Fehim Ahmeti, 16-vjeçari i dënuar me 15 vite burg

0
182
blank

Fehim Ahmeti është një nga ata të dënuar që diktatura e burgosi pa mbushur 18 vjeç dhe e detyroi të kalonte vite të tëra në kampet e rënda të punës. Arsyeja e  vetme ishte se vëllezërit e tij zgjodhën të arratiseshin për t'u shpëtuar burgjeve.

 

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri, ai ishte ende fëmijë, por e mësoi shumë shpejt se jetën nuk do e kishte të lehtë në atë regjim. Daja i tij,  Fuat Demiraj, kishte qenë kryetar i çetës së Ballit Kombëtar për Devollin dhe si pasojë, nipërit u vunë në shenjestër. Vëllezërit e mëdhenj të Fehimit, u arrestuan pas një sherri banal në një dasmë, i cili ishte provokuar enkas dhe kur i morën në hetuesi, e harruan fare arsyen e arrestimit dhe kaluan te akuzat politike se gjoja kishin qenë me Ballin Kombëtar. Për mungesë provash, dy vëllezër u liruan, por i madhi, Samiu, u dënua me 3 vjet burg dhe u dërgua menjëherë në kampin e Kamzës. Nga aty, ai u arratis bashkë me katër të dënuar të tjerë për në Jugosllavi. Kaloi 2-3 herë kufirinin me grupin e vet, por kur erdhi herën e katërt, u zbulua, u plagos gjatë rrethimit dhe u arrestua.

Para se ta kapnin atë, arrestuan vëllanë e vogël, Fehimin, duke e akuzuar se ishte takuar me “kriminelët” dhe “diversantët”, pavarësisht që bëhej fjalë për të vëllanë.

Fehimi ndodhej në mal, e kishte zënë gjumi nga vapa, kur pesë vetë, katër nga fshati dhe një oficer Sigurimi, e zgjuan. Oficeri, pasi e pyeti, me ironi, ku i kishte ata që kishte takuar, i lidhi duart. Zbritën nga mali, ndaluan në një zyrë dhe më pas, shkuan me “Gaz” te “katër pallacina”-t siç quhej godina e Degës së Brendshme në Korçë. “Ndërkohë që po mbanin shënime, ishte një birucë, që quhej “biruca e nënshkallës” dhe duhej të ulje kokën kur të hyje atje. Ishte errësirë dhe unë nuk dija gjë, ndërsa ajo ishte pak më poshtë se niveli i sallës. Unë hapa hapin si në rrafsh, kur godita fort ballin. Më kthyen mbrapsht dhe më thanë “dil jashtë”. Në këtë moment, erdhi Ahmet Alushi, i cili ka qenë oficer në kohën e Zogut. Ai i dinte të gjitha horllëqet, edhe më parë. Ai më pa dhe vendos dorën në kokë, e thotë: Bëhet kjo që bëni ju, merret ky kalama?”- ka thënë Fehim Ahmeti për “Zërat e kujtesës” IX, botim i ISKK, i vitit 2023.

Ai ka treguar se gjatë një seance hetuesie, Feçor Shehu, që ishte kryetar dege për Korçën, në atë kohë, e gjuajti në mjekër me majën e këpucës alpine që mbante veshur.

“U ula në stol dhe instinktivisht më shkoi këmba mbi këmbë. “A mor qen bir qeni,-më tha Feçori,-këmba mbi këmbë më takon mua e jo ty” dhe më dha një të shtyrë e unë rashë përtokë. Më tha “çohu” dhe më gjuajti me majën e këpucës; nëse do të më gjuante edhe pak më fort, do të më nxirrte nofullën vendit. Edhe më pas, na rrihnin deri sa dolëm në gjyq”,- ka thënë ai.

Në gjyq, vëllai i Fehimit, Sami Ahmeti apo Liçolli, siç ishte mbiemri i familjes në atë kohë; një kushëri i tyre, Faredin Liçolli dhe babai i kryetarit të grupit i cili kishte vrarë veten gjatë rrethimit, u dënuan me pushkatim; një bashkëfshatar u dënua me 20 vite burg; ndërsa Fehimi me 15 vite burg, thuajse aq sa kishte moshën. Kjo ishte ndarja përfundimtare me vëllanë e madh. Nga intervista nuk është e qartë nëse ai u ekzekutua apo kreu vetëvrasje, sepse Fehimi thotë që i vëllai përplasi kokën në murin e qelisë, nga torturat çnjerëzore që kishte pësuar. Vëllezërit e tjerë, në kohë të ndryshme, u arratisën gjithashtu, sepse e dinin që i prisnin prangat, ndërsa Fehimi duhet të përballonte, që në moshë të njomë, jetën e burgut dhe punën e kampeve shfarosëse, të cilat i provoi me radhë, për gati 9 vjet që zgjati dënimi i tij.

“Mbas dy vjetësh në burgun e Korçës, na dërguan në kamp, në Zadrimën e Shkodrës. Atje, qëlloi periudha kur u bë revolucioni hungarez i vitit 1956, të cilin këta e quanin anti ose kundërrevolucion. Atje, filluan torturat në mënyrë të përgjithshme. Kampi ishte i mbushur me të dënuar ordinerë dhe me armiq, si puna jonë. Mbasi mbaroi lufta në Hungari na ndanë, veç ordinerët dhe të dënuarit për motive politike. Ne na çuan në kënetën e Tërbufit në Lushnjë, në Çermë. Pas një viti, na çuan në Bubullimë të Lushnjës… këto ishin kampe burgu me të burgosur që përdoreshin për bonifikim kënetash dhe kanalesh…në Bubullimë qëndruam 3 muaj. Më pas, na hoqën dhe na dërguan në Mamurras të Laçit. Kushtet e punës dhe të jetesës ishin shumë të rënda. Nga ana e persekutimit, presioni ishte shumë i madh. Kishte të bënte edhe me presionin e ndërkombëtarëve. Sipas të thënave, kur ulej tensioni ndërkombëtar, ulej edhe tensioni tek ne. Më vonë, krijonin sërish situata tensionuese. Kur mbaruam në Mamurras, na sollën në Tiranë të Re, ku qëndruam 9 muaj. Më pas, na dërguan në Rubik të Mirditës, në fabrikën e përpunimit të bakrit. Gjatë kësaj kohe, që na lëvizën nga një qytet në tjetrin, u bënë tri amnisti me ¼ e dënimit të mbetur në mënyrë të përgjithshme”.

U lirua nga kampi i Rubikut, më 6 maj të vitit 1963.

“Shkova direkt nga burgu në internim-dëbim që ishte më keq se në burg, mbas këtyre që bëra”,- ka thënë Fehim Ahmeti. Ai u vendos në Plug, atje ku ishte internuar e gjithë familja, ca kohë pas arratisjes së vëllait të tretë, Xhevatit. Xhevati, siç mësuan më vonë, ishte një nga të arratisurit që shoqëronte Hamit Matjanin kur vinte në Shqipëri, por ai nuk u kap nga forcat e ndjekjes dhe jetoi jashtë Shqipërisë.

Pjesa tjetër e familjes jetonte në internim. Fehimi u martua dy vite pas daljes nga burgu. Ai kujton se gjithë familja banonte në një dhomë të vetme, në disa banesa, si kasolle, rrafsh me tokën ku lagështia depërtonte deri në mes të lartësisë së mureve. Ato ishin ndërtuar në vitin 1949, për emigrantët jugosllavë dhe më pas u shfrytëzuan për të internuarit.

Të banuarit në kasolle ishte njëra anë e vështirësive. Tjetra, që plotësonte gjithë jetën e të internuarve, ishte puna e rëndë në bujqësi. Fehim Ahmeti tregon se ata i çonin në parcelat më të vështira, ku toka ishte e fortë. Kjo bëhej që mos ta plotësonin normën dhe t’i lodhnin sa më shumë. Jo vetëm kaq, por në fund të muajit, nuk i paguanin plotësisht, duke u mbajtur ditët e punës. Padrejtësive, pamundësisë për të protestuar, u shtohej edhe survejimi dhe ndjekja që Fehimi ka thënë që nuk iu nda deri në vitet ’90.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here