Gurëz, tetor 1946/Pushkatimi i Tomës, Dr. Mirit dhe Ndues

0
266
blank

Ai tetor ishte terror. Pas pushkatimit të 10 burrave në mes të Gurëzit, më 28 gusht 1946, fshati u rrethua për të zbuluar gjurmë të mundshme rebelimi dhe, ndërsa i arratisuri Frano Miri vazhdonte të mos dorëzohej, regjimi përgatiti një goditje tjetër. Ndodhën dy vrasje të tjera të dyshimta dhe tre burra të pafajshëm, që nuk kishin të bënin me to, u ekzekutuan. Të tjerë u burgosën dhe vala e internimeve dhe dëbimeve u përplas fort mbi Gurëz, vjeshtën e 75 viteve më parë

Nga Ndue  Hoti

Për drejtuesit e Postës së Mbrojtjes Popullore të Gurëzit ishte bërë e "nevojshme" tash pas masakrës së fundgushtit, për të bërë një kontroll mbi gjendjen e familjarëve, të cilët kishin humbur kryefamiljarët, se si ndiheshin pas disa javësh: të lumtur se ishin eliminuar reaksionarët, apo të rebeluar për të marr' gjakun e njerëzve të vrarë pa gjyq? Mos e kishin kthyer atë rast në urrejtje dhe në frymëzim për t'iu kundërvënë drejtuesit të postës apo pushtetit të sapodalë prej grykës së pushkës?

Përgatitja e goditjes së dytë të Gurëzit

Nga data 20 gusht, në postën e Gurëzit kishte mbërritur nga Malësia, një kuadër i Lëvizjes Çlirimtare, me detyrë shtetnore, i veshur mjaft trendi, me një xhaketë meshini të zi, nën të cilën shkëlqente një pistoletë e larë me argjend, të cilit i mbahej fort goja. Më datë 15 shtator, i ardhuri, F.Tetoshi që thirrej edhe “Memeci”, kishte takuar ormanin, rojën, e pyjeve Tom Nik Keqin, të cilit i tregon me “duar e këmbë” edhe axhendën e tij në Gurëz: "Jam i porositur për të mbledhur ndihma për familjen e bajraktarit të Hotit, Mul Delisë të kapur e internuar nga gjermanët, e cila ka mbetë pa bukë" (Kjo ishte e pavërtetë. Mul Delia ishte arratisur duke qenë kundërshtar i regjimit komunist, por F.Tetoshi përdori emrin e tij për shkak se qe një një nga bajraktarët më me reputacion në Malësi dhe në Shqipërinë veriore). Toma i mbajti për darkë e u premtoi për ta zgjidhë këtë problem, se do të shfrytëzonte mbledhjen për ndarjen e triskave të reja të ushqimit, në oborrin e shkollës së re fillore të lagjes Gorre.

Ditën tjetër, populli, kryesisht kryetarë familjesh, popullon oborrin e shkollës. Pasi është realizuar objekti i mbledhjes, Toma u prezantoi bashkëfshatarëve të tij mikun nga Malësia e Madhe si përfaqësues i Lëvizjes Komuniste dhe qëllimin e vizitës së tij në Gorre (lagje e Gurëzit) për mbledhjen e ndihmave për familjen e bajraktarit të Hotit. Të gjithë pjesëmarrësit, duke parë njëri-tjetrin, kanë kërkuar në xhepat e tyre të hollat, aq sa u ndodheshin e janë treguar të gatshëm të shpëtonin nga uria familjen e madhe, të njohur në Hot. Atëher' “Memeci” ka nxjerrë laps e letër për të shënuar emrat, por më parë i ka kërkuar Tomës që t'i shënojë emrat e donatorëve se vetë ishte tepër i ngathët edhe në të shkruar. Toma i ka besuar dhe ka marrë laps e letër duke shënuar emrat dhe anash tyre, sasinë e parave në lekë, franga, si iu ndodhën për momentin pjesëmarrësve zemërmirë dhe firmat e secilit. Ishin bërë nja 35 sish. Listën e ka mbajtur Toma në shtëpi dhe e ka futur për me e ruajt në një vend ku kishte edhe dokumente të tjera vetjake e të punës si norman pyjesh. Pas asaj dite, Toma shkon për punët e tij në Tiranë, por dikush ka shfrytëzuar mungesën e tij në shtëpi, ka hyrë sipas kërkesës së Tetoshit dhe i ka vjedhur listën, me dokumente të tjera personale. Të nesërmen, kthehet në shtëpi, por nuk sheh për dokumentet.

Bëjmë një përmbledhje të shkrimit të Ndue Hotit, për ngjarjet në vazhdim. Kapter Rrahman Xhemali ishte akuzuar prej popullit që e kishte qëlluar ai Rexhën. Kur komandant Piloja, pyeti turmën “kush qëlloi?” menjëherë pas vrasjes së Babë Rexhës, Pretash Luca, Nik Luca e Smajl Meta drejtuan gishtin nga kapter Rrahmani që ishte pranë të sapovrarit. Tani, komandanti i Postës, Piloja nga Gjirokastra, po mendonte ta përdorte kapter Rrahmanin për të arrestuar persona të arratisur. Kapter Rrahmani niset për mision bashkë me ushtarët Hamdi Çelo dhe Dilaver Lika. Gjatë këtij marshimi, ai dhe ushtar Hamdi Çeloja vriten nga të arratisurit. Në vendngjarje, mbërrijnë të parët F.Tetoshi me Gjok Dedën nga Miloti, kryerojtar i pyjeve, vëlla dëshmori. Aty gjendet një kapotë “e harruar” nga vrasësit dhe brenda saj lista me emrat e donatorëve me shkrimin e Tom Nik Keqit, i cili kur kishin krisur armët ishte te Ded Nikolla dhe vetëm më vonë, kishte shkuar në vendin e ngjarjes si shumë të tjerë. Më vonë, gjatë asaj dite, atë e thërrasin në Postë. Po atë mbrëmje, arrestojnë edhe gruan që kapteri me ushtarët kishin takuar rrugës e cila u kishte dhënë informata të gabuara se kush ishte dhe ku po shkonte. Arrestimet vijojnë në masë të nesërmen. Arrijnë në 37 veta. Mes të arrestuarve, ishte edhe një djalë 16- vjeçar, Toma, i cili, vite më vonë, në pleqëri, ia ka rrëfyer Ndue Hotit torturat që pësuan nga data 12 deri në datë 17 tetor të arrestuarit dhe autori i këtij shkrimi i sjell ato ditë, përmes rrëfimit të Tomës, më të voglit ndër të arrestuarit:

Malësorët provojnë Golgotën në kambë nga Gurzi në Krujë

“Më 12 tetor na kanë thirr në postë dhe aty kam pa edhe të tjerë si Llesh Miri, Nikoll Miri, Pjetër Caku, Tom Nik Keqi, Ndue Gjon Uci. Kemi kalua natën në Gurëz. Të gjithëve na futën në nji ndërtesë dhe në nji dhomë 4 x 4 m. Kë më shumë e kë ma pak, fillimisht na rrahën.

Në Krujë, mua më thirrën në emër, por u përgjigj Tom Nik Keqi, sepse e thërritshin tre-katër herë në ditë, brofi në kambë siç ishte në qoshe të dhomës. “Ulu, ulu, jo ti, po ky i vogli”. Isha më i riu, 16 vjec, Pjetër Gjetja ishte 18 vjeç. Më mori me vete nëpër do shkallë, dolëm në ballkon në anën veriore të ndërtesës dhe aty ishte përfaqësuesi i Këshillit tonë dhe prokurori. Këshilltari që më njihte, për të më hequr frikën, qeshi me atë të qeshmen me za të hollë. Prokurori flitte labçe, më pyeti nëse dija se kush e vrau kapterin. Un' iu përgjigja, se nuk e dijshem. Këshilltari qeshi përsëri: "Po si nuk e din se kush e vrau kapterin?!" dhe rishtas më kthyen në qeli te shokt'. Natën e parë ndodhi nji ngjarje: nana kishte ardhë në Krujë dhe britte: "Lëshojeni djalin, se i kam dhanë vetë paret!". Ata i përgjigjeshin: "Do ta vrasim djalin"! Në torturë përdornin edhe rrymën elektrike duke lidhë në gishtat e mëdhej tel përcjell's elektrik. Ndue Zefi nuk përkulej, na epte kurajë. Na kanë nda në dy grupe e janë pyet dhe kem' pranua akuzat nën presion.

Më datë 17 tetor (gjyqi për 22-23 të akuzuar, u zhvillua në kinemanë e Krujës nën duartrokitjet e qytetarëve) gruaja u dënua me 10 vjet heqje lirie, (n.h:Nikoll Miri 20 vjeç, me 10 vjet), Pjetër Gjetja me 9 vjet, të tjerët nga dy e tri vjet, mua më falën për arsye moshe, ndërsa Llesh Miri, Tom Nik Keqi e Ndue Gjoni me pushkatim. Na prunë përsëri te qelia dhe nën shkallë kem' pa të dënuemit me pushkatim, i kishin sjell' ma parë aty. Tom N. Keqi na tha: "Mirupafshim n'at' dynja". F. Tetoshi thoshin se ishte në degë (Polici), por askush nuk e pa, as në hetuesi, as në gjyq (!!??)”,-kështu e përfundoi rrëfimin dëshmitari i dëmtuar 16-vjeçar i banorëve të Gorresë.

Pse ata të 3 nga 23?

Tom Nik Keqi

Tom Nik Keqi ishte nga lagjja Gorre e Gurëzit, rrethi i Krujës (sot Fushë Kuqe, Kurbin). Toma ishte sekretar i Reformës Agrare për komisionin e ndarjes së tokës në fushën e Gurëzit. Toma ishte edhe kryetar i ndarjes së triskave të ushqimit. Ai ishte përfshirë në një debat, me mësuesin e fshatit, Lluka Prifti, kushëri i komandantit të Postës së Gurëzit, Pilos. Lluka kishte denoncuar te Piloja se Tom N. Keqi e kërcënonte se kishte aq miq në Tiranë e Krujë e Milot se mund ta dëbonte nga Gurëzi. Edhe këtë ia kujtojnë në hetuesi në Krujë.
Për Tomën, dikush kishte denoncuar në Postë se ai kishte marrë pjesë në një mbledhje në lagjen Alk te shtëpia e Rrok Gacit, nip i trimit e patriotit për liri, Caruk Curit që At Gjergj Fishta i kushton disa vargje në një poezi, por tash me biografi të "keqe" pas vrasjes së vëllait në masakrën e gushtit pesë javë më parë dhe të dajave antikomunistë të vrarë në Malësi të Madhe dhe Krujë. Toma akuzohet për dhënie ndihmash kriminelëve, ndërkohë që lista me emra, shifra dhe firma që u gjet me shkrimin e tij, i ishte kërkuar nga përfaqësuesi i Partisë, për një qëllim tjetër. Toma la tre fëmijë jetimë, një vajzë e dy djem.

Llesh Miri

Llesh Miri u lind në Gurëz, Krujë (sot Fushë-Kuqe Kurbin) më 1918. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes në Gurëz, rrethi i Krujës, Qarku i Durrësit. Në Shkodër, mbaroi gjimnazin "Malet Tona". Në Itali, në Matera, Bazilikata, ndoqi studimet për mjekësi. Lufta e Dytë Botnore e sjell në Shqipëri dhe inkuadrohet në batalionin "Dajti" të Brig. XXIII sulmuese dhe i besojnë detyrën e intendentit të batalionit.

Tashmë ishte kryetar i Këshillit të lokalitetit Gurëz. Llesh Miri ishte parë pas masakrës mjaft i vrarë në mimikë, kokulur… Natyrisht i ishin vrarë pa gjyq tre burra nga fisi dhe një nip dhe nuk kishte si të gëzohej per vrasjen e "kriminelëve". Kjo u kishte ra në sy edhe drejtuesëve të tjerë të lokalitetit dhe këtë gjendje të tij e kishin denoncuar edhe në postë. Veç kësaj ishte krijuar bindja se kryetari i Këshillit po dërgonte informacione jo të sakta mbi të arratisurit dhe kjo vërtetohej me dështimin e aksioneve që ndërrmerrte Posta. Ishte denoncuar se ishte takuar me kushrinin e tij, Frano Miri të arratisur nga burgu i Tiranës, plagosur dhe në kërkim, kur kishte qenë një mbrëmje të vizitonte një të afërme pasi kishte qenë e sëmurë. Si kjo grua, edhe shumë të tjerë, kishin pësuar trauma pas masakrës që u krye live në sy të popullit. Jo vetëm kaq, por i kishin shpronësuar e do t'i internonin me gra, vejusha e fëmijë të mitur. Po kështu kishin denoncuar dyshimin se kryetari i Këshillit mund të kishte marrë pjesë në një mbledhje tjetër në Alk te shtëpia e Gjelosh Dedës.

Edhe në gjyq e akuzonin: Pse nuk je i qeshur pasi të vramë vëllain Ndue Gjergj Miri? Pse nuk informon për vendndodhjen e Frano Mirit?

Ndue  Uci

Ndue Uci ishte një burrë i ri, i martuar dhe kishte një vajzë të vogël. Për Ndue Gjon Ucin kishte informacion se kishte mbajtur në shtëpi kumbarin e tij, Frano Miri dhe nuk e kishte denoncuar te Posta. Nëse Ndue Gjon Uci sipas ritit të kumbarisë të bekuar në kishë nga famullitari, do të vdiste, fëmijët që quheshin famuj, do të ndihmoheshin deri sa të rriteshin nga nuni, Frano, kumbara i familjes. Hetuesia arrin të nxjerrë të dhëna të mjaftueshme me anën edhe të torturës me korent elektrik, për Tom Nik Keqin si dhe për strehimin e Frano Mirit.

Ne vend te epilogut

Ekzekutimi i tyre u krye me miratimin e Enver Hoxhës me firmë e me vulë, më datë 30 tetor, në një bahçe me ullinj të një qytetari krutan, i cili tregoi më vonë vendndodhjen e varrit, të cilin u detyruan ta hapnin vetë viktimat. Qytetari krutan e mbante mend vendin dhe ia tregoi së vesë së Llesh Mirit, Maries, që i gjeti eshtrat pas ndryshimit të sistemit.

Pretash Luca për shkakun se pas momentit të vrasjes së Babë Rexhës kishte drejtuar gishtin nga kapter Rrahmani që po i rrinte në krahun e majtë  Rexhës, u internua me familjen nga fundi i dhjetorit 1946, në Krujë. Edhe vëllai Nikë Luca me gruan Rozë. Kjo vdiq nga tortuarat në Krujë. Ishte 80 vjeçe. Ndërsa pas transferimit në internim në Tepelenë, vdiq Nik Luca rreth 82 vjeç. Edhe Rozës, edhe Nikës nuk u janë gjetur deri sot varret.

Mandej pati eliminim burrash të vetmuar si në Gjormë, te Lugu i Gerrcarit të Vermoshit 1951. Në Shkrel më 1952, në Ishëm më 23 qershor 1953, u zbuluan e dënuan grupe të “rrezikshme” si i Gjergj Sokolit 1958 (Pjetër Miri i pushkatuar, Prek Tusha vdek në burg, dom Prek Gjoka mbyt në punë, dom Anton Doci vdiq në burg, Nush Gjoka dëmtim të randë me injeksion e presion psikologjik), grupi i priftave me Dom Zef Bicin (me tre te pushkatuar)-1967, grupi i Dom Shtjefnit (dënimi i dytë me një të pushkatuar)-1970, etj.

Lind pyetja çfarë u bë me F.Tetoshin, ndërsa një nga të arratisurit që vrau kapterin arriti të dalë nga Gjirokastra e Pilos dhe Llukës ne Lavros të Greqisë dhe më pas shkon në Bruksel ku arrin të bëhet kryetar i Legalitetit dhe merr për sekretar privat të dërguarin e Sigurimit të Shtetit Isuf Mullai v. 1960-61? Ky i fundit arrin të sjellë listën e mbështetësve të Mbretit në atë vend dhe dekorohet. Pra si vrasja e Rexh Deliut, si vrasja e vrasësit të Bab Rexhës, Rrahman Xhemalit ishte një lojë e bashkëpunimit shqiptaro-jugosllav në dëm të shqiptarëve krejt pa faj.

Në foton kryesore: Tom Nik Keqi, Dr.Llesh Miri dhe Ndue Uci, pushkatuar më 30.101946.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here