Dëshmia/Ylber Merdani: Të zhdukur nga regjimi komunist në qarkun e Korçës

0
152

Që me krijimin e Shoqatës së të Përndjekurve, paralel me kërkesat legjitime dhe jetësore për ish-të dënuarit politikë, në qendër të problemeve ishte gjetja e eshtrave të martirëve që u pushkatuan, u zhdukën në mënyrë mafioze, u eliminuan gjatë torturave në hetuesinë çnjerëzore, vdiqën gjatë vuajtjeve të dënimeve nëpër burgje apo internime. Kryetari i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve në Korçë, Ylber Merdani, tregon disa prej vendeve ku dyshohet për varre të fshehura në Korçë dhe disa prej emrave të këtyre martirëve, që në përjetësi do të mbeten në kujtesën e kombit shqiptar për sakrificën e tyre sublime, për nacionalizmin dhe antikomunizmin, për shpirtin e tyre demokrat dhe njerëzor.

Dëshmia e plotë për Kujto.al

Sa të zhdukur ka qarku i Korçës?

Korça sipas statistikave të dokumenteve që janë futur në vitin 1992-’93, ka 238 të pushkatuar, të zhdukur në mënyrë mafioze, domethënë edhe të torturuar dhe të vdekur gjatë torturave në hetuesi dhe, nga këta, janë tri gra.

Cilat ishin vendet e pushkatimit dhe të varrosjes së trupave?

Ka pasur disa vende ekzekutimi, ne këtu jemi në Përroi i Barçit që i thonë, këtu pothuajse shumica i merrnin dhe i varrosnin në gropa të përbashkëta. Ka qenë në Ura e Dunavecit një vend tjetër pushkatimi këtej nga Tebojat i thonë korçarët. Ne kemi gjetur këtu gati 17 kufoma, eshtra të të pushkatuarve dhe në vitin ‘92-‘93 u krijua një komision që u mor me gjetjen e vendvarrimeve të këtyre fatkeqëve, por që nuk u gjetën të tërë. Vetëm një pjesë i morëm dhe i varrosëm në një parcelë në varret e qytetit, varrezat e qytetit bashkë me ata të cilët kishin ndërruar jetë në getot e internimit apo gjetkë, të cilëve ua sollëm eshtrat që andej dhe i varrosëm këtu. Është interesante se këtu i kishin pushkatuar ndonjëherë edhe nga dy veta të lidhur së bashku dhe ishin akoma ato tela me gjemba që i kishin lidhur duart dhe çuditërisht duket ndonjë prej tyre vuante nga ndonjë sëmundje kronike, Zoti i dhëntë paqe dhe qetësi atje ku kanë rënë që po i kujtojmë; gjenim edhe ndonjë shishkë të vogël me hapje, duket vuante ndonjëri nga zemra edhe ato shishkat prej qelqi nuk ishin tretur akoma.

Me thoni disa prej atyre emrave qe i gjetët këtu, i zhvarrosët dhe i rivarrosët te parcela e nacionalistëve?

Këtu mund të përmend: kemi gjetur Gani Kullën bashkë me të nipin Hajdin Kullën, kemi gjetur Rapo Zëmblakun, kemi gjetur edhe shumë e shumë të tjerë, kemi sjellë edhe për shembull nga Pogradeci kufomën e Faredin Angonit edhe të tjerë e të tjerë që i varrosëm atje. Kemi edhe shumë ku mund të përmend edhe nga këta që nuk janë gjetur si për shembull atë Sotiraq Spahon të vrarë në kufi, mund të përmend Sulejman Xhihanin të pushkatuar që nuk e dimë se ku e ka varrin. Veç kësaj, kemi Pandi Sterjon të vdekur në burg të Spaçit edhe shumë e shumë të tjerë që nuk e dimë, ose dhe Koli Rodhen dhe ata që i ndjeu Zoti në Burrel. Ende nuk e dimë se ku flenë! Prandaj duhet medomosdo që familjet të kenë një varr ku të venë, kur i thonë fjalës, t’i ndezin një qiri edhe të luten që të flenë të qetë shpirtrat e tyre të paktën.

Si u bë i mundur identifikimi i eshtrave të tyre?

Një nga vendet ku i pushkatonin është edhe ky, këtu pothuajse i sillnin dhe kishte raste që edhe në një varrezë të përbashkët, tre a katër së bashku. S’kishim si i identifikonim. I ndamë ato, siç mundëm kur i thonë fjalës, edhe ata për të njëjtin qëllim u vranë, nga e njëjta dorë kobzezë e humbën jetën, ata ishin vëllezër me njëri-tjetrin, vëllezër të idealeve e të të gjithave. Dhe mundëm t’i ndajmë. Do shkojmë atje tek varret e nacionalistave që i quajmë ne dhe do i shikojmë. Një pjesë e familjeve edhe i kanë hequr që andej, për shembull kanë qenë ata që i sollën nga internimi, i hoqën dhe i kanë vënë aty afër vendit të tyre. Punë e familjeve si të donin ato i bënin.

Këta i gjetëm ne, diku këtu, ku matanë është fshati Barç, këtu janë ato Kodrat e Korçës që i thonë, atje diku i hapnin varret pasi i sillnin se nuk i pushkatonin këtu në fakt, rrallë i pushkatonin këtu; sillnin dhe nga Tebojat ku i kishin pushkatuar ose edhe të pushkatuar nga Dunaveci ose nga Baçe e Duros.

Megjithatë ata do mbeten të përjetshëm dhe do të kujtohen si martirë të altarit të nacionalizmit dhe antikomunizmit. Ata pavarësisht se u gjendën apo nuk u gjendën eshtrat e tyre ata janë në të njëjtën parajsë ku do venë të mirët dhe nuk do ketë nga ata kriminelët, por do jenë vetëm njerëzit e mirë dhe të ndershëm që luftuan për vendin e tyre.

Rivarrimi i eshtrave në Parcelën e Nacionalistëve

Në vitin 1992 lindi problemi për të gjetur ato varret se ku ishin pushkatuar e ku ishin varrosur ata antikomunistët që u pushkatuan nga diktatura. Po kështu i kishte ndjerë Zoti, kishin vdekur nëpër burgje, nëpër internime apo gjatë torturave. Mundëm që t’i evidentojmë, por jo të gjithë komplet. Mundëm të evidentojmë, siç ju thashë, aty te Përroi i Barçit, aty gjetëm mjaft nga ata. Gjetëm edhe disa që ishin ekzekutuar edhe në Pogradec edhe nëpër burgjet e tjera që i kishte ndjerë Zoti, mund të përmend për shembull atë të ndjerin Faredin Angoni, nga Pogradeci e sollëm këtu, mund të përmend vëlla e motër që i ndjeu Zoti në burg, Kiço dhe Krisanthi Venedikun, janë këtu; mund të përmend nga Përroi i Barçit, janë Gani Kulla bashkë me të nipin me Ajdin Kullën, është Rapo Zëmblaku, Hasan Hamatas që mundëm të gjenim, por edhe shumë e shumë të tjerë ende nuk i kemi gjetur.

Një rast të veçantë do t’ju them: Është aty një varrezë e të ndjerit Bexhet Frashëri. Bexhet Frashëri është një nga ato 80 viktimat fatkeqe të kampit të Maliqit që u varros i gjallë aty bashkë me Sulejman Vuçiternën me Atë Sifi Papamihali e shumë e shumë të tjerë. Dhe pas shumë vjetësh, tani në këtë periudhë vjen e bija e tij, Zhaneta që tha: “si të bëj unë ta gjej varrin e babait?”. Ne si Shoqatë i thamë që s’kemi ku ta gjejmë, unë i përmenda gjyshen time që e ndjeu Zoti në Kamëz, në internim, ku atje tani janë bërë palate, nuk gjendet dhe i rekomandojmë: “shko në Maliq, merr aty një grusht me dhe e nëse ke ndonjë rrobë të të ndjerit baba”. Ajo kishte një këmishë të të atit dhe ndonjë relike edhe erdhi në kjo parcela që i themi ne: Parcela e Nacionalistëve dhe ja ku e ka varrin aty. Kështu që ka një varr ku vete e i ndez një qiri familja edhe ne vijmë çdo 28 nëntor që i shprehim mirënjohjen tonë dhe përkushtimin tonë dhe urojmë që të mbeten në përjetësi në Altarin e Nacionalizmit, në altarin e mirësisë e njerëzve të ndershëm.

Këtu shumë i kanë marrë familjarët sepse më përpara, para disa vitesh bile, ne e kishim të rrethuar me kangjella, mirëpo i hoqën, i vodhën kangjellat. Mbas gjithë këtyre rrebesheve që kemi kaluar, filloi sikur po i  shkelnin edhe makinat dhe një pjesë i hoqën që këtu dhe i varrosën gjetkë, ose i morën dhe i kanë shpënë atje ku banojnë familjarët e tyre. Pra e kam fjalën që sikur edhe një lapidar të jetë këtu simbolizon të gjithë këta njerëz që do mbeten në përjetësi në altarin e mirësisë dhe të antikomunizmit. Edhe prindërit e mi këtu bëjnë pjesë se i ndjeu Zoti në internim, por më pas i hoqëm dhe i vumë gjetkë, aty ku ishin varret e të parëve tanë.

*Intervistoi Najada Pendavinji/ Korçe/ kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here