Ushtarët e Burgut të Burrelit, letër ministrit

0
2851
blank

Kampet dhe burgjet e komunizmit kishin dy nivele rojesh: të brendshmin që ishin policë dhe merreshin me kontrollin e të dënuarve dhe të jashtmin i cili kryhej nga ushtarë të shërbimit të detyruar. Ushtarët zgjidheshin nga familjet më të mira të besuara të regjimit ose ato komuniste. Shërbimi i jashtëm, ishte ai i periferisë së objektit ku rrinin të dënuarit. Thënë ndryshe, ishin ushtarët ata që vrisnin të dënuarit në rastet e orvatjeve për arratisje. Për të krijuar një situatë besimi, ndaj ushtarëve krijohej gjithnjë një agjitacion dhe propagandë kundër “armiqve të popullit”. Në raste vrasjesh, ata stimuloheshin me leje dyjavore, fletëlavdërimi, etj.. Burgu më i rëndësishëm në Shqipëri ishte ai i Burrelit, i cili pas vendosjes së numrave të reparteve mori atë 321. Ushtarët që shërbenin këtu ishin më të përzgjedhurit. Burreli nuk ishte burg i rastësishëm, por ai përmblidhte të dënuarit politikë që konsideroheshin më të rrezikshëm për regjimin, si edhe pak të dënuar ordinerë që mund të kishin kryer disa vrasje. Specifika e Burgut të Burrelit ishte se nëse Shqipëria pushtohej nga ndonjë shtet tjetër, të dënuarit duhej të ekzekutoheshin menjëherë brenda pak orëve. Më poshtë është një letër që ushtarët e burgut në fjalë i dërgojnë ministrit të Punëve të Brendshme, duke shprehur kësisoj shërbimin dhe krenarinë që ndjenin duke ruajtur “armiqtë”. Letra është tipike nga ato të njeriut të ri të kohës së komunizmit.

blank

Burrel, 6.12.1961

Ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant Kadri Hazbiut, Tiranë

Ne ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e Repartit nr.321, të mbledhur me rastin e lirimit të ushtarëve të vjetër dhe ardhjes së ushtarëve të rinj.

Ne duke e vlerësuar detyrën që na ka ngarkuar partia, komanda dhe juve personalisht, objektin që na është ngarkuar për ta ruajtur e kemi siguruar më së miri dhe kemi bërë që çdo plan që kanë përgatitur armiqtë t’u dështojë plotësisht.

Me këtë rast, na lejoni që të zotohemi para jush shoku ministër se ne ushtarët e rinj, ashtu siç na ka mësuar dhe na mëson partia dhe ju shoku ministër dhe duke ndjekur shembullin e shokëve të vjetër, do të jemi vigjilentë dhe të gatshëm për sigurimin e objektit, do të tregojmë kujdes në përvetësimin e programeve ushtarako-profesionale e politiko-kulturale, do të forcojmë disiplinën, do të zbatojmë me rigorozitet urdhrat e komandës dhe së shpejti të vendosemi në tabelën e shembullorëve.

Ndërsa ne ushtarët e vjetër që lirohemi, kudo që të shkojmë, do të ruajmë frymën revolucionare që kemi fituar në ushtri, do të jemi kurdoherë vigjilentë dhe të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë socialist, Republikën Popullore të Shqipërisë.

Do të forcojmë unitetin rreth Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye udhëheqësin tonë të dashur, shokun Enver Hoxha. Do të punojmë pa u lodhur për të vënë në jetë vendimet historike të kongresit të 4-t të PPSH-së dhe do të zbatojmë parullën luftarake të partisë “Në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”.

Edhe njëherë shoku ministër ju premtojmë se krahas zbatimit të detyrave që do të na ngarkohen nga partia dhe pushtetit në rrethe, do ta konsiderojmë veten gjithmonë si pjesëtarë të organeve të punëve të brendshme dhe nuk do të kursejmë as jetën tonë për mbrojtjen e atdheut tonë socialist.

Rroftë Komiteti Qendror i PPSH-së me në krye shokun Enver Hoxha

Rroftë Republika Popullore e Shqipërisë

Rrofshin forcat tona të armatosura

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here