Dëshmia/ Thanas Zhidro: Më dënuan 10 vjet vetëm “për opinion”

0
475

Me gjithë dëshmitarët fals dhe hetuesinë e gjatë, nuk arritën ta bënin të qëndrueshme akuzën ndaj Thanas Zhidros. Megjithatë, pas gjithë këtij procesi, as nuk mund ta linin të lirë. Sajuan aty për aty akuzën “e zakonshme” të agjitacionit dhe propagandës dhe e dënuan me 10 vjet heqje lirie.  Nga këto kreu 7, duke provuar mundimet dhe punën e rëndë të Spaçit e Qafë-Barit, ku të dënuarit rrezikonin çdo ditë jetën dhe përballonin ligësinë e gardianëve dhe drejtuesve të burgut

Dëshmia e plotë;

Unë kam lindur në Delvinë të Sarandës më 15 mars të ’42-shit. Edhe ishim shëtitës, poshtë e lart, beharin në male, dimrin në vërri, po në ’65-ën pastaj, u strehuam në fshatin Borovë. Blemë shtëpinë në ’65-ën edhe qëndruam. Unë si person kam qenë me Ndërmarrjen Shtetërore të Vlorës, u transferova që atje, u hodha në Konispol me këta të shtetit, në Gramoz, këtej-andej... Në ’68-ën, mora shpërnguljen se meqë kisha shtëpinë këtu, u futa marangoz këtu, në Ersekë.

Si ndodhi arrestimi?

10 maj i ’79-ës, ora 11 e 30, erdhi policia në shtëpi. Kryetari i Degës, shefi i Hetuesisë e ata, ç’ishin, të Sigurimit komplet. Unë kisha filluar shtëpitë, gjysma shtëpitë. Më vjen kryetari i Këshillit më thotë: “Të kërkon i plotëfuqishmi, poshtë!”. Edhe unë thashë... se kisha marrë disa muratorë kontrabandë unë tani, jo kontrabandë, i kisha marrë me leje ca të kooperativës, ca nga Gostivishti, nga kryetari i kooperativës së Gostivishtit, me leje i kisha... Kur vete atje, më fut në zyrë të Këshillit. Kryetari i Degës, në karrige. “Tungjatjeta!” “Tungjatjeta”- i thashë. Shefi i hetuesisë Bujar Iliazi, kryetari i degës Zeqir Gjonkutaj. “Në emër të popullit je i arrestuar”. “Çfarë? Pse?” Më futën në makinë. Nga aty,  vij këtu, nëntë muaj këtu.

Në hetuesinë e Ersekës?

Nëntë muaj.

Çfarë kërkonin nga ju?

"Nga je futur në Greqi? Ku je futur, ku ke dalë?" Deshën të më fusnin në kriminalitetin më të lartë që të më dënonin 25 vjet. Pas 9 muajsh, jam dënuar për një javë. “U vërtetua këtu-tha- se ti nuk ke pasur atë- më thanë- por ke folur, agjitacion e propagandë”. “Ç’është ky agjitacion e propagandë?”- i  thashë. “Po, agjitacion e propagandë. Ke thënë: S’ka qepë, nuk ka domate”. “Le që unë nuk e kam thënë as këtë”- i thashë unë.  E solli disa dëshmitarë këtej-andej edhe këta ishin të imponuar, se s’kishin ç’bënin. Me gjithë këtë, më dënoi 10 vjet dhe 5 vjet internim mbasi të mbaroja burgun.

Ju akuzuan fillimisht për marrëdhënie me grekët?

Me grekët, me grekët. Me diversantët.

Ju sollën ndonjë fakt?

Jo, jo, jo, as fakte, as hiç. “E kemi të qartë ne,-thotë-po, po deshe, firmos”. “Po e keni nxjerrë trekëndëshin në mes të Ersekës, do të thonë u var një çoban. Unë s’e kam bërë atë. Edhe të isha me këtë mendim- u thosha- që të kisha ikur, as ju pyesja fare, se unë ikur isha,- u thashë- po nuk e kisha, se kisha farefisin e tërë, gjëra të tjera”. Kujt i thoje? Më në fund pastaj, kur më lanë këtë, më dënuan. Më dhanë 5 vjet internim mbas burgut e 10 vjetë burg. Më thanë: “Nuk ke bërë gjë fare, por nga opinioni, ti duheshe marrë”.

Ku u zhvillua gjyqi?

Në Ersekë.

U dënuat me 10 vjet burg, për agjitacion dhe propagandë?

10 vjet.

Kush ishte hetuesi juaj?

Hetuesi ishte Bujar Iliazi që mos ia dëgjofsha prokopinë djalë mbas djali. Edhe një fjalë do të them, që ne që na burgosën, kemi qenë njerëz me influencë, njerëz të Zotit, të punës, të shtëpisë sonë, jo për gjë tjetër.

Ku ju çuan, pasi morët dënimin?

Më morën nga këtu, nja 15 ditë ndenja në Tiranë, 303 çfarë i thoshin atij burgut atje, pastaj atje në Spaç.

Sa kohë qëndruat Spaç?

Tre vjet në Spaç.

Ku punonit? Si ishin kushtet?

Zonë e dytë. Zoti na mbante se dy furka i vinim këtu e dy atje (minierës).

Gjatë kohës që keni qenë në Spaç ka ndodhur ndonjë fatkeqësi?

Ka ndodhur.

Çfarë kujtoni?

Po ja, Kolë Mani me nja dy-tre të tjerë. Binte, i zinte... ja fatkeqësia, kjo.

Si ju trajtonin në Spaç?

Ne të punës, ta themi haptasi tani, të mos themi gënjeshtra, kishim ushqim ndryshe ne, kurse ç’ishin këta, papunësia... mos më keq ishte!

Spaç, ju kanë ardhur të afërmit t’ju takonin?

Po, ka ardhur gruaja, babai, vëllai... Kanë ardhur.

Ç’ndodhte me familjen tuaj gjatë kësaj kohe?

Me ndërgjeje, të them troç muhabetin, të mos themi që trajtoheshim nga qeveria këtu tani se qeveri jemi ne në fshat. “Ik- i thoshte brigadieri- nuk ta qaj hallin. Ke fëmijë të vogël, rri në shtëpi, nuk kam punë”. Nuk trajtoheshin mirë, me vuajtje të madhe.

Mbas Spaçit ku shkuat?

Qafë-Bari, 4 vjet në Qafë-Bari.

Çfarë momentesh të vështira kujtoni nga Qafë-Bari?

Momente të vështira në Qafë-Bari të të them unë. Kujtoj një revoltë që u bë. U bë një revoltë e madhe. Edhe nuk është problemi se ishte... se edhe këta që ishin, ishin bisha, nuk ishin njerëz. Tani po nuk e bëre normën o i shkretë, aty! Se qe një djalë i vogël, i vogël ishte ai. Nuk e bëri normën ai i shkreti. Nuk e bëri normën e u mblodhën ca shkodranë, ca aty. U ndez sherri. Na erdhi keq se ishin ca djem, alamet djemsh, trima djema.

Çfarë ndodhi me ata?

Po ç’ndodhi! Po ja ca u vranë, ca i vranë, ca i morën, i degëdisën, nuk i pamë më. Pse? Se nuk u bë 75%. Po lere dreqin atje! Nxirrnin miliona në ditë, vagona. Ja kështu bëheshin ato gjëra.

Pas Qafë-Barit keni qenë në burg tjetër?

U bë një amnistim në Qafë-Bari. Për 4 ditë, nuk më zuri mua.

Çfarë viti ishte?

Tëtëdhjetë e pesa.

Çfarë ndodhi më pas me ju?

I bën kërkesë komanda për të më liruar. “Është kështu... ka punuar me të tëra”. Një muaj nuk erdhi përgjigjja. Mbas nja 15 ditëve, erdhi nga Tirana. Se vinin të lajmëronin ku ishe, jo se të thoshin: “hajde”. E ikëm në punë. Erdhën atje, e pushuam këngën ne, filluam, bënim sikur gërmonim. Kur vinë! Ishin dy të Ministrisë dhe ky Salaudini. “Kush është Thanas Zhidro këtu?”-tha. “Unë jam”– i thashë. “Pse nuk punon mirë ti”? Më preu! Frika më e madhe ajo! Atë pashë unë, nuk pashë as arrestim, as hiç. Frikën më të madhe, atje e pashë. Se kisha dëgjuar: i linin sa mbaronin dhe të fusnin edhe 10 të tjera. “Pse nuk punon mirë ti? Se shumë dëgjohesh”. Bo bo! “Po në qoftë se s’bën llafe- i thashë unë-nuk vete puna mbarë. Prandaj e bëjmë”- i thashë. “Të priftë e mbara!-më tha.- Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, lirohesh”. Më nxorën përjashta atje. Ka qenë ditë e shtunë.

Sa ka qenë data kur jeni liruar nga burgu?

2 qeshor i ’86-ës.

Ju keni qenë në Qafë-Bari në '85-ën. Si e keni marrë vesh lajmin që kishte vdekur diktatori dhe si keni reaguar?

Me thënë të drejtën… Ja po ta them troç: Kur të zë belaja, të zë! Se llahtar kishim ne. Se do të thoshim… se do të këndonim ne atje. Jo or jo!

Çfarë pune bëtë pasi dolët nga burgu?

Unë kisha disa para nga puna. Kur më liruan nga burgu, e kishin bërë dokumentin në punën që ishte. Në punën që ishte, nuk shkoja. Kam ndenjur 3 vjet punëtor krahu në ndërmarrje prapë. Mirëpo për të vajtur fjala e presidiumit në vend, më hoqën nga puna.

Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here