Kryefaqja Dëshmi E internuar me fëmijën 40-ditësh

E internuar me fëmijën 40-ditësh

0
732
blank

Historia e Hajries, gruas që sapo ishte bërë nënë për herë të parë, por duhet të niste një jetë të mundimshme nga njëri kamp internimi në tjetrin. E nxorën nga shtëpia në mes të të ftohtit të janarit dhe ajo duhej të përballonte vuajtjen, urinë dhe sëmundjet, me foshnjën në krahë. Vetëm sepse bashkëshorti ishte arratisur dhe vëllezërit konsideroheshin armiq të pushtetit.

 

Hajria ishte një nga shtatë fëmijët e Fehim Ahmetit dhe më e madhja e tri motrave. Vëllai më i vogël u lind pa ikjes nga kjo botë të të atit dhe mori emrin e tij. Është pikërisht Fehim Ahmeti i riu, që mes kujtimeve për burgun e tij, pushkatimin e të vëllait, vitet e internimit, rrëfen vuajtjet e Hajries që nisën atëherë kur nisi edhe jeta e saj si nënë.

Hajria u martua në fshatin Kapshticë të Devollit. Bashkëshorti i saj, Enveri, planifikoi të arratisej së bashku me të, pavarësisht kundërshtimit të nënës se kështu do të merrte më qafë veten dhe Hajrien.

Fehimi, që në atë kohë ishte fëmijë dhe e përdornin si korrier për porositë në fshatin e dajove dhe në fshatin ku ishte martuar motra, kujton se një ditë kur ndodhej në Eçmenik, kunata e së motrës erdhi për të lajmëruar se Hajrien e priste Enveri në Bilisht, për t’u arratisur. Pavarësisht përpjekjes për t’u organizuar me shpejtësi, Hajria nuk arriti të mbërrinte në kohë. Enveri ishte detyruar të arratisej, sepse tashmë lajmi ishte përhapur dhe atë po kërkonin ta arrestonin.

“Motra lindi djalin dhe 40 ditët, si ishte zakoni, do t’i bënte te ne. Në shtëpi ngeli vetëm vjehrra plakë. Një ditë janari, ftohtë kiamet, mbërriti Sigurimi për ta internuar. Në atë kohë, bënte shumë ftohtë, me javë, ishte ngrirë çdo gjë. Fëmija ishte shumë i vogël, sa kishte bërë 40 ditë. Kemi ardhur-i thonë ata motrës, që të çojmë në degë, për të të bërë disa pyetje. -E di, e di- i thotë motra dhe mori djalin në krahë. -Po, lëre djalin,- i thonë ata. -Nuk e lë djalin, as një orë, as dy apo tre,- iu tha motra. Ata ishin të bindur që ta linte djalin, por ajo e mori me vete”, -kujton Fehim Ahmeti për vëllimin IX të “Zërave të Kujtesës”, botuar nga ISKK, botim nga janë marrë citimet dhe të dhënat e këtij shkrimi.

Fushata e grumbullimit të familjeve që do të internoheshin kishte përfshirë këtë herë Fushën e Korçës dhe Devollin. Të gjithë do të grumbulloheshin paraprakisht në fshatin Zvezdë, nën Malin e Thatë. Ishte një shtëpi me një oborr të madh. Hajria nuk ishte lejuar të merrte asgjë me vete, por atje, duke e parë me djalin e vogël në krahë, e pyetën nëse kishte ndonjë të afërm në atë fshat, ku të kërkonin ndonjë batanije. Ndodhi që atje banonte një familje të afërmish, të cilët u treguan të gatshëm ta ngarkonin gomarin me velenxa, por polici dhe kryetari nuk i pranuan. Kishin vendosur të mos e linin Hajrien dhe djalin e saj të ngrinin nga i ftohti, por nuk donin kurrsesi që ata të ishin ngrohtë. Morën një batanije të vetme dhe ia sollën Hajries për foshnjën.

“Të gjithë njerëzit ishin jashtë, në mes të oborrit dhe motra, bashkë me një fëmijë të porsalindur. Furturna nuk ndalonte. Të nesërmen i marrin në kamion dhe i nisin për në rrugën e Tiranës. Shiu binte pa pushim dhe të gjithë ishin lagur. Edhe motra ishte lagur dhe një shofer që e njihte familjen tonë, I thotë të hynte në makinë meqë kishte fëmijë të vogël. Brenda në makinë kishte një plakë. Duhej të dilte plaka e të hynte motra. Ajo nuk pranoi. -E po ngordhsh! – i thotë shoferi. Deri sa vajti në Kamëz, motra u lag dhe mori sëmundje dhe ashtu ngeli për një kohë të gjatë. Kur shkuan në Tepelenë, e çonin gjithmonë në spitalin e Gjirokastrës”.

Si fillim e çuan në Kamëz, ku ishte kampi lart dhe kampi poshtë. Doli një urdhër që familjarët do bashkoheshin dhe Hajria iu bashkua vëllait të madh, i cili ishte dënuar me 3 vite burg pas vendosjes së regjimit komunist, si pjesë e nja familjeje nacionaliste dhe ndodhej në kampin e Kamzës në atë kohë. Më vonë ai u arratis, por në një nga vizitat që bënte në Shqipëri për të takuar familjen, u plagos, u kap dhe më pas u dënua me pushkatim. Këto takime u bënë shkak edhe për arrestimin e vëllait të vogël, Fehimit edhe pse ai ishte vetëm 16 vjeç. Dhe pavarësisht moshës së vogël dhe pavarësisht që “krimineli” që kishte takuar, ishte i vëllai, u dënua me 15 vite burg.

Por kjo do të ndodhte në vitin 1954, atëherë kur Hajria bashkë me të birin, që e njohu botën përmes telave me gjemba, u zhvendosën në kampet e hapura të Lushnjës. Deri në atë kohë, kjo nënë e re do të shëtiste disa kampe internimi. Nga Kamza, do të shkonte në Berat. Nga Berati në Cërrik. Nga Cërriku në Tepelenë.

Kur Hajria ishte në kampin e Tepelenës, në vitin 1953, Fehimi shkoi për ta takuar. Kujton se ishte me të ëmën dhe se komanda u tha se Hajria ishte shtruar në spitalin e Gjirokastrës. U detyruan ta kalonin natën në fushën e druve dhe me të gdhirë, u nisën në këmbë drejt Gjirokastrës, në një rrugë që dukej se nuk do mbaronte kurrë. “Ecëm në këmbë deri tek Ura e Leklit. Nuk e di sa ishte distanca me këmbë, por ishte shumë kilometra. Arritëm në Gjirokastër. Pyetëm tek roja e spitalit dhe ai tha, se nuk ka njeri të shtruar me këtë emër dhe na drejtoi për në degë. Dega ishte shumë larg, në kala. Përpjetë ne, në kala sipër, ku ishte dega. Edhe atje na thanë se nuk ishte, duke na drejtuar për te spitali. Atë ditë, kemi bërë mbi dy-tri herë rrugën degë-spital-degë, duke na sorollatur derisa takuam në spital një grua malësore. Ajo, për fat, na tha që ishte e shtruar në një dhomë me motrën. Nuk kishim për ta takuar motrën po mos të na dilte ajo. E lajmëruam motrën dhe qëndruam me të deri në darkë vonë, duke biseduar”.

Do të dëgjonin prej saj për punën e rëndë si skllevër të të internuarve, pavarësisht që për vete, ajo u tha se, si të gjitha nënat me fëmijë shumë të vegjël, i jepnin një punë më pak të rëndë. Për më tepër në kampin e Kamzës kishte gjetur edhe disa gra të afërme, si nga fisi i nënës dhe ai i babait, të cilat ishin kujdesur për të birin, kur ajo shkonte në punë.

Atë natë pasi motra u kthye në dhomë, ata fjetën në oborrin e spitalit dhe të nesërmen në mëngjes u nisën për në Korçë. Ishte takimi i fundit deri pas shumë vitesh. Një vit më vonë, Fehimin e arrestuan. U dënua me 15 vite burg. Vëllanë e madh e pushkatuan.  Edhe dy vëllezërit e tjerë u arrestuan për tentativë arratisjeje.

Hajria, që duhet të përballonte e vetme, kushtet e vështira të jetesës dhe punën e rëndë në bujqësi në fshatrat e Lushnjës, u ngarkua edhe me dhimbjen për vëllezërit dhe për nënën e moshuar që duhej t’i vizitonte burgjeve. Dhe kështu t’i përballonte vuajtjet me mendimin që e bën jetën edhe më të rëndë, se hallet e saja nuk ishin të vetmet në familje.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

NDIHMO
Translate »