Dine Dine: 100 ditët e izolimit

1
447
blank

Librin e tij “Mbi varkën e Karontit”, Dine Dine ia kushton 100 ditëve të hetuesisë para se të dënohej me 10 vite burg. Vetmia, ankthi dhe mbi të gjitha sfida për t’i rezistuar me ndershmëri presionit në pritje të vendimit gjyqësor e shoqërojnë atë gjatë izolimit, por mes tyre ishin edhe mendimet që e ndihmuan t’i çonte në fund këto ditë, pa u kompromentuar dhe pa u ligështuar para hetuesve

blank

Një nga provat më të vështira për të burgosurit politikë ka qenë periudha e hetuesisë sepse ajo periudhë ishte përballja e parë me izolimin, por edhe sepse shoqërohej nga presione psikologjike, deri edhe dhunë fizike, që vinin në provë integritetin e tyre. Në këtë periudhë, kur në kushte krej të tjera dhe për motive aspak të ngjashme, po përjetojmë izolimin, libri i Dine Dines, “Mbi varkën e Karontit”, botim i Mapo Editions, na jep mundësinë e disa reflektimeve, teksa kalohet nga një paragraf në tjetrin, ku përshkruhet periudha 100 ditore e hetuesisë në një dhomë dy metër katrorë. Do të ishte i padrejtë krahasimi i situatave dhe shfrytëzimi i kësaj të kaluare për të përballuar të tashmen tonë, por ka në përjetimet e kësaj të kaluare shumë mësime, ndaj të cilave sot, nuk kemi pse mbyllim sytë dhe veshët.

“… Sapo u mbyll dera, ndjeva njëfarë boshllëku. Ndjenja e vetmisë kish filluar të më brente nga brenda që ditën e parë. Sa kohë do të zgjaste hetuesia? Çdo të bëhej me mua këtej e tutje? Nga do t’ia nisin pyetjeve? A do të isha i aftë të përgjigjesha me dinjitet, apo do të më mashtronin që në seancat e para? Ishte një institucion që do ta “shijoja” për herë të parë në jetën time dhe s’kisha asnjëfarë përvoje se si duhet të mbrohesha. Frikesha mos me fjalët e mia mund të bija brenda...Pastaj mendova edhe diçka tjetër edhe më të rëndë: mos pa dashje mund të fusja në valle edhe ndonjë nga shokët e mi të vuajtjes dhe kjo do të ishte dërrmuese, shkatërruese. Këtë nuk do t’ia falja vetes kurrën e kurrës.

…Duke qenë në një gjendje gjysmë shoku seç m’u kujtua se disa vite më parë kisha lexuar diku, se, “ilaçi më i mirë kur njeriu është në gjendje të keqe shpirtërore është fizkultura”. Personalisht kisha pasur bindjen se në raste të tilla as vetë shejtani s’të bën dot derman. E vetmja mënyrë do të ishte evitimi i shkaqeve që më kishin çuar në atë gjendje. Sidoqoftë u ngrita dhe bëra një lëvizje instinktive, shkunda kokën (flokët i kisha akoma të paqethura) ashtu siç bën luani me krifën dhe me atë gjest sikur desha të shkundja apo të largoja nga vetja moralin e rënë dhe vazhdova të shëtis e të lëviz në atë zguliq të vogël që e thërrisnin birucë.

...Ishte vetëm dita e parë, orët e para dhe më dukej se kisha muaj në qeli. Po pyesja veten se pse po merresha aq kohë me budallallëqe dhe ndjeja një lloj neverie të tillë, që ma shkaktonte paaftësia, për t’u marrë me ndonjë lloj arsyetimi që mund të më vlente sadopak në do rrethana izoluese.

blank
Dine Dine me të birin, Ervisin, katër ditë para arrestimit

…Dhe ja, tani aty në qeli isha i mbërthyer si me gozhdë në ato mendime të trazuara që vërtiteshin rreth nënës, gruas dhe fëmijës që s’kishte mbushur vitin. Tre breza fatkeqësh! Sapo kujtoja nënën më dilte parasysh Adriana me Ervisin e vogël dhe më dukej se u kisha bërë një padrejtësi që nuk i kisha kujtuar prej kaq orësh. O Zot, sa mall kisha! Vetëm t’i shihja një herë dhe pastaj le të bëhej si të ishte shkruar! Mendime të trishta ma turbullonin trurin!

…Sidoqoftë, kur hyra përsëri në birucë ndjenja e boshllëkut më mbizotëroi. Nisa të mendoj si mund të zvarriteshin ditët në këtë mjedis mizor pa njerëz, pa libra dhe pa dritë. Duke qenë nga natyra mjaft komunikues e ndieja shumë mungesën e njerëzve por, meqë për këtë lloj komoditeti as mund të ëndërroja, vendosa të aplikoj një metodë tjetër; do të përpiqesha të rikujtoja çdo gjë që kisha mësuar gjatë jetës sime. Do të filloja të recitoja gjithçka të mësuar përmendsh duke u ecejakur qelisë. E fillova me Shekspirin, me “Të rrosh a të mos rrosh!” pastaj përsërita me mendje: “Të rrosh me nder apo të vdesësh me turp!” - kjo duhet të jetë çështja.

…Nocioni i kohës, në kësi rrethanash, kur je i detyruar të jetosh në një mjedis të errët, bosh e pa dritë, pa orë dhe pa njerëz, kur s’di e s’të thotë kurrkush kur bëhet zgjimi, kur hahet mëngjesi, kur është drekë a darkë, në ç’orë detyrohet gjumi, etj., pra, kur çdo veprim i ditës tënde bëhet me urdhër, ti nis dhe humbet çdo nocion... Prandaj kur më dhanë drekën krejt papritur, u habita! …Fill mbas drekës nisa të ndjehesha më lehtë shpirtërisht dhe duke i shëtitur pafund ato dy metra katrorë vend, e duke tymosur ndonjë cigare, kisha përshkuar në mendje kushedi sa autorë dhe kisha cituar kushedi sa poezi e sa prozë që mbaja mend nga e kaluara. Më dukej sikur kisha bërë një zbulim të ri, në atë mënyrë se si mund ta shtyja kohën pa u trazuar fort me ato mendime që mund të më gërryenin nga brenda... bile edhe mund të më rrënonin. Kështu pa e menduar qe afruar edhe darka dhe po vinte edhe orari i gjumit. Kisha lëvizur aq shumë nëpër qeli sa ndiehesha disi i lodhur.

…Ditët në qeli, i ngjanin tmerrësisht njëra-tjetrës. Edhe pse mund të kishe variacione, ishte një rutinë e tillë që përsëritej në mënyrë aq monotone dhe jeta të dukej aq e pavlerë sa shpesh të ndillte vetëdijen e plotë të kotësisë së gjërave të kësaj bote. Edhe pse fillova të mësohem që ditët e para me veprime të detyruara, të një lloji që s’i kisha bërë kurrë më parë, më dukej se më tepër se kudo, dinjiteti i njeriut poshtërohej më shumë aty, në ato qilare të errëta, të mbyllura e të lagështa... Kur shprehem kështu për asnjë çast s’e harroja jetën e paraardhësve të mi në biruca, atëherë kur isha fëmijë, në kushte tejet më të rënda, të pakrahasueshme me të sotmet. Aty ku bashkëkombësit e mi kishin jetuar privime që s’mund të përshkruhen me fjalë dhe veç kësaj, pa bërë asnjë faj u ikte koka çdo ditë dhe vareshin nëpër trekëmbëshat e rrugëve. Do të isha i padrejtë t’i mendoja ata dhe të shprehesha kështu, sepse vetëm ankthi i tyre për jetën dhe vdekjen që merrte çdo ditë me dhjetëra koka intelektualësh patriotë, s’do të mund të krahasohej me asnjë lloj privimi sado çnjerëzore që bëhej në ditët apo vitet që përshkruaj këtu.

…Si e diel që ishte, … habitesha me vete si ishte e mundur që të bëja pushim për disa ditë rresht... mbasi tërë jetën time ditët e pushimit kishin qenë të pakta e të numëruara me gishtat e dorës. Për një çast pashë të nxjerrë krye ndjenja e egoizmit njerëzor dhe seç pata një ndjenjë lehtësimi, që për një kohë të pacaktuar s’do të më duhej të punoja. Por edhe ajo qe vetëm një çast!”

Në intervalet e këtyre çasteve, Dine Dine mundohej nga ankthi për familjen e tij: si po e përballonte situatën gruaja në moshë të re, a ishte gjallë nëna e vuajtur, sepse fillimisht nuk kishte asnjë lajm prej tyre. Në mes të këtyre orëve, veçanërisht natën, ai thirrej në hetuesi ku merrej në pyetje, vihej përballë provokimesh dhe dëshmish të rreme, por edhe qëllohej nga hetuesi. Gjatë ditës dilte nga qelia vetëm një herë, për të shkuar në banjat ku lexonte shënime të dhimbshme dhe, duke mos pasur formë tjetër komunikimi, la edhe vetë një shënim për shokun e internimit të arrestuar pak ditë para tij, Eugjen Merlikën. Ditët e tjera kur shkonte aty, kërkonte me sy përgjigjen nga “Poçi”, siç e thërriste ai shokun e fëmijërisë. Komunikonte me të arrestuarin e birucës ngjitur me kodet e goditjeve në mur. I mbante shënim ditët e izolimit me gërvishtje në faqet e mureve të qelisë, që ishin faqe të mbingarkuara ditaresh të të arrestuarve të mëparshëm. Në atë sipërfaqje të vogël, duhet të flinte, të hante dhe të kryente nevojat urgjente personale. Provoi të ftohtin dhe shiun që hynte nga dritarja, ndërsa vjeshta ia zuri vendin verës. U bë pesimist, pastaj arriti të gjejë forcë e madje të bëjë dhe plane për të ardhmen. Arriti t’i kalonte 100 ditët e izolimit. Më pas e prisnin 10 vite burg, por të paktën kur dëgjoi vendimin, shpirtin e kish të lehtë me atë lehtësinë që kanë shpirtrat kur arrijnë të kalojnë me sukses një provë: nuk kishte thënë as një fjalë që mund të merrte në qafë dikë. Në të ardhmen do të rrinte më shumë sesa kurrë me veten. Po të kishte bërë diçka të dënueshme për ndërgjegjen, ato 10 vite do të ishin shumë më të rënda seç dukeshin tani.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here