Jeta e bukur vetëm një kujtim, Skënder Qyteza nuk njihej më nga torturat

0
1190
blank

Përmbysja e jetës së trashëgimtarit të një prej familjeve më të pasura korçare, që përjetoi 24 vite burgje dhe mbi 20 vjet internim

“Unë po shikoja nga dera duke pritur të shihja Skënderin. Në fillim u fut një njeri me duar të lidhura, por unë nuk e njoha. Pas pak dëgjova që më thërriti në emër dhe pasi drejtova sytë nga vinte zëri, pashë Skënderin. E kishin torturuar aq shumë sa unë nuk e njoha. Në qeli, katër herë mjekët kishin mundur ta rikthenin në jetë pas torturave”. Ai që shihte bashkëshortja e tij, Fatrija, ishte një burrë i tretur, i zbehtë, një grumbull eshtrash që dukej sikur do shpërbëheshin nga çasti në çast.

Skënderi ishte 59 vjeç. Ky ishte arrestimi i tij i dytë. Herën e parë kur e kishin dënuar, kishte qenë 25 vjeç. Kush do i krahasonte këto dy kohë, nuk do ta besonte që i përkisnin jetës së të njëjtit njeri.

I lindur në një familje shumë të pasur, për shkak të tregtisë që u kishte vajtur mbroth të atit dhe xhaxhallarëve, falë një pune vetëmohuese shumëvjeçare, Skënderit nuk i kishte munguar kurrë asgjë. I ati dhe xhaxhallarët kishin jetuar disa vite në Amerikë dhe më pas ishin kthyer në vendlindje ku ishin marrë me tregti. Skënder Qyteza u bë i njohur si kavalier në vitet e rinisë, kur nuk tregohej kurrë dorështrënguar teksa shijonte jetën e gëzueshme të qytetit të tij. Familja ku u rrit Skënderi kishte qëndrime nacionaliste dhe kontakte me krerët e Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri dhe Safet Butka, po edhe pse i ati, Qamili mbante arkën e kësaj organizate, në luftë nuk u angazhua kurrë. Ai vazhdonte punën e tij i patrazuar duke qenë që mes ballistëve dhe partizanëve nuk kishte nisur përçarja, por kjo vazhdoi deri në Marrëveshjen e Mukjes. Më pas gjithçka mori rrokullimën. Me të marrë pushtetin, një ndër familjet e para që goditën komunistët ishte ajo e Skënderit. Ai u arrestua bashkë me të atin, në maj të vitit 1945. I ati u dënua me pushkatim, ndërsa Skënderi me 101 vjet heqje lirie, që do t’i ulej më pas.

blank
Skenderi, 1942

Djaloshi elegant i Korçës së viteve ’30-’40, tashmë duhet të përballej me punën e rëndë dhe kushtet e mjerueshme të burgjeve dhe kampeve. Fillimisht e çojnë në Burrel, ku mbylleshin armiqtë e rrezikshëm e të betuar të partisë, por pas 9 vitesh aty, nga 1945-1954, e dërgojnë në Kuç të Vlorës dhe më pas në kampin e Elbasanit. Aty njeh edhe vjehrrin e tij të ardhshëm, Ali Maliqin.

Kur doli nga burgu, Skënderi u dërgua në fshatrat e internimit në Lushnjë, atje ku ishte dhe vajza e shokut të burgut, Fatrija. Shkuesia ishte bërë dhe ata u martuan në vitin 1959, kur Skënderi ishte 39 vjeç dhe Fatrija, 26. Në dasmë mungonte babai i nuses, që vuante dënimin në burgun nga nuk do të dilte kurrë, por ishte e pranishme thuajse gjithë fisnikëria e dikurshme e Shqipërisë, e cila në periudhën e komunizmit gjendej e internuar në fshatrat e Myzeqesë.

Do të kishte qenë shumë ndryshe dasma e pasardhësve të dy familjeve të mëdha shqiptare, njërës nga Dibra e tjetrës nga Korça. Nusja do të kishte çuar pajë dhe do të kishte gjetur një shtëpi të ngjashme me sarajet, por gjithçka që gjeti ishte një dhomë me kallama, me dritare me plastmasë në vend të xhamave dhe perdeve të qëndisura, një krevat dërrase dhe një dyshek. Në atë kasolle, në Gradisht të Lushnjës, lindën edhe dy djemtë e tyre Arbeni dhe Arjani, që pasurinë e parardhësve të tyre vetëm do mund ta merrnin me mend, gjë që as sot nuk ka ndryshuar sepse kompensimet e premtuara nuk janë realizuar. Megjithatë krijimi i familjes duhet t’i ketë zbutur disi shpirtrat e vuajtur të Skënderit dhe Fatrijes, e cila, edhe ajo nga ana e saj kishte pasur një të kaluar shumë të dhimbshme. Kishte përjetuar kampin e Tepelenës, nga me siguri mbartte një dhimbje të pashlyeshme. Por ata nuk u lanë të qetë. Në vitin 1979, kur Skënderi ishte 59 vjeç, e riarrestojnë. I kërkojnë të thotë gjëra që ai nuk pranon dhe për këtë arsye e dënojnë përsëri. Në sallën e gjyqit do të vinte edhe bashkëshortja dhe djemtë. Janë kujtimet e asaj dite që ka përshkruar Fatrija në një rrëfim të 17 viteve më parë dhënë Xhevahir Gradicës. Ajo nuk mundi ta njihte bashkëshortin e saj. Aq i drobitur ishte sa gjatë seancës ra disa herë nga karrigia, ku e ulnin sërish policët që kishte pranë.

Më pas, ky njeri i sakatuar dhe në moshë jo më të re, duhet të punonte në Ballsh, të qëndronte ca kohë në Zejmen e më pas sërish të punonte për dy vite nga 1986-1988 në Përparim të Sarandës, në një kamp të dominuar nga të burgosurit ordinerë, ndërkohë që ishte i sëmurë dhe mbi 65 vjeç.

Hyri 25 vjeç në burg dhe vuajti plot 24 vite heqje lirie me 20 vjet internimi në mes. Dy jetë krejt të ndryshme brenda një jete.

Qyteza e vuajtjeve

Nuk është një qytezë në Shqipëri, edhe pse të tilla ka pasur plot gjatë viteve të komunizmit, ishin ato të mbushura me të internuar, apo të tjera që ngriheshin nga të burgosur, por është një familje që për shkak të pasurisë së vënë me shumë punë e mund, u persekutua në tre breza.  Vëllezërit Qyteza: Bektashi, Sadiku, Qamili, Nevruzi, Hazbiu, Haliti dhe Faiku, nga Qyteza e Kolonjës, emigruan për shkak të varfërisë në fshatin e tyre, në Turqi e më pas në Amerikë. Atje ata punuan në New York e Chicago dhe bashkëpunuan me organizatën patriotike Vatra, por në vitet '20 u kthyen në vendlindje sepse donin të martoheshin me vajza shqiptare. Blenë tokë, mbollën plantacione sipas modelit amerikan dhe nisën të merreshin me tregti druri, por edhe bagëtije. Ky aktivitet nisi t'i pasuronte dhe me kalimin e viteve u kthyen në një nga familjet më të pasura të Korçës e të gjithë Shqipërisë, me shtëpi të mëdha, dyqane e magazina. Qamil Qyteza solli kamionin e parë të tregtisë në Korçë, ndërkohë që zotëronte edhe një automjet personal, diçka e rrallë në Shqipërinë e viteve ’30.

blankblank

Ata ishin një familje nacionaliste, por nuk u angazhuan kurrë në luftë në krah të Ballit Kombëtar. Megjithatë kur komunistët morën pushtetin, u hakmorën në mënyrë barbare ndaj kësaj familjeje. Arsyeja ishte e thjeshtë. Duke qenë një familje e pasur dhe e respektuar, ajo kishte shumë influencë, ndaj përfaqësuesit e saj duheshin eliminuar. Më 31 maj 1945, arrestohet Qamili me të birin, Skënderin. Qamili dënohet me pushkatim, ndërsa Skënderi me burg. Qamil Qyteza u ekzekutua me një grup prej 13 tregtarësh të pasur korçarë në parkun Rinia të Korçës. U arrestuan dhe u dënuan me burg edhe dy vëllezërit e tij, Haliti dhe Hazbiu. Hazbi Qyteza,  intelektual i shkolluar jashtë e kaloi një pjesë të dënimit prej 10 vitesh, duke punuar në tharjen e kënetave. Ndërsa Halit Qyteza u dënua me 18 vjet burg. Ai mbante nënshtetësi amerikane, por kjo nuk i erdhi aspak në ndihmë. Pas vitit 1944 nuk do të kishte asnjë kontakt me botën amerikane. Dënohet me burg edhe djali i Bektashit, Medi Qyteza, që nuk arrin dot të dalë i gjallë që andej. Ndërkohë, Skënderin, e dënojnë dy herë. Djemtë e tij, Arbeni dhe Arjani lindën dhe jetuan gjatë në internim si edhe kushërinjtë e tyre, që ishin brezi i tretë i përndjekur në familjen Qyteza.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here