Rrahman Parllaku/ Gjenerali, i burgosur në diktaturë

0
166
blank

Rrahman Parllaku, i ndarë nga jeta 5 vjet më parë, plotësoi urimin e shqiptarëve “U bëfsh 100-vjeç!”. Por a do donte kushdo të kishte jetën që pati ai? Vetë Parllaku ka thënë se, pavarësisht ulje-ngritjeve, ka pasur një jetë të mirë. Ndërsa, dy momentet më të vështira të saj i ka kaluar në periudhën e hetimit dhe gjykimit në diktaturë. Kujto.al sjell dëshmitë e Parllakut si dhe shënimet e dosjeve të Sigurimit, për të, që AIDSSH i ka bërë publike këto ditë, kur është kujtuar 105-vjetori i tij i lindjes

 

Goditja e “grupit puçist” në ushtri në fund të vitit 1974 dhe ekzekutimet që e pasuan në vitin 1975, përbëjnë një nga ngjarjet që kanë shenjuar diktaturën. Rrahman Parllaku, ishte një nga të mbijetuarit e atij procesi, që, mes të qenit pjesë e aparatit shtetëror komunist dhe një i dënuar prej këtij regjimi, përcolli, pas daljes nga burgu, këndvështrimin dhe dëshmitë e tij për ngjarjet e kohës. Këto ditë, në 105-vjetorin e lindjes, figura e tij është përkujtuar me aktivitete dhe publikime që sjellin edhe një herë në vëmendje jetën dhe dënimin e partizanit të luftës antifashiste, që u shpall “Hero i popullit”, u gradua gjeneral-lieutenant dhe më pas, u dënua me 25 vite burg nga diktatura.

Përfshirja në luftë

I lindur në fshatin Novosej të Kukësit, më 17 prill 1919, Rrahman Parllaku ishte zhvendosur në Jug që në moshë fare të re. Qëndruan fillimisht në Mallakastër dhe më pas, në Selenicë të Vlorës, ku që prej vitit 1936, bashkë me të vëllanë dhe një kushëri kishin hapur një lokal. Në 1939-ën, kur u përhap lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Rrahmani, në atë kohë 20-vjeçar, me të vëllanë dhe kushëririn, e mbyllën lokalin dhe, bashkë me banorë të tjerë të krahinës, u nisën drejt Vlorës në datën 5 prill.

“Pritëm dy ditë atje për t’u armatosur dhe për të luftuar kundër fashizmit. Fakti është që armë nuk na u dhanë…Mëngjesin e 7 prillit, u detyruam të kthehemi në Selenicë, për arsye se nuk na u dha mundësia të bëjmë rezistencë”, ka treguar gjeneral-lieutenant, Rrahman Parllaku, në një intervistë për programin “Opinion”, në vitin 2009, nga ku janë marrë citimet e këtij shkrimi. Dke qenë që në Selenicë ishte qendra e Shoqërisë së Minierave SIMSA, aty kishte shumë italianë. Ata përbënin shumicën e klientelës së lokalit dhe, në rrethanat e reja, të rinjtë nga Kukësi nuk mund të vazhdonin t’u shërbenin atyre, kështu që në nëntor 1939, u vendosën në Vlorë, ku hapën sërish një lokal.

Pyetjes së Blendi Fevziut a ishte komunist në atë kohë, Rrahman Parllaku, i është përgjigjur: “Bah, jo! Po të kishte mbajtur Zogu fjalët... dhe të kishte dalë të luftonte, unë do isha zogist…Urrejtja për okupatorin, më çoi që të bëhem me komunistët".

Rrahmani kujton se ai u përfshi për herë të parë në rezistencën kundër italianëve në një demonstratë të zhvilluar në Vlorë më 28 nëntor 1941. Në tubimin para prefekturës, një student nga Tragjasi, kishte filluar, fillimisht, të thërriste: “Poshtë fashizmi!”. Më pas pjesëmarrësit kishin hequr flamurin italian që valëvitej tashmë nëpër institucione, e kishin shkelur dhe ishin larguar me të. Te sheshi para bankës, djaloshi 22-vjeçar e kishte marrë në dorë flamurin që autoritetet po kërkonin t’u kthehej, por, i goditur në kokë, u gjend i rrëzuar. Pas këtij episodi, kujton ai, komunistët ishin interesuar për të dhe ai kishte pranuar të bëhej pjesë e organizatës së tyre.

Që nga ai moment, Rrahman Parllaku do ishte pjesë e pandarë e luftës nacionalçlirimtare dhe e organizimit komunist me pseudonimin “Krajli”, duke marrë pjesë në luftë dhe duke u rritur në detyra dhe në grada. Fundi i luftës e gjeti në Kosovë si komandant divizioni, me gradën nënkolonel.

blank

Karriera dhe dënimi në diktaturë

Pas luftës, ai u nderua me titullin “Hero i Popullit”. U zgjodh deputet i Kukësit në zgjedhjet e para të pasluftës më 2 dhjetor 1945 dhe u rizgjodh në këtë post, në të gjitha legjislacionet, deri në arrestimin e tij.

Në vitin 1948, shkoi për të kryer studimet në Akademinë e Lartë Ushtarake në Moskë, nga u kthye në vitin 1951. Mbajti detyra të rëndësishme në sektorin e ushtrisë dhe mbrojtjes si drejtor i personelit të ushtrisë, zvministër i Mbrojtjes, Komandant i Forcave Ushtarake Detare, etj. Në vitin 1974, kur ndodhi arrestimi i një grupi ushtarakësh të lartë, ku përfshiheshin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku etj., ai ishte zv. Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Goditjen ndaj ushtarakëve, në vitin 1974, Parllaku e ka shpjeguar me frikën e Hoxhës ndaj këtyre kuadrove, të cilët kishin qenë udhëheqës të luftës dhe një pjesë, ishin edhe deputetë dhe kishin ndikim në popull. Kështu, sipas tij, nën shembullin e Stalinit, u likuiduan kuadrot që kishin ndikim. Sipas Parllakut, “fshesa e hekurt” që u krijua në atë kohë, u përgatit me të dhënat e Hysni Kapos.

Siç tregojnë dokumentet e Sigurimit, të publikuara nga Autoriteti i Dosjeve, përpunimi i tij aktiv kishte nisur vetëm dy ditë para arrestimit. “Më datë 14.12.1974 si ushtarak i lartë është marrë në përpunim aktiv 2A “për veprimtari komplotuese” nga Dega e Sigurimit të Ushtrisë. Nga përpunimi i tij del se: “…objekti gjatë kohës, nën drejtimin e armikut Beqir Balluku dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ka zhvilluar veprimtari armiqësore kundër vijës politike të partisë në ushtri. Ka marrë pjesë aktive në përpunimin e materialit armiqësor me tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Me funksionimin që kishte në ushtri është përpjekur të shpërndajë këtë material dhe ta aprovonin”, shkruhet në postimin e AIDSSH në FB.

Për “materialet e zeza” që u përdorën si akuzë ndaj tyre, Parllaku ka thënë në intervistën e 2009-ës, se ato ishin hartuar me porosi dhe dijeni të plotë të Enver Hoxhës.

“Jam arrestuar më 16 dhjetor 1974. 11 muaj në hetuesi. Brenda qelisë, në kafaz. Katër kafaze. Kjo ishte për anën psikologjike: ke hyrë këtu e nuk del më i gjallë. 11 muaj asnjë komunikim me familjen”, kujton ai. Në gjyq e dënuan për sabotim, tradhti dhe agjitacion e propagandë me rrezikshmëri të theksuar, tri akuza që dënoheshin me nga 25 vjet burg secila, por sipas Kushtetutës, dënimi përfundimtar u la 25 vjet.

Kur ka dhënë intervistën për emisionin "Opinion", Rrahman Parllaku qe 90 vjeç dhe për të, momenti më i vështirë i jetës mbetej ai kur la në sallën e gjyqit shokët e dënuar me pushkatim. “Erdhën 9 oficerë për të më uruar dhe më gjetën në vaj. -Ç’ke?-më thanë. -Ti shpëtove.- Po, shpëtova unë, po ku i lashë ata”? Ky ka qenë momenti më i vështirë për mua”.

Ndërsa momenti tjetër më i vështirë që ka përmendur, i përket gjithashtu kësaj periudhe, kur edhe pas dënimit, për 4 muaj u mbajt i izoluar, duke kaluar gjithsej 15 muaj pa asnjë informacion nga familja. Realisht, kishte ndodhur ajo që ai trembej. Gratë e familjes, “ishin shpërndarë në katër anë të ndryshme të horizontit: një në malësitë e Burrelit; një në fshatrat e Beratit; tjetra, vajzë e re, mbaruar gjimnazin, në Kombinatin Metalurgjik 5 vjet; gruaja me të ëmën në Kavajë”.

Pasojat e dënimit të tij do të binin edhe mbi nipërit dhe mbesat. Tre nipërit, i pushuan nga punët dhe i shpërndanë në Shqipëri në terrene dhe punë të vështira. E megjithatë, një përmbushje shpirtërore e atyre viteve të errëta, për Rrahman Parllakun, ishte se familja, pavarësisht që ai u bë shkaku i telasheve të tyre, nuk e braktisi kurrë. Vëllai i tij u paralizua, por kunata shkonte rregullisht ta vizitonte në burg, si një motër e mirë.

Rrahman Parllaku vuajti 16 vjet, 3 muaj e 1 ditë burg, por 6 vitet para, sipas tij, ishin më të vështirat. “Kam vuajtur shumë 6 vjet në Tiranë, i izoluar. Kur shkova në Burrel, isha gjysmë i liruar. Atje, ishte shtabi. U takova me gjithë kuadrot: Fadili, Todi, Lipe Nashi… Atje, merrja shtypin”.

E megjithatë, ato vite “gjysmëlirie”, ai ishte i survejuar. “Gjatë kohës që vuan dënimin në repartin 321 Burrel, “qëndrimi i tij nuk ka qenë i mirë, ka zhvilluar aktivitet armiqësor më formën e agjitacionit e propagandës, duke iu kundërvënë vijës politike të partisë”. Në dosjen formulare nr. 3210, e përbërë me 372 faqe, dokumentet janë ndërtuar mbi bazën e përgjimit të shtetasit të survejuar Rrahman Parllaku, në ambientet e burgut të Burrelit, të  kryera me T.O.. Pra është vepruar ndryshe me shtetas të tjerë të cilët në të shumtën e rasteve ndiqen para arrestimit të tyre. Gjithashtu është evidentuar se shtetasi Rahman Parllaku është përgjuar si i dënuar së bashku me shtetas të tjerë të burgosur si “Kiço Ngjela, Lipe Nashi etj”, në burgun e Burrelit.  Përgjimin me T.O. vijon mes “të dënuarve antiparti si Gjergj Titani, Bardhyl Belishova, Maqo Çomo, Fadil Paçrami, Rahman Parllaku, Kiço Ngjela etj.”.  Më së shumti janë përgjuar bisedat e zhvilluara nga “të dënuarit antiparti Kiço Ngjela, Rahman Parllaku, Spartak Ngjela”, shkruhet në postimin e AIDSSH.

Rrahman Parllaku u lirua më 17 mars 1991. “Meqë isha futur i pari në burg me Beqir Ballukun, komisari im, Ramiz Alia- e kam pasur Komisar të divizionit në Jugosllavi- më nxori të fundit. Të fundit kemi dalë unë, Kiço Ngjela, Fadil Paçrami, Skënder Shehu, Fatos Lubonja”.

Më 20 korrik të vitit 1994, Gjykata e Kasacionit vendosi prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë dhe pushimin e akuzave.

Pas daljes nga burgu, Rrahman Parllaku bëri një jetë aktive. Ai u përpoq ndër të tjera me organizatën e veteranëve për të gjetur eshtrat e ushtarakëve që u dënuan me pushkatim: Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dume dhe gjeneralëve të shuar në burgun e Burrelit: Abaz Fejzo dhe Vaskë Gjino, duke u kthyer familjeve eshtrat e të afërmve. Një detyrim që vendi ynë nuk e ka përmbushur ende për mijëra të zhdukur gjatë diktaturës.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here