Bashkimi i të arratisurit me familjen, pas 36 vitesh

0
5735
blank

Nga Greqia, shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku dhe pse krijoi familje, u sistemua dhe jetonte i lirë, nuk mund të ishte i lumtur sepse nuk kishte asnjë kontakt me familjen në Shqipëri. Një ankth që zgjati për 36 vjet, derisa ata u ritakuan. Një vit më vonë, Myslim Mustafa arriti të tërheqë në Shtetet e Bashkuara të gjithë familjen e tij të madhe, me plot 82 vetë të cilët arritën të nisnin një jetë nga e para. Sot, pas 30 vitesh nga ribashkimi i familjes, në SHBA, me ndihmën e Myslimit, kanë mbërritur rreth 170 anëtarë të fisit

Pjesën e parë të kësaj historie mund ta lexoni këtu.

Nga Rozi Theohari

Musliu arriti në Nju-Jork më 1 mars 1956… Ishte 25 vjec dhe nuk dinte një fjalë anglisht. Ditën tjetër ai gjeti punë në “Shrafft’s restorant”, në 34 Street, përballë me “Empire State Building.”

Megjithëse i gëzuar që tani kishte një pune, Musliu nuk dëshironte të mbetej shërbëtor i tavolinave të restorantit. Mosditja e gjuhës e vinte në vështirësi djaloshin sa herë e urdhëronin si “bus boy”. Përditë, në orën 3 pasdite, kur iknin klientët, e zonja e restorantit i jepte Musliut një shkop me një gozhdë në majë dhe e urdhëronte të mblidhte copat e letrave të rëna në dysheme.

“-Mua,- thotë Musliu,- më vinte turp e bëhesha ujë në djersë të bëja pastrimin. Isha mësuar të punoja rëndë, punë hamallëke, por jo të kryeja atë lloj pune.” …

Me ndihmën e një miku, Musliu e la Nju-Jorkun e u vendos në shtetin Konektikat (Connecticut), në qytetin Bridgeport, ku gjeti punë në profesionin e vet, në fabrikën për montimin e makinave në “International Harvest”. Ai punoi në fabrikë gjashtë vjet, ndërsa vazhdonte shkollën e natës për të mësuar anglishten. Ishin gjashtë djem beqarë, shqiptarë e kosovarë, që punonin e banonin së bashku, si vëllezër. “Kujtonim familjet tona, larguar prej vjetësh e pa marrë asnjë lajm, -thotë Musliu,- shpresonim, dëshironim, ëndërronim të hapej edhe Shqipëria e Kosova e të bëheshin vende demokratike si Amerika e shtetet e tjera të Evropës. Por me kalimin e kohës e shihnim se shpresat tona ishin të kota. Në Nju-Jork funksiononte komiteti “Shqipëria e lirë” me kryetar Hasan Dostin. Na ftonin çdo vit të kremtonim në Nju-Jork festat e Nëntorit. Shkonim tok me djemtë devollinj që punonin në Konektikat.”

Në Konektikat, Musliu qëndroi gjashtë vjet, nga viti 1956 deri më 1961. Fabrika e shkolla u bënë pjesë e pandarë e jetës së përditshme.

Nusja nga Stambolli

Më 1962, Musliu vetë i katërt me shokët e tij, shkuan të gjenin nuse në Stamboll. Njëri prej tyre, me origjinë shqiptaro-turke, i propozoi Musliut të fejohej me kushërirën e tij, Sharminin, një vajzë e ndershme prej një familjeje të nderuar shqiptare. “-U takova me Sharminin dhe familjen e saj në hotel “Hilton” me pesë yje, - thotë Musliu,- por për mua u bë hotel me gjashtë yje, sepse Sharmini im ishte më shumë se një yll jo vetëm nga të pamet, por edhe nga shpirtmirësia dhe dhembshuria që tregoi për mua, djalin fillikat nga Shqipëria… Ajo më zëvendësoi edhe dashurinë e nënës e të motrave që më mungonin…”

Pasi u martua e ndenji dy muaj në Turqi, Musliun s’e zinte vendi sa të kthehej prapë në Amerikë, të gjente një punë për të qenë e të fitonte para për të hapur shtëpinë e re. Nga Stambolli, më 1962 Musliu erdhi drejt e në Boston, ku në sajë të përkrahjes dhe kujdesit të patriotit shqiptar Anton Athanasit, u pranua në punë në restorantin “Pier 4” e më vonë në restorantin tjetër të Athanasit “General Glover’s” në Swampscot, ku punoi si përgjegjës i barit të restorantit.

Musliu ndërpreu bisedën, lëmoi me dorë mustaqet e bardha dhe qeshi nën buzë. Atij i kujtoheshin letrat që i dërgonte Sharminit në Stamboll, të cilat i shkruante mbi banakun e barit të Athanasit. “Në vend që t’i shfaqja dashurinë e mallin e bashkëshortit,- bën ai humor,- i shkruaja se i kurseja paratë sa e si të mundja, se haja përditë vetëm bukë me gjalpë, që të mblidhja të hollat që na duheshin për jeten e re që na priste… I vura paratë çika-çika…I përgatita “kartrat” për ardhjen e Sharminit dhe ia dërgova…”

Vatra e familjes

E pyeta Sharminin mbi përshtypjet e saj kur erdhi për herë të parë në Amerikë. – “Musliu kishte zënë një apartament me qira në Pibadi (Peabody), Mass., -tha ajo.- Më shkruante në letër se apartamenti kishte dy dhoma. Apartament i thënçin, se, kur erdha nga aeroporti e Musliu hapi derën, hyra drejt e në kuzhinë. Nga kuzhina shkoje drejt e në të vetmen dhomë. Kjo ishte banesa jonë e parë. Anglisht nuk dija mirë, dija frengjisht, por nuk më hynte në punë. Me Musliun po ashtu nuk njiheshim mirë. Ndjeva vetmi dhe mall për familjen që lashë në Turqi. Vetminë ma shtonte më tepër edhe orari jo i rregullt i punës së Musliut. Ai nisej nga shtëpia në oren tre e gjysmë pasdite. Punën e fillonte në orën katër te bari i restorantit të Athanasit e kthehej në mëngjes. Une qaja gjithë natën…” Por, sipas rrëfimit të saj, erdhën me radhë fëmijët, Gjyli, vajza më e madhe, Lale, vajza e dytë dhe Aliu, djali i vetëm. Në një familje prej pesë vetësh askush nuk mund të quhej i vetmuar. “Dashuria jonë bashkëshortore,-vazhdon Sharmini,- u rrit krahas gëzimit të rritjes dhe edukimit të fëmijëve tanë. Musliu vuri një rregull të fortë në familje: brenda shtëpisë do të flisnim të gjithë shqip. Kjo mënyrë jetese i detyroi fëmijët tanë të mësonin e të respektonin gjuhën e traditat e familjes shqiptare.”

Me të hollat e fituara e të ruajtura me kujdes e nikoqirllëk, më 1971, çifti Mustafa hapi biznesin e ri, restorantin “Oceanside” në fshatin Magnolia, Mass. Burrë e grua punonin bashkë me pesë kamerierë në restorantin me 120 vende. Musliu, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë nëpër restorante, kishte fituar një përvojë të mirë për këtë lloj biznesi. Kështu, duke rritur fitimet vit pas viti, restorantin e shitën pesë vjet më vonë dhe blenë “Earnie’s Coffee Shop” në Government Center, në Boston, më 1976.

Zëri i Shpresës

Për 36 vjet rresht Musliu u mundua të komunikonte me familjen e tij në Shqipëri, i dërgonte letra familjes pa qenë i sigurt se ato i merrnin apo jo (Gazetat lokale amerikane që kanë përshkruar historinë e familjes, shtojnë se letrat që i vinin z.Myslim nga Shqipëria kishin pjesë të tëra të mbuluar me ngjyrë të zezë nga censura). Duke e ditur se sa vuante familja nga skamja e varfëria, në Shqipëri, meqë s’kishte pasur asnjë mjet për të përballuar vështirësitë e jetës, çifti Mustafa përdori rrugën e dërgimit të pakove: dërguan gjashtë kuti me makina qepëse në Shqipëri. Aksidentalisht, në faturën e blerjes nga dyqani, e cila ishte ngjitur mbi kutinë e makinës qepëse, ishte shënuar dhe numri i telefonit të familjes Mustafa në Manchester. Në shtator 1990, në shtëpinë e Musliut ra zilja e telefonit dhe, për herë të parë, pas 36 vjetësh ai dëgjoi zërin e së motrës. “Ajo ishte fëmijë kur unë lashë shtëpinë,- psherëtiu Musliu,- ishte 14 vjeç.”

Zeri i së motrës, si të ishte një zë engjëllor ardhur prej qiellit, ia ripërtëriu edhe një herë kujtimet e vegjëlisë Musliut. Ai zë motre simbolizonte zërin e butë të gjyshes, dorën përkëdhelëse të nënës, merakun e vëllezërve, dashurinë e padurimin e nipërve e mbesave për të njohur xhaxhanë e humbur…e ky varg emocionesh e çoi atë drejt një vendimi: të nisej sa më parë në vendlindje. E mblodhi mendjen dhe në nëntor 1990 vendosi të nisej bashkë me Sharminin, megjithëse miqtë dhe autoritetet e këshilluan të mos nxitohej se mund ta pësonte. Mbasi siguruan një vizë speciale si “investitor”, ata të dy i hipën aeroplanit. Musliu e Sharmini mbërritën në Tiranë ditën e Thanksgiving-ut. Çifti Mustafa u prit në aeroportin e Rinasit nga kushëriri, Zagolli, i cili kishte qenë ne burg për 12 vjet, qysh në moshën 21 vjeç, i dënuar për shkak të biografisë balliste.

Kur u takua me familjen, në vend që të gëzohej, Musliu u brengos më shumë kur i pa se si ishin katandisur vëllezërit e motrat dhe gjithë farefisi, të cilët nuk kishin një pallto në trup të mbroheshin nga të ftohtit e dimrit. Këtij dëshpërimi i shtohej dhe dhembja e madhe që ndjeu refugjati i pafat kur nuk e gjeti nënën gjallë. Ajo kishte vdekur një vit më parë, me fytyrën kthyer gjithnjë nga dera, duke pritur ndonjë lajm për të birin e syrgjynosur... “I shkuam te varri,-tha Musliu,- e vajtova…, ia preka gurin e varrit…, dëgjova rënkimin e nenes…, vuajtjet e saj vitpasviti…Jane kujtime të hidhura…”, - përfundoi ai.

Kur çifti Mustafa u kthye në SHBA, gjënë e parë që bënë, mblodhën një ton me rroba e veshje për mosha e masa të ndryshme trupi dhe i nisën në adresën e familjes në Shqipëri.

Refugjati i dikurshëm bashkohet me familjen

Për Musli Mustafën dhe familjen e tij, viti 1992 ka qenë një vit i lodhshëm, plot emocione, brenga e gëzime, një vit që plotësoi ëndrrën 36-vjeçare të refugjatit të dikurshëm për t’u bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes. As më shumë e as më pak, por 82 pjesëtarë të fisit të zgjeruar Mustafaraj udhëtuan për në Amerikë: tre vëllezërit e Musliut dhe dy motrat me familjet e veta, si dhe gjithë kushërinjtë e parë nga nëna e nga babai. Në këtë grumbull farefisnie kishte pleq e plaka, burra, gra, nipër e mbesa, deri nuse të reja shtatzëna… Si ndodhi?

blank
'Nga Shqiperia me dashuri-Burri nga Manchester-i pergatitet per ribashkimin me te afermit qe kishte lene pas", artikull ne gazeten lokale amerikane Boston Globe pak dite para mberritjes se te afermve te pare nga Shqiperia. Ne foto: Myslim Mustafa me bashkeshorten dhe tre femijet.

Me interesimin e tij, Musliu ra në kontakt me agjencinë “The International Rescue Commitee”, një organizatë ndërkombëtare e refugjatëve, e cila ndihmonte në bashkimin e familjeve të shpërndara nëpër botë. Kjo agjenci i dha mundësinë fisit prej 82 personash të udhëtonin për në Amerikë më 1992. Organizata pagoi biletat e pasagjerëve, me kusht që, në të ardhmen, ata të gjithë të shlyenin vlerën e tyre, pak nga pak.

Sharmini dhe Musliu, ditën që festonin 30-vjetorin e martesës së tyre, hapn portat e shtëpisë e të zemrës për të marrë në patronazh e në mbrojtje një detashment të tërë farefisnor. Ata mbërritën të gjithë në një periudhë kohë midis muajve mars dhe maj 1992. Mes tyre, 42 pjesëtarë më të largët u shpërndanë në Baltimorë e Nju-Jork, ndërsa 40 më të afërmit, përfshi familjet e vëllezërve e motrave zunë vend fillimisht në Manchester-by-the-sea, Mass.

Sharmini dhe Musliu, në mars 1992, bënë përgatitjet e nevojshme për të pritur 13 mysafirët e parë. Disa javë para ardhjes së tyre, çifti Mustafa solli në shtëpinë e tij prej pesë dhomash, dyshekë, jastëkë e kuverta. Në dyshemenë e dhomës së pritjes u vendosën pesë dyshekë për mbesat e vogla…, të tjerët fjetën nëpër dhomat…

Gjyli Mustafa - Kozlu, vajza e parë e Musliut, ndihmonte edhe ajo bashkë me motrën e vëllanë, me sa mundnin. Gjyli tregon se çfarë surprize dhe gëzimi ishte të takoheshe me gjithë ata kushërinj e kushërira. Ajo nuk e kishte parë të atin asnjëherë kaq të shkathët e të gëzuar… Ajo tani i jepte të drejtë këmbënguljes së babait dikur, për të mësuar shqipen, e cila tani i hynte në punë më shumë se kurrë. Ajo e quan privilegj të dijë të komunikojë në gjuhën e prindërve.

blank
Nga Shqiperia me dashuri: 82 te aferm-Familja nga Manchester-by-the-sea ndihmon te tjeret te ikin nga shtypja

Dyert e mikpritjes

Me 40 mysafirë të ardhur në vendbanimin e tij, Musliut tani i duhej një “full-time job”, ndërsa i biri, Aliu, e zëvendësoi të atin në restorantin e tij “Ernie’s Coffe Shop” në Boston. Musliu e zuri gjithë kohën e tij me gjetjen e apartamenteve të banimit, me pajisjen e mobilimin e tyre, duke frekuentuar edhe “garage sales”, me gjetjen e vendeve të punës për burrat e gratë, me regjistrimin e fëmijëve në shkolla, me shoqërimin te doktori e te dentisti…

-Ata sot janë të gjithë të punësuar,-tregon i kënaqur Musliu,- sepse të afërmit e mi ishin mësuar me çdo lloj pune fizike, duart e tyre ishin trashur nga kallot…, kështu u punësuan shpejt nëpër vende pune që ndonjë tjetër do të përvishte buzët. Gratë pranuan të punonin si pastruese shtëpish dhe si “bebisiter” (baby sitter) në familjet e pasura e kudo në qytetet e vogla rreth e rrotull.” Musliu është krenar me njerëzit e farefisit të tij, të cilët, kudo që punojnë janë të lavdëruar nga boset e manaxherët. Prindërit punojnë në dy-tri punë, duke sakrifikuar për të studiuar fëmijët nëpër shkolla e kolegje. Qysh në muajt e parë të regjistrimit të fëmijëve në shkolla, ata u dalluan për përparim në mësime e sjellje shembullore, gjë që tërhoqi vëmendjen e shtypit lokal. U botuan artikuj me intervista të mësuesve dhe drejtorëve të shkollave me fjalët më të mira për nxënësit e familjeve Mustafa. Por njëkohësisht u botuan edhe shkrime që vinin në dukje punën e lavdërueshme të Musliut e të Sharminit për t’i pritur me zemër të mirë e për t’i orientuar në jetë njerëzit e sojit e të gjakut të tyre.

-Ata sot janë që të gjithë të punësuar e kanë blerë shtëpi,- krenohet Musliu,- kanë mësuar gjuhën…, fëmijët u rritën e kanë mbaruar kolegjet…por prapëseprapë, tek-tuk del ndonjë problem a shqetësim, për të cilin kujdesem unë.

Musliu dhe Sharmini nuk do ta harrojnë kurrë ditën e 12 marsit 1992, kur mbërritën në shtëpinë e tyre 13 pjesëtarët e parë të familjes dhe banuan për disa kohë në shtëpinë e bardhë Mustafa, në Pine street. “Atë natë, thotë Musliu,- askush nuk mbylli sy. E kemi gdhirë deri në orën 4 të mëngjesit duke biseduar e duke u çmallur. Akoma deri sot, -shton ai,- vazhdojmë të kujtojmë vitpasviti çdo ngjarje a ndodhi, që ka lënë mbresa, plagë e trishtim në jetet tona të sakatosura. Nga përndjekjet e vazhdueshme politike të familjes Mustafaraj, duke i syrgjynosur nga qyteti në fshatrat e largëta, familja e gjerë e Musliut prej 12 anëtarësh ishte e detyruar të banonte në një kasolle me kashtë, ku ç’binte jashtë, rridhte brenda. Atyre ua morën tokat e çfarë pasuri kishin.

“Ky ribashkim i familjes ishte ëndrra ime e tashti u bë realitet… Kjo është e pabesueshme…, është njëlloj si të lindësh përsëri…Është një bashkim me vonesë…, por, sidoqoftë, është i vërtetë…”- thotë Musliu në një intervistë dhënë një gazetë të Manchesterit.

Drejt rrugëve të reja

Musliu erdhi në Amerikë në vitin 1956 pa asnjë pare në xhep, përveç krahëve të fuqishme të punëtorit. Tok me bashkëshorten punuan në biznesin e suksesshëm të restorantit, rritën tre fëmijë, të cilet studiuan në kolegje: Gjyli, vajza e madhe, është psikologe, Lale, vajza e dytë, është pedagoge dhe Aliu është doktor, martuar me një doktoreshë nga Tirana. Sharmini e Musliu, sot, janë gjyshër të lumtur e gëzojnë me dy mbesa e një nip të vogël, të cilet ua mbushin shtëpinë me dritë.

Kur Musliu e solli familjen e madhe nga Shqipëria, dëshironte që edhe djemtë e vajzat e reja që sapo erdhën plot energji e dëshira, të rriteshin të edukuar e të shkolluar si fëmijet e tij, duke “rrëmbyer” nga një copë të ëndrrës amerikane. Dhe kjo ndodhi me të vërtetë. Mjafton të dëgjosh vetëm dëshminë e njërit prej vëllezërve të Musliut, Astrit Mustafa. Astriti është vëllai më i vogël i Musliut dhe tregon se në vitin 1962, familja e tyre: tre vëllezerit, dy motrat dhe nëna u internuan nga Fieri në Golem të Gjirokastrës. Ata të gjithe punonin në kooperativën bujqësore, në tokat që dikur kishin qenë pronë e tyre. Punonin e banonin si kafshë, në një kasolle thurur me kashtë e shufra, pa ujë e pa dritë elektrike.

Një merak i madh i ka mbetur Astritit: kur përfundoi gjimnazin, megjithëse me nota shumë të mira, nuk i dhanë të drejtën e studimit, për shkak të biografisë “së zezë.” –“Këtë merak do ta ruaj gjatë gjithë jetës sime si trishtimin më të madh,”-thotë ai. Por historia e shkollave vazhdon. Astriti dhe Myhyrja, gruaja e tij, u bënë me katër fëmijë, tre djem e një vajzë, të cilët kanë qenë të parët në shkollën 8-vjeçare. Djali i parë, Neritan Mustafaraj, mbaroi shkëlqyeshëm tetëvjeçaren, por një vit më vonë, mezi i dhanë të drejtën të vazhdojë shkollën bujqësore të Libohovës. Në vitin e dytë të shkollës, Neritani mori pjesë në konkursin kombëtar të kimisë në Durrës, më 1989 dhe fitoi vendin e dytë. Kur Musliu e tërhoqi familjen në Amerikë, ishte fat edhe për fëmijët, të cilët do të shkolloheshin sipas aftësive dhe dëshirave të tyre.

Tani, Astriti, mosrealizimin e ëndrrës së tij e sheh të plotësuar te fëmijët, të cilet sot nuk janë më fëmijë, por persona të specializuar e të profesionalizuar në fusha të ndryshme. Neritani, në punë ditën e në shkollë natën, në North Shore Comm. College, mbaroi me sukses studimet e gjuhës angleze dhe kurset e kimisë, për të vazhduar më vonë universitetin, ku u diplomua si inxhinier kimist. Ka 6 vjet që punon në një kompani në Milford,Mass. dhe sot kryen detyrën e kryeinxhinierit. Tani ai po vazhdon studimet, po mbaron magjistraturën (“Master’s Degree”) për biznes. Mentori, djali i dytë, mbaroi gjimnazin në Manchester, e më vonë përfundoi universitetin, ku u diplomua për antropologji. Ai mori magjistraturën në universitetin e Arizonës dhe tani në kolegjin e Salemit, po merr master për pedagogji. Ai vazhdon studimet për doktoratë në antropologji. Sorkadhi, djali i tretë, mbaroi gjimnazin në Salem, Mass. Veç studimeve, është marrë edhe me sportin e mundjes. Ai ka fituar vendin e parë në konkurimin e shkollave të mesme të Massachusetts-it.

Ndërsa në konkurimin e Hartfordit, në Konektikat, fitoi vendin e tretë mes shkollave të mesme të Nju-Inglandit. Për këto arritje, është shkruar për Sorkadhin disa herë në gazetat e Salemit e të Nju-Inglandit. Sorkadhi filloi Universitetin e Bostonit, por në vitin 1999 e la shkollën dhe, me vullnetin e tij, u angazhua në lëvizjen për të ndihmuar Kosovën. Ai shërbeu në Kosovë për tre vjet si përkthyes në ushtrinë amerikane. Pasi u kthye nga Kosova, Sorkadhi mbaroi universitetin për “açounting” e sot punon në të njëjtin profesion. Ai është një aktivist i dalluar në diasporën shqiptare të Massachusetts-it. Denisa, motra e vetme në tre vëllezër, mbaroi universitetin e Bostonit për biologji dhe sot punon në kompaninë Xhensai në Boston. E pyeta Astritin, si ia arritën t’i studiojnë të katër fëmijët në universitete. “Ata fituan bursa (“scholarships”), -tha ai,- sepse ishin të shkëlqyer në mësime…, përndryshe, ne, si familje, kurrë nuk mund t’i ndihmonim…”

Astriti dhe bashkëshortja arritën të shkolloheshin edhe ata, duke përfunduar dy vite të kolegjit North Shore, për të studiuar gjuhën angleze.

blank
Fisi Mustafaraj, ne nje feste bashkimi familjar ne vitin 2018. Ne qender (me pulover ngjyre portokalli), Myslim Mustafa

Si në familjen e Astritit, ashtu edhe në familjet e motrave dhe vëllezërve të tjerë, si dhe në farefisin e Musliut anekënd Amerikës, ata fëmijë që erdhën dikur me kuriozitetin e habinë e të riut, sot kanë mbaruar universitete e janë punësuar kudo nëpër Massachusetts e anembanë në kontinentin e ri. Dhe Musliut i këndon zemra e krenohet me aftësitë, edukatën dhe energjinë e njerëzve të fisit të tij.

*Rozi Theohari ka qenë shkrimtare dhe publiciste shqiptare. Ka publikuar disa vepra. Në vitin 2000, emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi të shkruajë dhe të botojë. U nda nga jeta në 13 prill 2014, në SHBA.

Shënim: Në foton kryesore: Musliu, me bashkëshorten (në plan të parë) dhe të afërmit e ardhur nga Shqipëria. Fotoja është shkëputur nga gazetë Boston Globe e 26 prillit 1992.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here