Klerik i lartë ortodoks, peshkop i Strugës-Prespës dhe Caredvorit, ndihmës-peshkop i Apollonisë, peshkop i Gjirokastrës, pedadog. Ilia Kolë Banushi lindi në Shkodër, më 18 gusht të vitin 1906. Shkollën e mesme e filloi në liceun «Illyricum» (1925) dhe e   përfundoi në  Seminarin Ortodoks të Cetinjës (1931). Ndoqi Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në qershor 1938. Pas kthimit në atdhe, Kryesia e Kishës Otrodokse Autoqefale të Shqipërisë e emëroi profesor në Seminarin Kombëtar «Apostull Pavli», kurse Ministria e Arsimit profesor të gjuhës latine dhe të historisë në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (tetor 1941).

Sipas autobiografisë së Irine Banushit, gjatë hetuesisë së vitit 1946, mundësuar për kujto.al nga Astrit Jegeni, tre muaj pas pushtimit fashist, u arrestua nga italianët në Shkodër dhe pasi kaloi 25 ditë në burgun e Shkodrës dhe 4 ditë në burgun e Tiranës, u internua në Redondesco të Mantovas, në Italinë e Veriut. U lirua në qershor 1940 dhe u kthye në Shqipëri.

Më 30 janar 1942, u hirotonis hierodhjakon, një ditë më vonë hieromonah e arkimandrit me emrin Irine dhe më 1 shkurt peshkop. Me vendim të Sinodit të Shenjtë iu caktua froni i peshkopit të Strugës-Prespës dhe Caredvorit. Më vonë u emërua ndihmës-peshkop i Apollonisë. Deri më 12 korrik 1945 qëndroi si ndihmës peshkop i Kryesisë, e që prej asaj dite, derisa u arrestua, ushtroi funksionet e peshkopit për dioqezën e Gjirokastrës, por si titullar.

U arrestua më 28 tetor 1946. Pas hetimesh të stërzgjatura, më 17 prill iu komunikua dënimi me 5 vjet heqje lirie, dënim të cilin e kreu në burgun e Tiranës. Përfitoi nga amnistia e 28 prillit 1949, dhe sapo doli nga burgu u shtrua në senatoriumin e Tiranës, sepse gjatë viteve të burgut ishte sëmurur me tuberkuloz. Një muaj e gjysmë pas daljes nga spitali, u izolua në manastirin e Shën Vlashit në Durrës. Më 1 shkurt 1950 u thirr si specialist për çështjet kankonike dhe dogmatike në komisionin për hartimin e Statutit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Por ai nuk pranoi dhe kundërshtoi hapur shkeljet dogmatike dhe kanonike që bëheshin në atë kohë në Kishë. Ai nuk pranoi të merrte pjesë as në Kongresin III të KOASh-it dhe as në dorëzimin e peshkopëve të rinj, të cilët më parë kishin qenë priftërinj të martuar. Për këtë arsye, pa kaluar shumë kohë, më 22 gusht 1952, një ditë përpara kremtimit të emrit të tij, u arrestua sërish. Pas hetimeve, më 9 prill 1953 u dënua përsëri me 5 vjet heqje lirie me akuzën se «Ka zhvilluar aktivitet kundër KOASh-it dhe ka nxitur elementë të tjerë për të shpifur kundër Kryesisë së Kishës me qëllim për të diskredituar udhëheqjen e saj dhe më në fund për t’i hequr nga posti dhe për ta kthyer KOASh-in kundra vijës që ndjek sot dhe për të zhvilluar në të aktivitet kundra pushtetit.». U lirua pas kryerjes së kohës së plotë të dënimit, më 25 gusht 1957. Fill pas lirimit, u internua në Manastirin e Ardenicës në Lushnjë, ku qëndroi deri më 1967. Pas ndalimit të fesë, u zhvesh nga çdo detyrë kishtare dhe filloi punë në ndërmarrjen e ndërtimit të hekurudhës (1967-1969) e më vonë si kryellogaritar në Parkun e Automjeteve, po në Lushnjë. Pas keqësimit të shëndetit, më 18 nëntor 1973 u dërgua urgjentisht në spitalin e Tiranës. Vdiq në shtëpinë e së mbesës në Tiranë, më 25 nëntor të vitit 1973. Hirësia e Tij Irineu është autor i librave shkollorë Mësime fetare orthodhokse (1943) për klasën e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të fillores, të cilat u ndaluan me vendim të Gjykatës së Rrethit të Tiranës, datë 2 mars 1948. Ka përkthyer librin e Stavrofor Dr. D. Stefanoviqit, Hymje në Testamentin e Ri: Pjesa e parë, Veprat e Apostujvet – Jeta e Veprat e Ap. Pavlit – Letrat e Ap. Pavlit – Letrat e Përgjithëshme – Zbulesa (Apokalipsis), që u botua në Tiranë, më 1944, nga Kryepiskopata Orthodhokse e Shqipërisë.

Burimi: Gazeta Zyrtare, 10 prill 1948, f. 6-8; Andrea Llukani, Kisha në diktaturë, Tiranë, 2012, f. 15-17; 70 vjet të kishës ortodokse autoqefale shqiptare, Tiranë, 1993.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.