Dëshmia/Skënder Stefanllari: Drejtori i kampit e la të vdiste Sulejman Vuçiternin

0
366

I ati ndërroi jetë në burg dhe familja nuk e mësoi kurrë ku e varrosën, ndërsa Skënder Stefanllari vuajti në kampe të egra pune, duke u bërë dëshmitar okular si liheshin të vdisnin të dënuarit e tjerë. Ai dëshmon se si në gjyq prokurori famëkeq Nevzat Aznedari goditi një të pandehur në mes të sallës.

Dëshmia e plotë; 

Unë kam lindur në Korçë më 1923, 18 maj. Nga një familje me prejardhje nga Kolonja, nga Lëngëzi i Kolonjës. Qytetar i mesëm. Babai im ka qenë tri herë në Amerikë, ecejak, emigrant. Edhe pastaj është kthyer më 1919. Miku i ngushtë i Fan Nolit, madje kur erdhi Fan Noli këtu, ai e shoqëronte në Korçë. Kur erdhi në ’20-ën, flas. Babai im ishte me profesion përfaqësues i shoqërisë amerikane të makinave “Zinger”. Shoqëri e madhe amerikane me famë botërore. Kur erdhi nga Amerika pastaj, u martua me mamanë. U martua me të, duke e njohur në Misionin Ungjillor Amerikan, “Kenedi” këtu në Korçë.

Çfarë ndodhi me babanë dhe familjen pas luftës?

Në 1950-ën, u bë një arrestimi i madh tregtarësh këtu në Korçë, më 8 dhjetor 1950. Këta i akuzonin, babanë, për “agjent amerikan”, “agjent të grekut” e ku e di unë se çfarë. Të tërë këta të Korçës, tregëtarët e Korçës. Kur e kanë arrestuar atë natë, unë kam qenë brenda. Ishte i sëmurë.

Ju keni qenë në burg në atë kohë?

Në burg, këtu në Korçë. Tani, kur e arrestuan atë natë, u thotë: “Po ç’kini mor' me mua?”. Edhe i kishin hedhur një batanije në kokë. Vijnë e arrestojnë këtu, ai nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Pecir Mandi dhe një oficer tjetër, Mit Çemo, një operativ. Kishin rrethuar shtëpinë, kishin ngritur një mitroloz te porta dhe pastaj e morën babain. Babait i kërkonin që të pohonte me gojën e tij që shoqëria amerikane “Zinger” me aktivitet në Ballkan nuk është gjë tjetër veçse një agjenturë spiunazhi e imperializmit amerikan. Këtë gjë ai nuk e pranonte. Meqenëse ai insistonte, e torturuan në atë mënyrë që iu mbeti në dorë, iu vdiq.

Sa kohë zgjati hetuesia?

Tani, këtu është pikëpyetja. Për një kohë të gjatë, domethënë nga dhjetori i 1950-ës deri në tetor, atëherë kur doli bashkë me Sotir Bicollin, të atin e Gaqos në gjyq, këtij i pranoheshin ndërresat dhe ushqimi, ndërsa ai kishte vdekur. Pse e bën këtë Sigurimi? Sepse u thoshin atyre të tjerëve të grupit të tij që: “Ja, xha Petro thotë që kështu, kështu”. Ata të tjerët thoshin: “Le të vijë, të na thotë, të thotë një herë dhe ne do ta pranojmë”. “Ja, e dimë ne atë”. Dhe u mbeti në dorë.

Si e mësoi familja juaj që babai ishte ndarë nga jeta?

Në 1951, në tetor, kanë thirrur mamanë time dhe kunatën, prokurori ushtarak Piero Gjerko nga Goshtivici i Kolonjës dhe u ka thënë, u ka dhënë një letër: “Shkoni në gjendjen civile edhe të deklaroni se burri juaj- i tha asaj- ka vdekur”. “Kur ka vdekur?- i thotë ajo.- Po ne nuk dimë gjë”. I tha: “Ka vdekur në Burrel”. Kjo nuk është aspak e vërtetë, unë që i njoh të tërë, edhe atë të Burrelit kam pyetur, nuk e kanë sjellë në Burrel. Nëse në të vërtetë atje e kishin shkruajtur më 27 shkurt 1950, njoftimin ia bënë në tetor, mbasi mbaroi gjyqi i këtyre, se i kërcënonin këta që do ta nxirrnin këtë. Ne nuk e dimë ku e kemi të varrosur.

Skënder, po me ju ç’ka ndodhur? 

Në 1944, në tetor, 24 tetor, kur erdhën partizanët në Korçë, në orën 1 e gjysmë të natës, kanë ardhur në shtëpi, këtu, edhe më kanë arrestuar mua. Përjashta ishin një grup tjetër që u arrestua në atë natë. Atë ditë, me të hyrë këta, partizanët, filluan nga arrestimet këtu në Korçë. Nga këta u bënë nja 300 arrestime. Nga këta, 20 na veçuan ne edhe na shpunë në shtabin e Brigadës së Dytë dhe të Nëntë Sulmuese. E Dyta, komandohej nga Beqir Balluku dhe një komisar Beqir…; e Nënta ishte nga Irakli Bozo, me Petro Papin. Tani ç’ndodhi? Siç na morën ne, atje në shtabin e Brigadës… Pse na morën? Siç e morëm vesh më vonë ne, Qarkori Komunist i Korçës i kishte kërkuar komandantit të operacionit për çlirimin e Korçës, Beqir Ballukut që kur të vinte në Korçë, “këta, 20 emra, t’i vrasësh!”. Nuk e pranoi Beqir Balluku dhe i doli më mirë. Tha: “Jo, nuk do ti vras unë, po keni për t’i vrarë, vritini ju-tha- jo unë, si ushtri. Se po t’i vras unë si ushtri...-tha... Korça ishte qyteti i parë që erdhën partizanët.- do të marrin vesh ata që kishin vajtur në Elbasan, në Tiranë, që në Korçë u vranë, kështu do të ikin”. Edhe vërtet i doli më mirë.

Kush ia kërkonte Beqir Ballukut këtë?

Qarkori i Korçës. Atë natë u arrestuam zëvendësprefekti Zenel Qerimi, komandanti i xhandarmërisë, Faredin Frashëri, ishte drejtori i policisë Mehmet Pupa, prokurori me mbiemrin Frashëri, kryetari i gjyqit ishte pastaj Fetih Selenica, ishte Aliu, Ali Selenica atë natë.

Cila ishte akuza që ngrinin ndaj jush?

Kriminel lufte, armik i popullit.

Mbi ç’baza?

Unë isha nënpunës Bashkie, kisha punuar në Bashki atje. Në Bashki më mori kryetari i Bashkisë Kristo Kirke. Edhe më mori atje se unë isha besnik i tij, sepse atje ishte qendra e Ballit Kombëtar.

Çfarë ndodhi pas arrestimit?

Na nxorën në gjyq.

Kur?

Në tetor ’45, në seancën e 4-t.

Mbas një viti?

Mbas një viti.

Ku keni qëndruar gjatë paraburgimit?

Jo të izoluar, jo. Sa për njohuri, në Korçë, burgu i parë ishte ky burgu i Mitropolisë, pastaj u rregullua Burgu i Madh në Yqmeti, që quhej burgu i madh këtu në Korçë. Dy javë ndenjëm në shtabin e Brigadës, në të dy brigadat që na mbajtën. Na mbajtën ne atje. Ne prisnim ndonjë urdhër se si, qysh, tek. Pastaj na shpunë atje. Atje ishim 300 veta. Ishin 4 dhoma të mëdha.

Sa ju dënuan?

Në fillim, 30 vjet, “kriminel lufte”, “armik populli”. Më vonë, u normalizuan ligjet edhe të gjithë ata që ishin 30... Sepse në atë kohë kishte 30, 40, 50, 70, 100 vjet.

Sipas cilit ligj u dënuat?

Dy nene ishin: kriminel lufte, armik populli. Mua, pastaj, ma hoqën “kriminel lufte”, më lanë vetëm “armik populli”. Atëherë, nga 30, u zbrit në 20. Pastaj, më bën edhe një falje, 5 vjet dhe një herë 3 vjet, se në atë kohë, në fillim kishte falje, më vonë u prenë.

Në cilin burg ju dërguan?

Në Burgun e Madh, në Korçë. Do të tregoj një episod: seanca jonë përbëhej nga 20 veta, 19 komandantë çetash ishin. Unë isha më i riu, 19 të tjerët ishin komandantë të çetave. Prokurori Nevzat Aznedari.

Nevzat Aznedari ishte prokuror?

Prokuror. Edhe kryetar gjyqi, Koço Prifti. Ky bëri gjestin që s’bëhet në anjë vend të botës që të goditet i pandehuri në mes të gjyqit.

Kush e goditi të pandehurin?

Nevzat Aznedari. Prokurori. E thirri njërin, një komandant çete: “Hajde, hajde-tha- të ta tregoj këtu”. “S’kam nevojë”- i tha ai. “Jo, hajde, hajde”. Kur vajti, ia futi: “vap” (me shuplakë në fytyrë). Apo dorën se kishte të madhe!

Si reagoi kryetari i gjyqit?

Asgjë, fare. Në vitin 1947, kemi qenë në kampin e Maliqit, në urën e Maliqit, në tenda, në çadra. Atje, nuk ndejtëm më tepër se... ne, unë për shembull, më tepër se dy javë. Pse? Në ’46-ën, ishte dhënë vendimi për inxhinierët “sabotues” që i vranë: Kujtim Beqirin, Sharrën e tjerë. Tani meqenëse punimet mundet që të shkonin mirë ose duhet të shkonin akoma më mirë, komanda mendoi që të hiqte një grup edhe të hapte fjalën që po i heqin sepse këta axhitojnë e propagandojnë për të sabotuar punimet, vallah të burgosurit. Në këtë grup hoqën profesor Bego Gjonzenelin e Vlorës, Hamdi Gjonin nga Dukati i Vlorës, Klito Lamajn nga Vlora, Burim Kokoshin, Fadil Xhindin, Bekimin edhe dy të tjerë, nuk i mbaj mend mirë. Midis atyre, më hoqën edhe mua. Pastaj e mora vesh unë ku flinte lepuri. Na hoqën, na mbajtën atje në burgun e Korçës.  Kur më vijnë një ditë edhe më shpien në shtëpinë e Rragos. Nuk e dija unë se ç’ishte, ishte Sigurimi i Shtetit, seksioni i Sigurimit të Shtetit, në shtëpinë e Rragos. Aty më merr Peço Nedelli, shefi i Sigurimit të Shtetit. Edhe një e një më pyesnin për punën e babait. Babai ishte i lirë.

Çfarë donin nga ju?

Deshën që unë t’u pohoja që vërtet shoqëria “Zinger” kishte qenë një agjenturë spiunazhi e amerikanëve. Ç’janë këto budallallëqe! “Ore, pse më pyesni mua?-i thashë unë.- Ju keni Sterio Gjokorecin”. Atëherë kur iu thashë për Sterio Gjokorecin, më kanë hequr ca grushte të fortë sa...! Pse, ç’ishte Sterio Gjokoreci?  Unë nuk e dija se ç’ishte. Sterio Gjokoreci ishte një emigrant shqiptar në Rusi. Kur erdhi revolucioni, ikën edhe erdhën në Shqipëri. Në “Zinger”, ai ishte inspektori i përgjithshëm për Shqipërinë. E u thashë unë: “Pyesni atë”. Ai ishte krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Si, domethënë, të thoja unë Sterio Gjokorecin! S’deshën. Deshën nga mua të ashtu... Në ’48-ën, tani do të vijmë në ’48-ën. Kemi qenë në 25 prill të 1948-ës. Atë ditë na ka zënë një dëborë që ne u shtangëm, nuk mbajti më tepër se tri orë dhe u shkri. Punën e kishim të rëndë ç’është e drejta.

Ku punonit?

Në kënetë. Tani, si ishte puna? Ishte kampi i rrethuar me tela me gjemba, matanë kampit ishin 4 truproja edhe menjëherë mbas truprojave, fillonte 20 centimetër këneta, e tëra kënetë. Edhe kemi filluar: ditën e parë 150 veta, ditën e dytë 300 veta sepse futeshim atje, hapnim savanela quheshin, kanale të vegjël për të kulluar uji. Përgjegjësi i punimeve ishte një inxhinier italian, i jashtëm. Vinte, shoqërohej nga dy gantonierë nga Kamenica. Tani do të të tregoj një mesele. Atje në Maliq një ditë më thërret mua ky, Tasi Marko (drejtori i kampit) me udhëzim nga Korça, nga Sigurimi Korçës, për punën e babait. Edhe më pyetnin për një nipin e babait, shqiptaro-amerikan që kishte ardhur nga shtabi aleat në Kazerta, i Mesdheut. Nga Kazerta të Italisë kishin ardhur këtu në Shqipëri. Donin nga unë që unë të thoja që edhe ai kishte ardhur me ashtu... spiunazhi. Gjithashtu deshën që të thosha që edhe babai, domethënë... kjo shoqëria “Zinger” ishte ashtu... Unë nuk e pranova. Më mbajtën 20 ditë edhe më çuan deri në burg pastaj.

Sa kohë punuat Maliq?

Shiko tani, në Maliq, 6 muaj: nga prilli deri në nëntor.

Ku shkuat pastaj?

Atëherë si rregull ishte që ktheheshim nëpër burgje gjatë periudhës së dimrit, pastaj beharit na nxirrnin përsëri. Ne na sollën këtu në Korçë.

Ju ka lënë mbresë ndonjë episod tjetër nga Maliqi?

Shiko do të të tregoj një episod përsëri në Maliq. Edhe në Maliq, ç’bënë ata? Deshën të krijonin, të sajonin gjëra të paqena. Tani në Maliq të parët ishim ne, si burgu më i afërt edhe kohë pas kohe, vinin nga burgjet e tjera, forca të reja, krahë pune të reja. Një ditë, një herë, vjen kontigjent nga Tirana edhe në muhabet e sipër merr vesh ky, ata të Tiranës... Këtu në kampin e Vloçishtit ishte Niko Kirka, i biri i Kristo Kirkës. Kristo Kirkën e kishin arrestuar dhe e kishin çuar në Tiranë, i biri nuk dinte gjë këtu. Mirëpo ata sillnin të rinj dhe ata që ishin fare të skaduar pastaj, i shpinin në burgje që mos t’u jepnin bukën kot. Ky duket kishte shkruar një letër, Nikoja, ia drejtonte të atit. “E mora vesh, andej-këtej. Mos u bëj merak, se kështu e kanë.” Edhe e kishte futur në valixhe. Ky ishte vetë i dytë, hante bukë me një shokë. Një ditë kthehemi nga kampi. Kur u kthyem nga kampi, rojet: “Ndal, ndal”, të mos hynim në kapanonët.” Ishin kapanonë të mëdhenj, të UNRRA-s. Vajtën, bënë kontroll edhe e gjetën rastësisht këtë letrën. Një ta marrë Nikon pastaj, e lidhën. Ishte një dru, nuk e di, a tela telefoni, a drite ishte në kamp atëherë. E lidhën Nikon atje dhe na detyruan ne të shkonim të gjithë edhe ta pështynim. Të tërë, asnjë nuk hezitoi dot. Që të mos e bënte atë punë, e dinte ç’e priste, të tërë e përshtynë. E mbajtën nja dy ditë Nikon.

Kur dolët nga burgu?

Në 1956-ën.

Çfarë kampesh të tjerë ke provuar përveç atij të Maliqit?

Tani, Maliq ’47, Vloçisht ’48, Beden, Gosë, Kavajë ’49. Atje madje, edhe atje u torturuan për vdekje.

Ka pasur vdekje, nëpër burgje?

Vloçisht, po.

A mban mend emra të burgosurish që kanë vdekur aty?

Po, Bexhet Frashëri nga Korça, Sotiraq Lako nga Korça, At Josif Papamihali.

Të gjallë kanë varrosur ndonjë?

At Josif Papamihalin.

A e keni parë se si ka ndodhur?

Shiko, ne shkonim si turma e bagëtive, edhe na ndiqnin policët. Mirëpo duke shkuar rrugës, shkonim nëpër fusha panxhari. Atje ishim shumë të uritur. Në një ditë ishte edhe ky. Mirëpo At Josif Papamihali, djalë shumë i shëndoshë, sepse u dobësua, edhe ishte ulur të merrte panxhar, turma shkoi, u shtyp dhe nuk u mor vesh. Se ku e varrosën nuk u mor vesh.

U shtyp?

U shtyp nga turma.

Edhe nuk u mor vesh fare ç’ndodhi me të?

Ra ai, ra atje dhe mori fund.

Po me Sulejman Vuçiternin çfarë ndodhi?

Sulejman Vuçiterni ishte një kolonel, komandant i shkollës mbretërore, mbaruar në Itali e në Austri. Pastaj e morëm vesh ne, ky paska pas qenë me një veshkë, ishte i dobët fizikisht. Edhe meqenëse ishte i dobët, e mora unë në brigadën tonë, në argjinaturë sipër. Duke qenë atje, kushedi, nuk duroi dot edhe me bel... edhe iu ra gishtërinjve. Deshi të invalidohej që të mos të dilte në punë. E marrin që atje, në kamp, e çojnë. Shpejt lajmërojnë, vjen një makinë. Edhe sa do ta hipnin në makinë, në atë moment, del drejtori Tasi Marko. “Çfarë bën, mër çfarë bën?”- se ishte çoban ai. S’dinte, vetëm “Tasi” dinte të shkruante “Ta-si”, më tepër jo. “Çfarë bëni këtu, çfarë bëni? Çfarë ka qenë ky?”

“Ky ka qenë kështu, kështu”- i thanë. “Ashtu?-tha.- Futeni brenda”! Kur e futën, pas tri orësh vdiq nga hemorragjia, Sulejman Vuçiterni.

Beden të Kavajës ka pasur aksidente kur ishit ju?

Jo, kur isha unë, janë rrahur për vdekje në ’49-ën, se edhe në ’48-ën ka qenë Bedeni, Kavaja, por unë them për ’49-ën. E rrahën për vdekje. Ishte Dane Zdrava, ishte Mark Dindi, një nga Përmeti, ishte një Xhelal Shaska nga Vlora.

Në cilin kamp e përfunduat dënimin?

Nga Bedeni, në ’50, në ’49 në Gosë, Kavajë, Muajin e fundit na çuan në Orman-Pojan. Në ‘50-ën na çuan në hekurudhë, në Bishqem.

Kur dolët nga burgu?

Nga burgu, tetor ’56.

Si rodhi jeta juaj më pas?

Jeta, hiç, e thjeshtë, kështu, punëtor krahu.

Krijuat familje?

Në ’57-ën.

Patët fëmijë?

Po, bëra dy djem.

Me çfarë u morën djemtë?

Djali i madh ishte… sipas të thënave të atyre pedagogëve atje, ishte më i miri maturant, në shkollë, domethënë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, po nuk i dhanë të drejtë studimi.

Çfarë pune filloi në atë kohë?

Mbasi mbaroi, se ishte si rregull atëherë, kur mbaroje shkollën duhet të bëje dy vjet stazh që të të lindte e drejta e studimit. Mbaroi shkollën ky, vajti bëri dy vjet stazh në Gur të Kuq. Pastaj që andej, jo më fal një vit në Gur të Kuq, dy vjet i bëri në minierë.Kur vajtën... Vinin nga seksioni i arsimit pë të marrë nëpër qendra pune maturantë, për t’iu dhënë të drejtën e studimit  për lart. Edhe ata shokët e metalikës ku punonte: “Po ja kemi filanin”. “Kë kini?” “Filanin”. “Jo, jo lëre këtë”. “Po ky ka gjimnazin”. “Lëre, lëre”. Ata nuk kishin kë të dërgonin dhe nuk e merrnin këtë.

Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here