Çizmja e Bedri Spahiut që i mori jetën në hetuesi juristit Ferit Hysenbegasi

0
3644
blank

17 shtatori i vitit 1947 do të ishte dita e fundit e jetës së juristit Ferit Hysenbegasi, i përfshirë në procesin e dytë të gjyqit të deputetëve. Pas afro nëntë muajsh tortura të tmerrshme në hetuesi, ai kishte mbyllur sytë, pikërisht atë ditë, kur në gjoks, kishte marrë një goditje të fortë me çizme nga Bedri Spahiu, i cili kishte shfryrë gjithë inatin e një procesi që nuk po shkonte siç regjimi donte. Pas asaj goditjeje, Ferit Hysenbegasi kishte mbyllur sytë përgjithmonë.

Në shtëpinë e tij në Tiranë, bashkëshortja Qanie me katër djemtë Ylviun, Fatosin, Bardhylin dhe Tanushin, nuk dinin asgjë për fundin e tij tragjik. Ata shpresonin se gjithçka do të sqarohej e Feriti do të kthehej në shtëpi, pasi ai kurrë nuk ishtë përfshirë politikisht në asnjë periudhë të karrierës së tij si jurist. Por ai nuk u kthye më kurrë në familje, as i gjallë dhe as i vdekur. Sot e gjithë ditën familjarët kërkojnë të zbardhin misterin e aktit tragjik e të zbulojnë varrin e fshehtë ku regjimi e degdisi për të zhdukur çdo gjurmë.
Siç ka shpjeguar i biri, Bardhyli, në një rrëfim dhënë studiuesit Ylli Polovina, sinjalin e parë për rrethanat e vdekjes së babait e kishin marrë vetëm në fillim të viteve '70, rreth 25 vjet pas vdekjes së tij nën tortura.
Bardhyli tregon: “Aty nga fillimi i viteve ‘70, një burrë nga një fshat i Korçës me një fëmijë të vogël të sëmurë për dore, nipin e tij, merr rrugën drejt Vlorës dhe troket në shtëpinë e doktor Isufit (vëllai i juristit Ferit Hysenbegasi). Im ungj, human i pakursyer siç e njohën të gjithë, e viziton djalin me kujdes, teksa fshatarit po i rridhnin lotë nga sytë. E pyet "ç‘ke, pse qan, mos u shqetëso, do të ta shëroj djalin” dhe ai i thotë se në vërtetë qante për një peng të vjetër. Në ‘47-ën ai kishte qenë polic dhe kishte qenë dëshmitar pikërisht në vdekjen e Ferit Hysenbegasit. Rrëfimi i tij për doktor Isufin ishte ky: "Isha polic në Tiranë në ‘47-ën te burgu ku mbanin të arrestuarit në dhomat e paraburgimit. Atje ishte edhe vëllai yt, Feriti. E torturonin vazhdimisht. Një ditë hetuesi po e merrte në pyetje e po e torturonte egërsisht, të varur me kokë poshtë. Kur hetuesi del nga qelia, Bedri Spahiu që po priste jashtë i thotë: “Hë mo, nxori gjë?” “Jo”, i përgjigjet ai. Atëhere Bedriu i tërbuar hyri vet në qeli dhe, duke bërtitur e sharë: “Po fol, mor qen!”, e godet në gjoks me majën e çizmes fort...për vdekje. Kështu doktor, ti nuk e di, por vëllai yt iku nga kjo jetë me gropën që i la në trup çizmja e Bedri Spahiut”.

blank
Më tej pas hetimeve të tjera të familjes, Bardhyli kujton, se si kishte marrë vesh edhe mënyrën e tjetërsimit dhe fshehjes së aktit të vrasjes në hetuesi, duke e kamufluar si "atak kardiak" përmes një raporti mjekësor. Bardhyli tregon se në vitin ‘91, në kuadër të rehabilitimit të të përndjekurve politikë, ndërsa përpiqej të gjente dokumente për statusin e të atit, dhe pas zhgënjimit që haste në të gjithë zyrat e shtetit, sipas informacioneve të zbuluara në rrugë private ai kishte gjetur emrin e një mjeku në Tiranë, doktor Petraq Progri, i cili kishte nënëshkruar raportin mjekësor.

"Ky zotni burrë, i moshuar, kur mori vesh se i biri i kujt isha, më futi në shtëpi. I thashë se më duhej të vërtetoja që im atë kishte vdekur në burg e s‘po gjeja dokumente dhe se “kam dijeni që ju keni lëshuar një raport mjekësor”. Më tha: “Dëgjo, mor bir, është e vërtetë. Në atë kohë unë isha mjek ushtarak. Një mbasdite më thërret Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Brendshme e më thotë se kishin në burg një të burgosur të sëmurë që duhej ta vizitoja. Vete atje, hyj në qeli dhe ç‘të shoh? Feriti i vdekur, i degraduar nga torturat. Më detyruan të lëshoj një raport mjekësor ku të shënoja se ai kishte vdekur nga zemra”.
Ferit Hysenbegasin e arrestuan në prag të vitit të ri 1947, dy ditë pasi i kishin hedhur prangat të vëllait të tij, mjekut Isuf Hysenbegasi. Pas muajve të gjatë e me tortura nga kjo hetuesi do të dilte i gjallë vetëm Isufi, i cili kaloi kalvarin e tij të gjatë të vuajtjeve dhe torturave në kampet e tmerrshme të të burgosurve politikë.

Ndërkaq, familja nuk ishte lajmëruar për vdekjen e juristit Ferit Hysenbegasi. Të vërtetën do ta zbulonin pjesërisht, një ditë, kur rastësisht bashkëshortja e tij Qania, pasi kishte shkuar për t'i çuar ndërresa dhe ushqim në birucat e hetuesisë, kupton se atij i kishte ndodhur dicka. I thanë se ai nuk ndodhej më aty. Pasi u bind për vdekjen e tij, ajo këmbëngul zyrë më zyrë, duke u përpjekur, që të merrte të paktën trupin e të shoqit, por Qania nuk pati asnjë rezultat. Trupin e kishin zhdukur me qëllim, për të fshehur edhe krimin që kishte ndodhur në dhomën e hetuesisë.

blank

Ferit Hysenbegasi ende sot rezulton pa varr. Ai lindi në Pogradec më 1911. Mbaroi studimet e larta për drejtësi në Beograd në vitin 1933 dhe ushtroi profesionin e gjykatësit në disa rrethe të vendit, si gjatë viteve të mbretërisë ashtu edhe gjatë viteve të Luftës. U arrestua në ditët e fundit të dhjetorit 1946 dhe, pas afro 9 muajve hetuesi, vdiq nën tortura pasi ishte qëlluar fort në gjoks nga Bedri Spahiu. Zyrtarisht vdekja e tij u raportua si atak kardiak, ndërsa trupi, pavarësisht kërkesave dhe insistimit të familjes, nuk iu kthye kurrë.

Të dhënat e këtij shkrimi i referohen rrëfimeve të Bardhyl Hysenbegasit, djalit të juristit Ferit Hysenbegasi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here