Mesha e parë publike më 11 nëntor 1990, përjetimet e besimtarëve

0
182
blank

Pas një meshe të vogël, por shumë të rëndësishme për të thyer akullin 23-vjeçar të ndalimit të fesë, më 4 nëntor, një javë më vonë, populli i Shkodrës, mori pjesë masivisht në meshën e parë publike të drejtuar nga Dom Simon Jubani. Kujto.al, sjell shkrimin e Dom Anton Kodrarit, i cili përmban fjalën e Dom Simon Jubanit dhe përjetimet e besimtarëve shkodranë për meshën madhështore

Nga Dom Anton Kodrari

Mbas Meshës së Parë me 4 nandor, ndër vorre të Rrëmajit, u kremtue Mesha e Madhe Publike me 11 nandor 1990 po ndër këto vorre, përsëri prej klerikut trim që kishte vuejtë për 26 vjet në burgjet e regjimit, dom Simon Jubanit. Po atë ditë të 11 nandorit dom Frano Illia, meshtari tjetër i përvujtë që kishte kalue shumë vite të jetës së tij në birucat e ferrit komunist në orën 09:00 kremton Meshën e Parë në rrenojat e kishës së vjetër të fshatit Juban. Siç tregohet në Shkodër, arsyeja që dom Frano e kremton Meshën pak mâ parë ishte e dyfishte, në njënën anë me tërhjekë sadopak vemendjen e sigurimit prej organizimeve që po baheshin në fushë të Rrëmajit dhe në anën tjetër me ju dhanë mundësinë besimtarve të Jubanit me marrë pjesë në Meshën e Madhe në Shkodër.

Për organizmin madhështor dhe të përkryem që u bâ atë ditë po citoj tekstualisht dekretin e dt.12 nandor 1990 (marrë nga dosja 1241):

“Në këtë ceremoni fetare nga ana jonë u konstatuan këto probleme; qënë hyrje të varrezave ishin caktuar njërëz për ruajtjen e biçikletave të personave që vinin për këtë ceremoni fetare. Po ashtu edhe te dera e varrezave kishte roje (djem të rinjë) që mbikëqyrnin në heshtje njërëzit që hynin atu. […] Në këtë ceremoni kishte pjesmarrje të madhe njerëzish nga fshati, qyteti, që shifra e tyre mund të jetë 3-6 mijë vetë të moshave parashkollore, të rinjë e deri te moshat e thyera. Kishte edhe njerëz me të meta fizike. Gjithashtu në këtë pjesëmarrje kishte edhe shumë persona të fesë myslimane. Ambienti i kishës ku do të zhvillohej ceremonia fetare ishte pastruar dhe regulluar për ritin fetar. Aty ishte vendosur një çati dhe një kryq me përmasa të mëdha, disa ikona të ndryshme, qirinj të ndezur me shandanë, altari me të gjitha pajisjet fetare dhe të zërit. Në ambjentet e kishës kryenin sherbime të ndryshme nji grup prej 30 vetësh të moshave 25-40 vjeç”.

Populli Shkodres kishte organizue gjithshka në detaje; atë ditë nuk mungonte asgja, dér edhe kumona duel prej dheut; nji palë paramenta të blerta i kishte sjellë pater Shtjefen Pistulli, e dikund mbas nji kolone të kapelës qëndronte pater Robert Ashta, që në rast se vritej dom Simoni të shkontë në lter dhe të përfundonte Meshën, e asnjëni prej këtyne fretenve s’ishte marrë vesh me dom Simonin.

Me gjithshka materiale gati e sidomos me predispozicionin e shpirtit të etun për me ndigjue fjalën e Zotit, dom Simoni, me tanë popullin e Shkodrës për krah e me djemt e vigana qe e rrethojshin e nisi Meshën tue jue drejtue të pranishmëve me këto fjalë solemne që veç nji apostull i Krishtit mund t’i thotë (fjalë që do të mbahen mend gjatë prej të pranishmëve e do t’u trashigohen edhe brezave të ri):

“Vllazën dhe motra! Le t’i kujtojmë për nji minut në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto varreza dhe të gjithë ata vllazën e motra tona që kanë ra për nji Shqipni europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vjetin 1443 kur heroi ynë kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: ‘ Lirinë nua jua solla unë, por e gjeta midis jush’. Unë i padenjë për këtë misjon po ju tham se fenë nuk jua prun unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat tueja. Se kjo fe ka kenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dëshmon ardhja e juej sot në këtë Vend të Shëjtë prej katër anëve të Shqipnisë për me adhurue, për me falenderue, për me lëvdue të Madhin Zot për këtë mrekulli të madhe që po shofim sot me sytë tonë. Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtnat tonë e verteton restaurmi i kësaj kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla edhe vëllaznit tonë musliman e ortodoks.” (Mesha e Parë, fq.59)

Atmosferën e këtynë ditëve mâ mirë se kurrkush e përshkruejne disa nga vetë dishmitarët e pranishëm në atë ngjarje.

Dishmi

“Në fund të tetorit 1990, këta, për të paralajmërue shkatrrimin e ateizmit, shpërndanë në të gjitha rrethet nga nji delegacion. Në rrethin e Shkodres për të përgatitë aparatin shtetnor se në të ardhmen religjonet do të lëhëshin të lira u dërgue Adil Çarçani. Tue kenë se Shqipnia nuk ka shtet që prej 1944, sekretin e mbledhjes që zhvilloi Adili, e nxorën si gjithmonë vetë anëtarët e partisë, anëtar partije prej leverdije. Kur e morën vesh edhe katolikët e Shkodres se në të ardhem do të lihej e lirë Feja u mori flakë fantazia, paralajmin e kthyen në fakt të kryem dhe sendergjuen lajmin e mirë se gjoja Adili paska thanë; “Muslimanët le të falen kësaj të premte në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ortodoksët të meshojnë në Vrakë, kurse katolikët kanë kapelen e vorreve të vjetra” (që në atë kohë ishte e djegun). Sihariqi u përhap në të gjithë Shkodrën. Te dhandrri hanë e pinë, e nusja gja nuk dinë. Ndërsa me 4 nandor në Shkodër shkruhej nji datë e paharrueshme, as Policia e Shkodrës, as Tirana, as Vatikani s’kanë dijtë gja. Ndodhë shpesh gjatë historisë që dëshirat, ma të parealizueshmet, ngjarjet ma të rëndësishme, që duken të pamujtuna, i organizon Perëndija me njerëzi e thjeshtë dhe më këso shembujsh e kemi plot Biblën dhe Historinë e Kishës”.

(Dom Simon Jubani, Mesha e Parë, ed.Camaj-Pipa, Shkodër 2000, fq. 34)

“Unë i quejtuni Mark Pjetër Murana lindë me dt.09-03-1935 në Shkodër, banor në lagjën Skenderbeg, me dt. 4 nandor 1990 sëbashku me vëllanë tem, të ndjemin Zef Murana ndodheshim në oborr të Pallatit të Sportit, sot Kisha e Madhe, kur pa pritë e pa kujtue më drejtohet nji djalë i ri që nuk e njihshe, tue më thanë se janë mbledhun disa persona të varrezat katolike. E unë nji as dy i thashë, mos u shqetëso se shkoj vetë dhe e marr dom Simon Jubanin në shtëpinë tij dhe e bi te vorret. Shkuem bashkë me dom Simonin te kapela e vorreve, e shpejt e shpejt sigurova nji tavolinë për me vendosë materialet e Meshës. Atë ditë koha ishte me shi e friga prej regjimit ishte e madhe, kështu që i qëndrova pranë dom Simonit tue i dhanë besimin dhe sigurinë për me çue Meshën e Parë në Shqipni dhe në qytetin tem, Shkodër. Ishin mbledhë dikund 30-40 persona. Mbasi u çue Mesha e Parë, mes frigës dhe terrorit komunist që ende s’kishte përfundue e mora dom Simonin dhe e strehova në shtëpinë teme. Ditën e dytë e shoqnova në nji banesë tjetër, të kushërinjtë e mi, aty qëndroi për disa ditë, mbrapa dom Simoni shkoi dikund tjetër por s’mujtën me e mbajtë, tue i pohue së e kanë të pamujtun me e strehue nga friga e burgut. U detyrova që ta kthej edhe nji herë te kushrinjtë e mi deri me datën 11 nandor të po atij vjeti që u çue edhe Mesha madhështore tek kapela e vorreve katolike. Zef Gjoni, Rrok Bardeli, Zef Kiri, Tonin Alija për të sigurue jetën e dom Simonit e morën dhe e çuen për të kremtue Meshën e dytë. Gjatë kësaj periudhe unë bashkë me femijët e mi Leonard dhe Rodolf Murana e shumë të tjerë të cilët i nderoj dhe i falenderoj, por për arsye të moshës teme 86 vjeçare nuk i mbaj mend emnat, kemi punue ditë e natë për të rimëkambë atë çfarë ka kënë e shkatërrueme e jena mundue me e mbrojtë dom Simonin edhe tue vu në rrezik jetën tonë.”

Mark Murana

“Vutjeve për të mos pá Meshë dhe për të mos u lutë ndër kisha, po u vinte fundi.... Pa u bâ e madhe u hap fjala ndér popull që me dt. 4 nandor Dom Simon Jubani do të kremtonte Meshë tek kisha e Vorreve Katolike. Si nên za u mblodhem, ishim rreth 50 persona, shumica e të cilëve ishim vetë ne që në ditët mbrapa do të organizonim Meshën e 11 nandorit. Mbas dt. 4 nandor vullnetarisht populli u mblodh per pastrimin dhe rregullimin e kishës, mbassi komunizimi e kishte kthye në gërmadhë. Besimtarët kontribuan me aq mundësi sa kishin në rindërtimin e kishës duke punue ditë dhe natë me shumë sakrifica, kurse në krahun tjetër rregjimi komunist vrojtonte çdo levizje tonën (më kujtohet nji rast kur mikrobuzi i sampistave rreth orës 02⁰⁰ të mëngjesit erdhi brenda në kishë, dhe nji prej policëve ndërhyri për të ndalue punimet, donte të terhiqte litarin e këmbanës, dhe aty për aty nderhyni njëni nga organizatorët e shumtë që ishim aty, Rrok Bardeli tue i thanë: " Mos e prek me dorë, sepse me nji të rënë të këmbanës, k’tu mblidhet e gjithë Shkodra ".) Ditën e premte, 2 ditë para se t’u jepte Mesha e Madhe me dt. 11 nandor 1990, shefi i degës kishte derguar fjalë që t’u paraqitshim në degë 4 pjestarë nga ne që ishin organizator tue tentue me bâ presion për ndalimin e përgaditjeve për Meshën e Madhe. Takimi nuk u bâ kurr nga ana jonë mbassi e dinim që synimi i tyne ishte që të na bllokonin ne dhe pastaj gjithë popullin. Të dilën, me11 nandor 1990, rreth orës 09⁰⁰ filloi grumbullimi i popullit, besimtarë nga të gjitha fetë, ishin të shumtë në numër, u flitte që janë dikund te rreth 50 mijë vetë, po pritej ardhja e Dom Simon Jubanit për celebrimin e Meshës. Jashtë ishin shumë roje të sherbimit civil të shikut, në fshehtësi në rrugicat afër varrezave mbërrinë me një veturë i shoqnuem nga Zef Gjoni. Nga aty e kanë marrë përsipër dërgimin e tij përmes turmës deri tek elteri, Rrok Bardeli dhe im vëlla, i ndjemi Pal Çekini. Ne kishim marrë masat që edhe po t’i ndodhte diçka Dom Simonit, Mesha mos të ndalohej dhe për zevëndësimin e tij ishte i gatshëm pader Robert Ashta. Policia e pa të pamundur me ndërhye për shkak të numrit të madh të pjesmarrësve në meshë. Mesha u kremtue,e popullit të vuejtun shqiptar iu kthye liria e besimit!”

Kolë Çekini

“Fjala merr dheun. Të gjithë vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në trupin e tij, NUK BESOJ!” Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: “Kjo asht mbrekullia!” Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit, drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se: “GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!” Amanetin e mban toka, thonë shkodranët. Filloi rindërtimi i Kapelës. Ato selvia të vogla, fidanat që dikur mbillte Nikolin Muzhani, tashti u banë trupa me mbulue çatinë e djegun. Një kantjer i vogël ndërtimi që ruhej nga qindra të rinjë ditë e natë për mos me u përsëritë dhunimi. Futej ndonjë gjips me spijunët e Partisë, por përgjegja ishte vetëm një: “Na leni rahat të vazhdojmë punën tonë... !” Çakiçi rrahte pa pushue tue ngulë gozhda. Karroca me llaç e gëlqere shkarkoheshin në sheshin para Kapelës. Të gjithë muratorë, të gjithë hamaj padallim Feje, të gjithë elektricistë e bojaxhijë, për me zbukurue tempullin e rindërtuem nga RINIA. Vetëm ndër dy vende nuk fikej drita as ditë as natë, në Rrëmaji dhe në Komitetin e Partisë. Vetëm ndër dy vende ka roje të vazhdueshme, ndër vorre dhe në Sigurim, ndërsa, agjentët janë përhapë në gjithë qytetin: “ Kush e gjenë ku asht Don Simoni?” por, askush nuk flet... dihet se nuk asht i arrëstuem po, ku asht nuk dihet! Asht data 10 nandor, ora 19.00. Terr. Nata ka fillue por pak kush asht ndrye ndër shtëpia, gjithë Shkodra asht dyndë ndër vorre. Janë fikë dritat. Tre djelm të fortë janë tek kulmi i faqatës së Kapelës. Njeni duket si Krishti, ka në krah një Kryq jo druni, po hekuri, ashtu si e pat edhe Shqipnia për 50 vjet; tjetri të duket se po e gozhdon me një çakiç të randë në dorë; ndërsa, i treti mban një qiri në dorë, për dritë. Vëndoset edhe Kryqi. Kur, përfundon puna dhe asht derdhë edhe betoni një duertrokitje e fuqishme ushton në Rrëmaji nga mija vetë që janë aty, të gjitha dritarët e apartamentëve hapën për me vështrue se shka ndodhi: “KISHA ASHT GATI PËR NESËR!” ndigjohet një za i fortë mes brohoritjeve. Në orën 23.55’ në zyrën e Sekretarit të Parë të Partisë, Xhemal Dymylia bie telefoni, asht zani i Presidentit të Republikës, tregonte dëzhurni që ndodhet aty tue pi një kafe me Xhemalin. “Si urdhëron, po, po, si urdhëron... Peres De Kuelar më foli... si urdhëron shoku Ramiz, ... qetësia duhet siguruar... po, shoku Ramiz... njofto Çapajevin... po, si urdhëron shoku... Forcat speciale... po, po, ndigjoj... tashti, shoku Ramiz, si urdhëron... deri në një urdhër të dytë... po, shoku Ramiz, këtu jam sonte!...” Gjithë natën lëvizje gjipsash, gjithë natën korrierët spijun e agjenta në qarkullim...në çdo qoshe të qytetit që dukej sikur po flenë. Shkodra dukej se flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon bashkë me gjakun e Martirëve e derdhët si lum në Zallin e Kirit, aty, aty, brijë çinarëve të Rrëmajit!  11 NANDOR 1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të Sigurimit janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i njohtun spijuni por nuk do ta ndyjë këtë dishmi me emnat e flligtë të tyne. Filmojnë dhe shënojnë emna... Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund. Të gjithë ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve... të gjithë të zhytun ndër mendime... të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a këthehët në shtëpi... të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje ... Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme... Një grup i madh myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi në trup... Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi ne këtu! Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga ne. Në krahun e majtë të vorrëve janë disa vagona të mbushun me sambistë të ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën” ... Në sheshët e vogla përbrijë apartamentëve sheh vetura me gjithfarë targash tue fillue nga trupat diplomatike, sigurisht, edhe nga Ministria e Mbrendshme e deri tek taksitë e Elbasanit, Durrësit e të Kavajës... të gjithë kanë ardhë me pa me sytë e tyne mbrekullinë, mbasi nuk u besojnë ma fjalëve... Pritët Ai burrë që do të këthejnë edhe një fletë tjetër të lavdishme në Historinë e Shqipnisë, ashtusi atë ditë në Deçiq, u prit Ded Gjo’ Luli me trimat e tij... e, Ismail Qemali në Vlonë,... atëditë! Mërrini... Erdhi Don Simoni! ... Shihe, shihe, ku asht i rrethuem me djelmë të rinjë... Dikush çohët në majë të gishtave me e pa, dikush hypë mbi ndonjë gurë vorri, dikush tjetër çon fëmijët hopa; të gjithë kanë sytë në një pikë: “Tek Prifti vigan, tek Ai sokol, që nuk e ban ma Nana Shqipni shokun e tij, asht vetëm një vijë e bardhë në fytin e tij që ndanë kokën nga trupi, asht shenja e Shugurimit Meshtar, asht pikërisht ajo shenjë, që kush e di sa herë diktatori ka matë shpatën e tij me gjak për atë fyt... Asht Don Simon Jubani... Meshtari i Shkodrës... i bardhë në fëtyrë, si Shpirti i tij....” Një gëzim që nuk përsëritët ma! Erdhi,....Ai ecë me shpejtësi si gjithnjë e gjujzohët para Elterit! Një grup grashë të moshueme me shenjën “Bijat e Marisë” këndojnë me lot për faqe, nga mallëngjimi kangën e “Zojës së Shkodrës”, të shoqnueme nga populli i cili, nuk e ka harrue... Një za naltohët nga qielli tue u bashkue me cicërimat e zogjëve ndër selvia, drejt gjethëve të çinarëve që duertrokasin fitorën me hymnin “Ave Maria” ... prej Gjok qorrit (Vata), të cilit sot i ka ardhë drita... Asht ora 11.45’... Vetëm në Rrëmaji bie ora e Lirisë... Rrahin kumbonët... Edhe ajo ka dalë prej dheut... asht Ringjallë. Largohën pak rê që kishin zanë shkëlqimin e diellit e bashkë me rrezët e tija lind njëditë e re. Para një Elteri të thjeshtë druni përkulet para Kryqit për të cilin asht salvue Ai bashkë me gjithë Popullin e Shkodrës, asht Don Simoni. Mbas 1-2 minutash heshtje ushton një za sipër rrasës vorrit 24 e sa vjeçar, vue në 1967, asht zani që shembë bashkë me “Revolucionin Kultural” edhe zanin e qyqës së Partisë, që vajton “bilbilin”e sajë... Asht zani i një Don Simoni që ndihët i vetëm në truellin e Arbërit, asht një gjamë mbi të pafetë që shkrep si rrëfeja e zharitë monumentët e bronxit mjedis të Shkodrës e Tiranës, asht dora në ballë që thotë: “Në emën të Atit...” e, Mesha fillon...”

Fritz Radovani

“Ishte data 5 - Nentor 1990. Nga miqt e mi në Shkodër mora vesh se dom Simon Jubani kishte celebrue Meshë në varrezat e Rrmajve. Nje gëzim i pa përshkrushëm e pushtoj trupin tem e me vrap shkova e takova dom Frano Illinë qe jetonte në lagjën teme te shtëpia e Shan Simon Jakut, familja e të cilit ishin kujdesë për tê edhe gjatë kohës kur dom Franoja kishte kenë në burg. I tregova që dom Simoni kishte celebrue Meshë në Rrëmaj. Bisedueme se çfarë duhet me bâ edhe në fshatin tonë, e ramë dakord që me datë 11.11.1990 të celebrojmë Meshë edhe në Juban. Lajmrova menjëherë mikun tem Rrok Bardelin i cili me siguroi që do fliste me Dom Simon Jubanin dhe unë menjëherë shkova e njoftova Dom Franon dhe i thashë që kam njoftue edhe miqt e mi në Shkoder dhe ato janë dakord që Mesha në Juban të celebrohej. Kështu vendosem që të njoftohej gjithë populli i Jubanit, sidomos rinia. Me daten 10, një ditë para celebrimit të Meshës, përfaqësues nga D.P.B ( që me siguri ishin informue nga ndonjë spiun i tyre) kanë ardhë me takue dom Franon dhe i kanë kerkue me firmosë që Mesha mos të celebrohet. Dom Franoja asht përgjegjë: “Populli i Jubanit asht i vendosun për celebrimin e kësaj Meshe, asht e pamujtun me u anullue”. Lajmi që me 11 nandor do të celebrohej Mesha u perhap me shpejtësi. Unë personalisht u mora me organizimin dhe ditën e djelë në orën 09:00 në rrenojat e kishës së vjetër shkatrrue nga diktatura komuniste, mbas 23 viteve u celebrue Mesha e parë nga dom Frano Illia. Në sytë e besimtarve kishte lot gëzimi. Menjëherë pas Meshës ne Juban, gjithë rinia shkuan në Shkodër tek varrezat e Rrmajit sepse në orën 11:00 do të celebrohej Mesha e Madhe nga dom Simon Jubani. Populli i Jubanit, që edhe sot e k’saj dite asht shumë besimtar, nuk e humbi kurr shpresën në Zot e prandaj ishte i bekuem me dy meshtar të pazevendësushem: Dom Frano Illinë dhe Dom Luigj Kolaj. Pas një jave (me 18.11.1990) dom Luigj Kolaj celebroj meshën tek varrezat e Ganjollës, aty ku preheshin shpirtërat e atyre që kishin vdekë me mallë për ta pa këtë ditë të bekume.

...

E për me e përfundue këtë artikull…, po më bjen ndërmend nji histori që e kam ndigjue para dy muejsh në Shkodër:

Mbasi komunistat kishin shkue në nji shtëpi në Dukagjin, e familjës në fjalë përveç se i kishin shtí djalin në burg, i kishin konfiskue e plaçkitë edhe gjithshka që kishte pasë mbas shpirtit. Plaka e shpisë, nji grue sojnike e fetare, burrneshë ‘hak’, kishte dalë në prag të shpisë e tue u bâ za xhelatëve të regjimit që gjindeshin në oborr të shtëpisë  u kishte thanë: “bilé ketë a mund t’ma merrni”?

E kishte vû dorën në ballë tue u shenue me shejên e Kryqit.

Botuar i plotë në Vatican News për 30-vjetorin e meshës së parë publike në Shkodër pas ndalimit të fesë

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here