Orvatja për përdhunim ndaj polakes në Durrës

0
285
blank

Në procesin kundër “agjenturës polake”, ishte edhe një polake e martuar në Shqipëri, Barbara Kwiatkowska. U lind më 28.8.1942 në Varshavë. Me arsim të mesëm, nënë e dy fëmijëve. U martua dy herë në Shqipëri. Jeta e saj është e një fatkeqeje të huaj të cilën e lanë pa mbrojtje në mëshirë të fatit.

Në vitin 1960, në moshën 18-vjeçare ishte njohur e martuar në Poloni me Arif Mullallin, i cili më vonë u emërua kryeinxhinier i Uzinës Mekanike në Durrës. Vjen në Shqipëri në vitin 1961, për 2 muaj në fillim si vizitore e më pas qëndroi pranë bashkëshortit. Në fillim e emëruar arsimtare dhe në vitin 1963 si llogaritare në NISH Ushqimore Durrës. Në këtë kohë i kishin ardhur si vizitorë. Në shkurt 1964, duke marrë një telegram nga Polonia se e ëma ndodhej e sëmurë, ishte paraqitur në Degën e Punëve të Brendshme Durrës, por kryetar i saj, Kopi Niko, e kyç në zyrë, pavarësisht se ishte shtatzënë e puth dhe kërkon të jetë dashnorja e tij. U lejua të shkojë një muaj në Poloni. Këtë kohë i lind vajza. Në kthim e rekrutuan për të informuar mbi takimet me përfaqësuesit tregtarë polakë. Në tetor 1964 Kopi Niko e çon në vilat e plazhit për ta përdhunuar, por ajo kundërshtoi. Niko e kish kërcënuar mos t’i tregonte njeriu. Më pas, i kaloi në lidhje oficerit Ylli Hila. Në tetor 1966, takon inxhinierët polakë në Durrës, i njofton për rekrutimin nga Sigurimi dhe u kërkon riatdhesim në Poloni.

U arrestua më 25.2.1969. U akuzua në bazë të neneve 65, 73/1, 91/II, 100 të Kodit Penal. Në grup ishin futur edhe: tekniku gjeolog në minierën e Mborje Drenovës, Vasillaq Orgocka; inxhinieri Kostandin Papa me banim në Durrës; Barbara Wladislaw Orgocka (Gluc), me banim në Durrës; mjeku Lefter Tiko, me banim në Korçë; inxhinieri gjeolog në minierën e Mborje Drenovës, Mina Kote, banues në Korçë; inxhinieri kimist Gaspër Ljarja, banues në Korçë; Bora Pashko, lindur në Tetovë, banuese në Korçë; agronomi Sadik Zharri, banues në Durrës; Tushi Foto me banim në Korçë; infermiere Lefteri Robo, banese në Korçë.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Kleanthi Koçi, me pjesëmarrjen e prokurorit Pandi Konomi, me vendimin nr.6, datë 22.8.1969, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 17 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

Vasillaq Orgocka dhe Kostandin Papa u dënuan me vdekje dhe konfiskim të pasurisë, por më pas dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekretin nr.4530, datë 6.9.1969. Në janar 1973, lirohet nga burgu. Fillon punë në fabrikën e plastikës. Në mars 1973, ishte ndarë nga bashkëshorti. U martua me Mirash Sufaj, me punë dispeçer në hekurudhë, por atë e pushuan nga puna.

Më 12.9.1973, Komiteti Qendror i PPSH-së i përcjell MPB-së informacionin për Barbarën, pasi ajo ishte paraqitur në Komitetin Qendror për takim me Enver Hoxhën. Pretendonte se ishte e sëmurë dhe nuk punonte dot me turne. Në përfundim të raportit, i ngarkuari me letrat e popullit shkruante: “Mendoj se kjo e huaj, e dënuar si agjente e zbulimit të huaj, duhet parë mirë nga organet përkatëse nëse vlen të mbahet akoma në Durrës”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here