“Kapter Dini më ka rrahur me hu si kafshë”

0
194
blank

Letra drejtuar KQ të PPSH: “Më 27.7.1964, duke qenë në oborr me Ibrahim Goçin, kapter Naumi, pa asnjë arsye na ka sharë babën, nënën dhe ne, me fjalët më të ndyra, duke na kërcënuar me thikë se do na priste kokën dhe duke na kapur për hunde, si me qenë fëmijë”.

Ibrahim Goçi ishte një shqiptar i Kosovës që vuante dënimin në kampin e Çermës. Ai ishte arratisur nga Kosova për t'i shpëtuar represionit serb, por kur mbërriti në Shqipëri ku mendonte se e priste liria, ai përfundoi na burgjet e kampet e diktaturës. Kur erdhën në Shqipëri në vitet ’50, ata nuk kishin besuar kurrë se në Shqipëri do të ndesheshin me represionin e egër të diktaturës komuniste. Kjo dhunë mbi shqiptarët e Kosovës në kampet e burgjet e diktaturës ishte urdhër nga udhëheqja komunsite. Megjithatë, kosovarët e dënuar besonin se mund të gjenin zgjidhje tek udhëheqja pasi mendonin se komandantët e burgjeve e ushtronin dhunën pa dijeninë e udhëheqjes. Për këtë arsye, ata shkruanin letra drejtuar KQ të partisë si dhe diktatorit Enver Hoxha, me shpresën për t'i shpëtuar nga dhuna e xhelatëve të burgjeve e kampve. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar letrën e dy kosovarëve që i drejtohen udhëheqjes për të ndalur dhunën e xhelatëve të kampit ndaj tyre.

“Në kampin e Çermës ku mbaheshin shumë shqiptarë të Kosovës, poshtërimi i tyre ishte ndër detyrat kryesore që komanda kish porosi të bënte. Regjimi antikombëtar i Enver Hoxhës e kishte politikë shumëvjeçare goditjen e shqiptarëve që vinin nga Kosova apo edhe ata të ardhur më parë nga Çamëria. Të shkretët shqiptarë që besonin me naivitet se udhëheqja nuk dinte gjë e se kapterët vepronin ashtu e partia nuk dinte gjë. Të gjithë ata që erdhën në Shqipërinë komuniste ishin viktima të propagandës”, shkruan Dervishi.

Letra

“Unë Bajrami më datë 12.7.1964, kam qenë në Divjakë, 7 kilometra larg qendrës, pa leje. Kur u ktheva në kamp kapter Dini më ka rrahur me hu sa ka mundur për një gjë të vogël. Më pas kujtova se nuk më rrihnin më. Mirëpo ndodhi e kundërta. Më 27.7.1964, duke qenë në oborr me Ibrahim Goçin, kapter Naumi, pa asnjë arsye na ka sharë babën, nënën dhe ne, me fjalët më të ndyra, duke na kërcënuar me thikë se do na priste kokën dhe duke na kapur për hunde, si me qenë fëmijë. Ne ju kemi ju baba, nënë, prandaj ju lutemi shumë të na ndihmoni pasi kjo gjë vazhdon çdo ditë dhe e kanë si zakon. I lutemi partisë të dërgojë ndonjë njeri dhe të shikoni gjendjen dhe vërteton se si më ka rrahur me hu si kafshë”.

Në përgjigje të ankesës, si edhe rastet e tjera, MPB përgjigjet më 31.8.1964, duke mohuar të kenë ndodhur veprime të tilla në mbrojtje të dy kapterëve. Në fund, sikur qëndrimi në Shqipëri të ishte privilegj i madh, letra mbyllej me këto fjalë: “Qëllimi i letrës që ka bërë Bajram Kolena është që ai dhe shokët e tij të jenë të lirë, të shkojnë nga të duan dhe kur të duan dhe të mos u flitet nga nënoficerët e postës së Çermës”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here