Burgosja e hungarezes Barbara Gassparivits (Haxhihyseni) dhe vetëvrasja tragjike e të shoqit

0
227
blank

Interesant është fakti se tre shtetase të huaja që u martuan me shqiptarë, e kishin emrin Barbara. Dy të parat ishin polake. E treta, hungareze. Quhej Barbara Josef Gassparivits (Haxhihyseni), e vitlindjes 1925, me arsim të mesëm, por me kurs në diplomaci. Në vitin 1945 ishte pranuar anëtare e Partisë së Punonjësve në Hungari. Më 1950-1952 kish punuar në legatën hungareze në Kajro dhe në vitet 1952-1953 në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë. Në vitet 1953-1955 erdhi me punë në ambasadën hungareze në Tiranë ku punon si sekretare. Ikën në Hungareze e rikthehet për t’u martuar me violinistin shqiptar Fatos Haxhihyseni. Ajo vijojë të punojë në ambasadën hungareze në Tiranë edhe në vitet 1955-1963, kohë ku “u hoq me kombinacion” nga organet e Sigurimit të Shtetit. Nga ajo kohë ishte pa punë. Edhe bashkëshorti i saj ishte ndjekur nga Sigurimi “si agjent i mundshëm hungarez”.

Më 26.2.1963 Barbara (shkurt thirrej Bori) ishte marrë në përpunim aktiv 2A si “agjente e mundshme hungareze”. Në raportimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit si “Tomek”, “Ullishta”, “Roza”, “Pinisti”, “Shqiponja”, “Bufe e madhe”, thuhej se ajo nxiste gratë hungareze të largoheshin nga Shqipëria. Bisedat që vlerësoheshin me karakter agjenturor ishin tejet qesharake sepse bëhej fjalë për mirëqenie, vajin e ullirit, bukët, etj. Nga viti 1963 e deri në vitin 1979, ajo kishte qenë në ambasadën e shtetit të saj 133 herë, gjë që shihej me dyshim. Në denoncimet e paraqitura, thuhej se Barbara kishte thënë se E.Hoxha merrej me gjëra të vogla, shkonte në fshat për gjëra pa rëndësi.

Me shkresën nr.4168, datë 4.10.1979 Drejtoria e Hetuesisë në MPB i kërkonte Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB, arrestimin e saj. U arrestua më 13.10.1979. U përfshi në një proces me shtetasin Kosta Nano (i cili kishte gruan hungareze). U akuzuan në bazë të neneve 55/1 dhe 147 të Kodit Penal, pra për agjitacion e propagandë dhe spiunazh. Në këtë kohë, Barbara kishte bashkëshortin të sëmurë psiqikisht. Ajo i shërbente atij dhe shkonte rregullisht në spital.

Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.22, datë 31.5.1980, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.193, datë 23.6.1980 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimin e Barbarës, Fatosi nuk e mori vesh menjëherë. Doli nga spitali pa leje dhe e mori vesh të vërtetën. Duke mos duruar mospraninë e të shoqes, vari veten në mënyrë tragjike.

Taisa Batkina (Pisha), e dënuar edhe ajo, dëshmonte se Barbara erdhi për të vuajtur dënimin në Repartin nr.318 Kosovë. “Pjesën më të madhe të kohës ajo e kaloi shtrirë, shpesh e dërgonin në spital. Në fillim pak e njihja, ne thuajse nuk shoqëroheshim me njëra-tjetrën. Barbara këndonte shumë bukur. Gjatë gjithë ditës unë i lutesha të më këndonte diçka dhe ajo ma bënte qejfin. Këndonte arie nga opera dhe opereta, romanca, këngë popullore ruse dhe hungareze...Ajo jetonte me shumë vështirësi në kamp. Nuk i vinte njeri, nuk e ndihmonte njeri. S’kishte, kush të vinte. Ajo ishte pothuajse e uritur”.

Barbara u lirua me amnistinë e datës 13.1.1986. Por shtëpinë ku banonte nuk e kish më. Mezi jetoi pak vite në hotele të rëndomta, edhe me ndihmën e shtetit hungarez. U riatdhesua, por nuk jetoi më shumë dy vjet. Në vitin 1988 raportohej se në Budapest ajo punonte në një spital dhe përkthente për shqiptarët e emigruar atje këtë kohë. “Mund të na hapë probleme”-thuhej në një shënim.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here