Një hoxhë dhe një prift në qelitë e komunizmit

0
114
blank

Bashkëjetesa në një qeli burgu e klerikëve të feve të ndryshme dhe përballja me dhunën dhe provokimet e komunistëve

 

Në ditën e përcjelljes nga kjo botë, në vitin 1937, të klerikut mysliman Haxhi Vehbi Dibrës, kleriku ortodoks Visarion Xhuvani, mbajti një fjalë nderi. Tre vite më vonë, më 31 dhjetor 1940, do të ishte Hafiz Ali Kraja ai që nderoi me fjalët e tij, klerikun dhe poetin e madh, Gjergj Fishtën në ceremoninë e varrimit.

Më pas erdhi diktatura.

Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja u arrestuan, i pari më 1946 dhe i dyti më 1947. U dënuan me burgime të gjata dhe u liruan vetëm pasi kishin kryer i pari 17 dhe i dyti 18 vite burg. Siç dihet, kjo ndodhi me një numër të madh klerikësh në Shqipëri, të cilët u arrestuan dhe u burgosën, për t’u shpërndarë në kampe pune e burgje të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Si pasojë, bashkëjetesën dhe tolerancën fetare, të përmendur jo rrallë herë në vendin tonë, do ta shohim të shfaqet, tanimë, nën një dritë fantazmagorike, në qelitë e burgjeve, siç na e kanë përcjellë dëshmitarët.

Kujto.al sjell dy nga ato raste kur klerikë besimesh të ndryshme fetare u gjendën në një qeli burgu; jetuan të lidhur me të njëjtat pranga dhe i rezistuan, deri në fund, provokimeve dhe dhunës së hetuesve e policëve.

Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Irine Banushi

Studiuesi Roald Hysa ka sjellë në blogun e tij dëshminë e ish-të burgosurit politik, Ibrahim Hasnaj, për një ngjarje të pazakontë në një nga dhomat e burgut të Tiranës, histori që është publikuar edhe në disa media online e që vjen si më poshtë:

Kisha pak ditë që isha në një kaush–dhomë të burgut të Tiranës, së bashku me Hafiz Ibrahimin dhe Irine Banushin, një prift i urtë e shumë njerëzor i besimit ortodoks, kur hapet dera dhe futet oficeri i Sigurimit e hetuesi i birucave, i tmerrshmi dhe sadisti i madh, Muço Saliu. Ky, porsa hyn në kaush i afrohet të dy klerikëve që ishin afër njëri-tjetrit, dhe pasi ia hoqi çallmën Hafizit ia vuri në kokë Irine Banushit, kurse kamillafin e Irineut ia vuri në kokë Hafizit. Duke iu drejtuar në fillim priftit ortodoks i tha:

- Hë, si të duket? U bane hoxhë.- Irine Banushi me zgjuarsinë dhe inteligjencën e tij të rrallë, i përgjigjet:

- Të jam shumë mirënjohës, që më vune çallmën e një kleriku mysliman, i cili asht dënue me vdekje dhe e ka kalue jetën në burgje dhe internime, veçse për atdheun e popullin.- Oficeri gjakatar në çast i kthehet hoxhës veteran:

- Po ty, a të pëlqen që u bane prift?- Hafizi me sinqeritetin që e ka shoqëruar gjithë jetën dhe me gjakftohtësi krenare i thotë:

- Më pëlqen, se e kam vëlla.

 Oficeri kafshëror, kur e shikoi se nuk ia arriti qëllimit për t’i shqetësuar shpirtërisht u largua me “bisht në shalë”.

Hafiz Ibrahim Dalliu, me një kontribut të vyer si mësues dhe përhapës i shqipes, arsye për të cilën ishte dënuar, më parë, nga pushtuesit osmanë, u dënua nga qeveria komuniste, në vitin 1948, në moshën 70-vjeçare, me 5 vite burg, për “faje penale kundër popullit dhe shtetit dhe agjitacion dhe propagandë”. Vendimi u prish më vonë, por hoxha, u torturua për disa muaj, në hetuesi, pavarësisht moshës së thyer. U lirua nga burgu i gjymtuar dhe ndërroi jetë në vitin 1952.

Irene Banushi, përveç dënimit të parë, gjatë të cilit u gjend në një dhomë burgu me hoxhën Ibrahim Dalliu, u dënua edhe një herë tjetër, po me 5 vite burg. Pasi u lirua, për herë të dytë, u internua dhe me ndalimin e fesë, filloi punë në ndërmarrjen e ndërtimit të hekurudhës dhe më pas, si kryellogaritar në parkun e autobusave në Lushnjë. Ndërroi jetë në Tiranë, më 25 nëntor të vitit 1973, pasi ishte dërguar atje, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

 

Zef Pllumi dhe Xhabir Dibra

blank
Zef Pllumi

Këtë herë, dëshmitar është vetë një nga protagonistët, Zef Pllumi. Gjatë dënimit të parë, kur ishte ende djakon, ai qëndroi për pesë muaj i lidhur me të njëjtat pranga me besimtarin e devotshëm mysliman, që më pas përmendet si klerik mysliman, Xhahir Dibrën. Ja çfarë shkruan në librin me kujtime, “Rrno vetëm për me tregue”, Pllumi:

Në këtë kohë racjoni i burgut ishte vetëm 400 gr bukë e nji tas (1/2 lt.) ujë: ujë mund jepshin edhe ma shumë simbas enes dhe rastit. Un nuk kishem kurrfare ndihme prej familjes, sikur kishin shumica e të burgosunve. Gjatë jetesës me Fratel Gjonin, ai më kishte furnizue me 2 palë ndrresa, por tash ku t’i dërgojshem me i la? Ndrresat i hiqshem e i ndrrojshem përsri po me ato të palamet në krye të javës. Bukën që më bijshin e hajshem me nji vrull dhe mandej shtijshem kryet në legenin e madh, porsi lopët, për me pi nji pikë ujë.

Ndodhi rastësisht që un tue pi në këtë mënyrë, kalon nëpër korridor Ali Xhunga. Ishte hetuesi kryesor përgjegjës i Burgut të Kishës. U ndal e me pveti:

- Përse pin ashtu?

Un iu përgjegja se legeni ishte i madh e me duert të lidhuna si kisha për ta mbajtë.

- Po enët e ushqimit ku i ke?

- Un nuk kam kurrgja përveç ktij legeni.

- Po bukën me çka e përcjell?

- Vetëm me ujë.

- Çfarë profesioni ke?

- Frat françeskan.

- Prift?!

- Gadi prift: djakon.

- Dhjak?!

- Po, dhjak.

- Shif, - më tha – un po të dërgoj te nji hoxhë, i cili ka ushqime aq shumë sa i kthen përditë në shpi. Po të çoj te ai dhe lutnju Perëndisë së bashku: ai turqisht e ti shqip. Ç’thua ti?

- Un jam gadi, ashtu due.

- Merri teshat!

Un i mblodha e u nisa mbas tij. Gardiani ishte gadi. Hapi derën Nr.24.

- Ja, - tha – ky është hoxha e ti prifti. Mos u rrahni bashkë, se do u rrahim neve.

Gardiani i Burgut më la që të avitshem dyshekun tim me të tijin. Kur u shtriva në dyshek na lidhi së bashku dorë për dorë e kambë për kambë.

Nuk ishte hoxhë: ishte Xhabir Dibra, vllai i dentist Dr.Ibrahim Dibrës, që kishte studjue në Austri, prej nji familje të shqueme të myslimave të Shkodres. Vllaun tjeter e kishte mjek të lauruem në Universitetin e Bolonjës (Itali) si dentist-laborant. Ishte nji djalë i pashëm bardhosh, trup shkurtë e i shëndoshë. Më tregoi se i vllai i tij Dr.Ibrahimi kishte për grue motrën e Av.Myzafer Pipës (dëshmia e Agime Pipës tregon se motra e saj ishte e martuar me Ibrahim Dibrën dhe ato ishin kushërira të afërta të Myzafer Pipës, jo motra-shënim i Kujto), e cila kishte dy vajza engjullushe të vogla. Dr.Ibrahimi ishte edhe ai në burg e, për rrjedhim, në shpi kishte mbetë motra e vetme bashkë me nanen: Nijen.

O Zot i madh e pse i kishin arrestue të gjithë ata njerz? Vetëm se ishin tregue perëndimorë. Mysliman po dhe perëndimorë! Ky ishte faji i madh! Kristiani dhe myslimani nuk mund jetojshin bashkë! Pra, ky ishte koncepti i sundimtarve të rij.

Xhabiri ishte nji fisnik i vërtetë. Për fenë e vet, për Muhamedin, ai pothuej nuk dinte kurrgja, por kishte nji besim të ngulun në Zotin: krijues e rregullues të gjithshkafes. Besonte. Mue më respektonte si nieri i kushtuem këtij Zoti. Si moshë ishte nja dy-tri vjet para meje. Prej shtëpie i vijshin gjithë të mirat. Dhoma ishte plot, por, për shkak të mijve, ai ushqimet e bukën i kishte vendosë në prakun e dritares së mbyllun. Më pveti:

- Po ti, ku i ke ushqimet?

- Nuk kam.

- Kurrgja?

- Jo, nuk me bjen kush.

- Ke familje?

- Të gjithë i kam, por janë në malsi edhe nuk e njofin qytetin: edhe në paçin ardhë, qytetarët mund të jenë tallë me ta.

- Po Kuvendin Françeskan?

- Ato do të jenë tue dekë unit për vedi, jo që nuk dij a ka mbetë kush gjallë.

- Shif, - më tha – un, faleminderes Zotit kam ushqime jo për nji, por për tre-katër vetë. Nana ime asht shumë bujare, ashtu edhe motra. Më bien ma shumë me qëllim që un të baj sevap tue u dhanë tjerve. Prandej gjithshka kam un asht edhe jotja, mos të vijë marre, as mos thuej jo.

Por un thashë jo. Nuk mujshem me hangër buken e njanit që nuk e njifshem.

N’e nesret atij i erdhën ushqime plot. Nxuer pothuej të gjith ato gjana të mira që i kishin teprue. Dihej mirë që i hajshin policët vetë, se nuk kishin pse i kthejshin në shpi. Un nuk pranova të haj bashkë, më dukej nji padrejtsi që i bajshem atij edhe familjes. Ai nuk ndigjoi me hangër vetëm. Nguli kambë: “O do të hame bashkë, o asnjani”. Un ishem shumë i untë, por shumë i qetë. Gjatë gjithë rinisë e kishem ushtrue vedin me mortifikacjone, ndër të cilat ishem shumë kryenece. Por, at ditë ndeshi sharra në gozhdë. Un nuk mora nga ushqimet e tija, as ai nuk hangri. Kur erdh Elez Mesi me i marrë u kthyen të gjitha mbrapshtë. E pveti:

- Xhabir, nuk i paske prekë?

- Jo, - tha ai – por thuej motrës që të më bien për dy.

Kur shkoi ai më tha: “A nuk ke turp me përbuzë gjellët që gatuejnë nana dhe motra ime? Apo, ju priftent jeni msue me hangër mirë e nuk i begenisni gjellët tona?

Un po të thom se gjellët perëndimore janë tepër të shijshme, por edhe nana e motra ime dijnë me i gatue ato ma mirë se gjellët orientale“. Kishte mbetë i fyem me të vërtetë kur më pa se un hangra bukën thatë.

U mundova me atë timen t’i shpjegoj se secili nier kishte riskun e vet, të cilin duhet ta bajë me vetmohim e me ndërgjegje e mos t’i bahet barrë shoqit të vet, se prej këtyne lindin mandej paknaqsitë dhe kontradiktat e kështu ma mirë secili në punë të vet.

Ai m’u kthye se ai edhe familja e tij besojshin në Zotin si myslimanë.

- Nana, - tha ai – thotë që çdo mysliman i mirë duhet të paguajë zeqatin, edhe jo vetëm që ajo jep zeqatin vetëm për vedi, por insiston që edhe na djelmët e saj duhet ta japim zeqatin, se asht detyrë ndaj Zotit. Prandej për mue, këtu ti je në vend të Zotit.

Un i kërkova të falun edhe i thashë: “Un nuk kam ndër mend me ta spjegue doktrinën kristjane, as me të ba kristian, por vetë ungjilli thotë që dashunija e Zotit tregohet ma së shumtit në dashuni të shoqit”. Prandej u gëzova për besimin e ngultë të tij dhe pranova të ha si lypsar në shtëpinë e tij. Që ate ditë na kjem vllazën të vërtetë. Kjo dashuri e vërtetë vllaznore na mbeti gjithë jetën, jo vetëm me te, por edhe me pjestarët tjerë të familjes, si nanën Nije, ashtu edhe motrën. Ndoshta ma vonë do të bien rasa të flasim përsri, mbasi gjatë burgut e kanë dijtë të gjithë tjerët prej tij e prej meje se ishim vllazen të vërtetë.

Me Xhabir Dibren kam ndejë i lidhun dorë për dorë e kambë për kambë afër pesë muej.

Xhabir Dibra u lirua nga burgu në vitin 1951. Ndërsa Zef Pllumi u arrestua sërish në vitin 1967, për ta fituar lirinë pas 22 vitesh. Ai jetoi deri në vitin 2007 dhe e plotësoi amanetin për të treguar./kujto.al

Shënim: Në kolazhin e fotos kryesore, hoxha Ibrahim Dalliu dhe prifti Irine Banushi, marrë nga Koha Islame.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here