Safet Butka

I biri i atdhetarit Sali Butka, profesor, nacionalist, kundërshtar i komunizmit. Lindi në Butkë të Kolonjës, më 10 gusht të vitit 1901. Studimet e mesme dhe ato universitare i kreu në Linz e Graz të Austrisë, ku u diplomua për filozofi (1928). Atje botoi studimin e tij të parë «Naim Frashëri, jeta dhe veprat», 1925. Pas kthimit në atdhe, u caktua profesor në Liceun e Korçës, shkollën Tregtare të Vlorës, drejtor i shkollës Normale të Gjirokastrës, inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe drejtor i Liceut shtetëror të Tiranës (1929-1939). Udhëhoqi demonstratat e para antifashiste të studentëve dhe qytetarëve të Tiranës (3-6 prill 1939). Nuk pranoi të nderonte allafashiste dhe, si drejtor i Liceut, frymëzoi edhe pedagogët e nxënësit të mos nderonin pushtuesit. U burgos dhe u internua nga italianët në ishullin Ventotene (1939-1942). Nacionalist, luftëtar i lirisë dhe i çlirimit kombëtar, komandant i çetave të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës (1942-1943). Zhvilloi disa beteja kundër pushtuesve italianë: në Floq, janar 1943; Pocestë, shtator 1943 etj., dhe kundër gjermanëve: Barmash, gusht 1943, në bashkëpunim me Misionin Britanik në Shqipëri. Nismëtar dhe veprimtar i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë për një shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, menjëherë sa kishte përfunduar një betejë kundër italianëve në Pocestë, u rrethua nga forcat komuniste në Melçan dhe, për të mos shkaktuar luftën vëllavrasëse, por edhe për të mos rënë në duar të tyre, u vëtëflijua më 19 shtator 1943. Është dekoruar me medaljen «Martir i Demokracisë» dhe titullin më të lartë «Urdhëri i Flamurit Kombëtar».

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.