8 vjet burg për mësuesin e Përmetit sepse dëgjonte radiot e huaja

0
263
blank

Si kontrollohej inteligjenca e Përmetit nga Sigurimi dhe dënimi i mësuesit të respektuar Kol Kostare sepse dëgjonte radio të huaja. 

 

Nga Xhafer Sadiku

Deri aty nga fillimi i viteve 1960, inteligjenca në rrethin e Përmetit përbëhej kryesisht nga arsmtarët. Kështu, më 1958 rrethi i Përmetit kishte 143 arsimtarë dhe 2 punonjës të shtëpisë së kulturës.

Me gjithë spastrimet e fillim viteve 1950, për nevojat e shkollës, regjimi mbajti një numër të kufizuar arsimtarësh të vjetër. Si të gjithë sektorët e tjerë të jetës ekonomiko-shoqërore edhe inteligjenca “reaksionare” mbahej nën kontrollin e sigurimit. Nga këta, mësuesi Kol Kostare ishte vënë në përpunim agjenturor për agjitacion e propagandë kundër pushtetit që nga viti 1956, ndërsa 6 të tjerë ishin në kontroll operativ.

Në planin e masave agjenturiale-operative në drejtim të mësuesve, për muajin gusht 1958, midis të tjerave theksohej vazhdimi i përpunimit aktiv të Kol Kostares, me anë të agjentit “Xhuleta” dhe informatorit “Sazani”. Rrjeti agjenturial duhet të “zbulonte” rrethin e tij, me të cilin zhvillonte aktivitetin dhe të përgatiteshin të dhënat e agjenturës, për dokumente me vlerë ligjore dhe të përdoreshin për goditje.

Sigurimi mori në studim rrethet metodike dhe seminaret që zhvillonin arsimtarët dhe në këto qendra u organizua rrjeti agjenturial. Detyra e agjenturës ishte të ndiqte me kujdes se si “vepronte” puna e elementit “armik” në drejtim të arsimtarëve. Për këto iu ngarkuan detyra edhe bashkëpunëtorëve që ishin në drejtime të tjera, por duke qenë vetë arsimtarë, kishin shumë më tepër mundësi të punonin në atë sektor.

Në raportin vjetor të vitit 1958, sigurimi theksonte se “aktiviteti armiqësor në radhët e inteligjencës është zhvilluar kryesisht nga arsimtarët e vjetër dhe nga disa që kanë mbaruar shkollat tona, por janë me përbërje të keqe”. Sipas sigurimit, “kanë propaganduar mjaft rreth pikëpamjeve të revizionistëve jugosllavë…mburrin shkollat në regjimet e kaluara…krahasojnë se një shkollë e mesme sot është baras me 7-vjeçaren e asaj kohe…se në shkolla sot punohet shumë e për lumë”. Sigurimi raportonte se “më aktiv në këtë drejtim është paraqitur arsimtari Kol Kostarja në shkollën 7-vjeçare të Këlcyrës, Vani Fiku dhe Koço Sevo të shkollës 7-vjeçare të Përmetit”.

Sigurimi raportonte se paraqiste interes përpunimi i Vani Fikut, i cili, dëgjonte radiostacionet e Perëndimit dhe I komentonte me rrethin e tij të ngushtë, mbante korrespondencë me babain e tij që kishte në Amerikë, të cilit i kishte paraqitur keq gjendjen ekonomike të vendit tonë, fliste keq për zhvillimin e shkollës dhe bënte krahasim me të kaluarën. Sigurimi interesohej edhe për Spiro Doden, arsimtar në 7-vjeçaren e Çarshovës, i cili, sipas bashkëpunëtorëve të sigurimit, “…flet me admirim për kulturën e Perëndimit dhe tregon keq gjendjen ekonomike dhe jetën e vështirë të vendit tonë”.

Për Koço Stefanin, theksohej se: “…tregon aktivitet propagandistik, flet mirë për jetën e së kaluarës dhe trajtimin e mirë që kishin arsimtarët në atë kohë dhe për zhvillimin e mësimeve, duke bërë edhe krahasime”. Që të tre kontrolloheshin me agjenturë, e cila sipas sigurimit, e kishte plotësisht besimin dhe mundësitë për një punim të mirë. Në drejtim të arsimtarëve vepronin 14 bashkëpunëtorë, nga të cilët 6 direkt dhe 8 të sektorëve të tjerë që jepnin në drejtim të intelektualëve.

Në burg për radiot e huaja

Kol Kostare ishte nga Oshteva e Zagories dhe një ndër mësuesit më të respektuar të Përmetit. Kishte qenë drejtor i shkollës 7-vjeçare të Mbrezhdanit e më pas edhe i asaj të Këlcyrës. Intelektual me autoritet dhe i dekoruar me medalje pune. Për një farë kohe kishte mbajtur detyrën e sekretarit të këshillit. Sigurimi e kishte vënë në përpunim aktiv, pasi, sipas tyre, “fliste kundër pushtetit, kundër kolektivizimit të bujqësisë, mundohej të bënte sa më shumë njerëz të pakënaqur dhe t’i hidhte kundër pushtetit… Ky fliste mjaft rreth pikëpamjeve të revizionizmit, sidomos atij jugosllav dhe e quante si të vetmen rrugë të drejtë…”

Agjentët “Xhuleta” dhe “Sazani” informonin se Kol Kostare, “dëgjonte veçanërisht radiostacionet e Perëndimit dhe këto i përhapte ndër të tjerët, rrethin e tij që kishte krijuar”. Ata kishin raportuar për personat që kishte takuar Kola, të cilët, me t’u thirrur në Degë, pranuan të gjitha bisedat që kishin bërë me Kol Kostaren. Në procesin gjyqësor, disa prej tyre sigurimi i përdori si dëshmitarë.

Pas dy vjet kontrolli agjenturor, më 17 dhjetor 1958, Kol Kostaren e arrestuan.

Në vendimin gjyqësor lexojmë: “mënyra kryesore që ka përdorur i pandehuri ka qenë përhapja e lajmeve që dëgjonte nga stacionet reaksionare si Zëri i Amerikës, radio Londra, radio Prishtina etj. I frymëzuar nga këto radiostacione, gjendjen ekonomike të vendit tonë e ka komentuar si të vajtueshme, se populli vuan, nuk përballon nevojat e jetesës, ndërsa ka mburrur standardin e jetesës së Amerikës dhe ato të regjimeve borgjeze duke përfshirë këtu dhe regjimin e Zogut”. Dy dëshmitarë thanë se Kola u kishte folur për karakterin e arsimit, për akraballëqet dhe hatëret që bëheshin nga persona zyrtarë.

Gjykata e Qarkut të Gjirokastrës e përbërë prej kryetarit të seancës gjyqësore Niko Grabocka dhe ndihmës gjyqtarë Vangjel Joveni e Sajo Kokalari, me pjesëmarrjen e prokurorit Thoma Vasili, e dënoi Kol Kostaren me 8 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e radios. Ky vendim u la në fuqi nga Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nga Irakli Bozo, Sofokli Papajani e Sotir Spiro.

Në të vërtetë, sipas të dhënave arkivore, Kol Kostare ishte një nga mësuesit që gëzonte respektin e nxënësve dhe familjeve të tyre. Pas dënimit të tij, nëna plakë, bashkëshortja dhe katër vajzat e mitura do të vuanin për vite me radhë.

Pasi mbaroi punë me Kol Kostaren, sigurimi e aktivizoi agjentin “Xhuleta” në drejtim të mësueses Antigoni Dilo.

Shënim: Marrë nga libri Skenarë të Përgjakur Përmeti, 1943-1990 i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK, Tiranë, 2016. Autori ka përdorur si burime arkivat shtetërore dhe të gjykatave.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here