deklaratën që kishte bërë në hetuesi ku thoshte se ata ishin miqtë e tij më të mirë dhe Xhafa i përgjigjet se kjo ishte e vërtetë, por nuk donte të thoshte që kishte folur kundër pushtetit me ta.

Fatos Lubonja shkruan se pavarësisht që kishte logjikë dhe ishte i prerë në ato që thoshte, Xhafa, për shkak të rrezikut të pushkatimit, ishte i tensionuar. Këtë e kishte vënë re dhe gjyqtari që kishte nisur ta provokonte me pyetje dhe papritur, ai kishte thënë:

-Po, kam bërë agjitacion dhe propagandë. Në hetuesi nuk e kam pranuar, por po e pranoj këtu.

“Xhafa kishte një dozë të rrezikshme sinqeriteti”, shkruan Fatos Lubonja. Megjithëse për një moment të pandehurit mund të jenë trembur që ai mund të nxirrte gjithë bisedat që bëheshin në Spaç kundër pushtetit dhe udhëhqjes, Xhafer Xhomo nuk preku askënd, por përmendi vetëm deklaratat e tij në burg, të bëra para ndonjë spiuni, me qëllim që ta denonconin. “Puna është, se unë desha të transferohesha nga Spaçi, sepse jam njeri i sëmurë, tuberkuloz. Kam dashur të shkoj në Burrel dhe me këto denoncime mund të më dënonin dhe të më çonin atje”, tha ai, i cili megjithëse i sëmurë në Spaç punonte në galeri.

Me atë sinqeritetin “e rrezikshëm”, ai tha më vonë se nuk mund të pohonte as që e donte, as që nuk e donte pushtetin popullor. “Mua do më pëlqente një demokraci perëndimore, si Zvicra apo shtetet skandinave”-tha Xhafa duke buzëqeshur pak. Ndërsa për Partinë e Punës tha se e respektonte për konsekuencën e saj dhe do donte që ta ulte pak dhunën.

-Ç’kupton me “dhunë”, i pandehur?-pyeti kryetari i gjyqit.

-Burgun tim,-tha Xhafa.

Në fund, si zakonisht, erdhi pyetja nëse ndiente pendesë. Ai heshti. Aq gjatë, sa kryetari ndërhyri: Apo do ta lësh për në fund, kur të bësh mbrojtjen? -Po e lë për në fund,-tha Xhafa.

Seanca kur prokurori do lexonte pretencën dhe të pandehurit do bënin mbrojtjen dhe do thoshin fjalën e fundit, u mbajt më 17 maj.

blank
Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani

I pari kishte folur Fadil Kokomani. Një mbrojtje ku me argumente të qarta kishte rrëzuar akuzën dhe me një guxim të paimagjinueshëm kishte mbrojtur idetë e tij dhe të Vangjel Lezhos për kursin politik që duhet të ndiqte Shqipëria, që sipas tij duhet të ishte ai i Bashkimit Sovjetik dhe jo rruga që kishte zgjedhur Enver Hoxha. Ai e kishte thënë hapur atë që prokurori dhe gjyqtarët hiqeshin sikur nuk ishte e vërtetë, që atë dhe Vangjelin po i dënonin për shkak të letrave dhe jo për një organizatë kundërrevolucionare, për të cilën nuk kishte asnjë fakt që ekzistonte. E mbajti këtë fjalë të gjatë mbrojtjeje menjëherë pasi prokurori kishte lexuar pretencën kur për të dhe për Vangjel Lezhon kërkohej pushkatimi. Efekti që kishin krijuar fjalët e tij është lehtësisht i imagjinueshëm. Të gjithë e kishin të qartë që ishte e padrejtë që ai njeri të vritej. Pikërisht në këtë çast, ishte thirrur për fjalën e mbrojtjes Xhafer Xhomo. Lubonja shkruan se Xhaferi foli me një zë që në fillim iu mor shumë:

-Uuunnë e kaam diiitur veten më të miirë se Fadili, por Fadili është njëmiiijë herë më i mirë se unë. Ai është shoku im gjenial…dhe jam i bindur se ai nuk do të pushkatohet.

Kaq tha dhe u ul.

Të nesërmen, kur iu kërkua fjala e fundit, para se të jepej vendimi përfundimtar, Xhafa tha, prerë: Kërkoj vetëm drejtësi!

Dhe drejtësi nuk do të kishte. Fadilin dhe Vangjelin e ekzekutuan. Xhafer Xhomon, të cilit i kishin mbetur 7 vite burg nga dënimi i parë, e dënuan me 23.

Xhafer Xhomo u lirua me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor më 12 mars 1991. Kishte hyrë në burg kur ishte 35 vjeç, i pamartuar dhe vuajti pa ndërprerje, madje i sëmurë, 24 vjet heqje lirie duke u liruar pak para se të mbushte 60 vjeç.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here